PDK me Drenicë, AAK me Dukagjin/ Centralizimi i votës në zgjedhjet parlamentare – a do të dëmtohen këto dy parti?

Politika

PDK me Drenicë, AAK me Dukagjin/ Centralizimi i votës në zgjedhjet parlamentare – a do të dëmtohen këto dy parti?

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 21 shkurt 2025 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Zgjedhjet paralemtare të 9 shkurtit, me rezultatet e tyre sollën ndryshime të mëdha në skenën politike.

Shumë figura të njohura politike, mbetën jashtë Kuvendit, si pasojë që nuk arritën të siguronin vota të mjaftueshme.

E në dy nga partitë politike, kjo gjë u theksua më shumë.

Më saktësisht, PDK dhe AAK befasuan me kandidatët e tyre të zgjedhur. Ajo çka bie në sy te këto dy subjekete është se ka një centralizim të votës elektorale në dy zona, atë të Drenicës dhe të Dukagjinit.

Nisur nga kjo, shumë kandidatë nga këto zona morën ulëse në Kuvend, ku për këtë shkak ndikuan që kandidatë nga zona të tjera të jenë në numër shumë më të ulët.

Mirëpo, se sa është i dëmshëm për partitë në fjalë ky centralizim i votës dhe, si mund të ndikojë mënyra e këtyre votimeve brenda tyre, folën njohësit e çështjeve politike.

Mehazi: Rezultatet e fundit tregojnë se drenicasit dhe dukagjinasit nuk kanë votuar me mendje, por me ndjenja egoiste lokale

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Sulejman Mehazi.

Së pari, ai u shpreh qytetarët e Drenicës e Dukagjinit i kanë ‘transferuar’ këto zgjedhje nga parlamentare në lokale.

Sipas tij, qytetarët e këtyre dy zonave kanë votuar me egoizëm lokal dhe jo me mendje.

“Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë edhe pse kanë qenë parlamentare për fat të keq qytetarët e rajonit të Drenicës dhe Dukagjinit këto zgjedhje parlamentare i kanë transformuar në ato lokale apo regjionale.

Nëse shumica e deputetëve të dy partive opozitare të PDK-së dhe AAK-së janë zgjedhur vetëm në Drenicë dhe Dukagjinë atëherë këta deputetë marrin pozitën e këshilltarëve komunalë e jo të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që më shumë i ngjanë egoizmit të votës në Drenicë e Dukagjinë sesa centralizimit të votës. Rezultatet e fundit tregojnë se drenicasit dhe dukagjinasit nuk kanë votuar me mendje, por me ndjenja egoiste lokale, edhe pse në këto dy rajone ka pasur lista të votimeve të shumë kokave, por votuesit kanë votuar pa hiç mend”, deklaroi profesori.

Image
Sulejman Mehazi

Po ashtu, ai përmendi dy emra nga këto parti që nuk arritën të sigurojnë ulëse në Kuvend, ata janë Besnik Tahiri dhe Arben Mustafa.

Ironikishit, Mehazi pyeti Krasniqin e Haradinajn se si mund ta ‘rrëzojnë’ Kurtin e LVV-në, kur këta kanë fituar në shumicën e komunave, kurse këta Dukagjinin e Drenicën.

“Është e turpshme për votuesit e PDK-në të Gjilanit të mos votohet profesori i vyer i ekonomisë, Arben Mustafa, është e turpshme për votuesit e AAK-së të Podujevës të mos votohet deputeti i spikatur Besnik Tahiri.

PDK-ja edhe pse sipas rezultateve zgjedhore është e dyta pas LVV-së, por pasi shumica e deputetëve vijnë nga Drenica dhe Dukagjini e marrin statutin e deputetëve lokalë, që në të ardhmen do ndikojë shumë keq për vetë PDK-në dhe AAK-në.

Pyesim Memli Krasniqin e PDK-së dhe Ramush Haradinaj e AAK-së, se zgjedhjet e 9 shkurtit a kanë qenë parlamentare e horizontale, apo rajonale e komunale? Nëse LVV-ja ka fituar në 21 një komuna, kurse PDK-ja e AAK-ja nga një, në Drenicë e Dukagjin, atëherë me çfarë fuqie politike mundohen të rrëzojnë, LVV-në e Kurtit, a me fuqinë e deputetëve të Drenicës dhe Dukagjinit?, qesharake, ironike e cinike.

Zgjedhjet parlamentare janë falas, po ja që pas zgjedhjeve popullata rezultatet i paguan me këste”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Maraj: Kemi një gjeneratë te re e cila ka vizion dhe njeh mirë vlerat demokratike

Kurse, analisti politik, Milazim Maraj përmendi se si figura të ndryshme mbetën jashtë Kuvendit, derisa potencoi edhe sjelljet e reja në këto lista të partive.

“Zgjedhjet në Kosovë kaluan në atmosferë të qetë dhe u vlerësuan nga BE dhe vendet tjera demokratike, si zgjedhje të lira demokratike. Përkundër përzierjes flagrante të Serbisë, zgjedhjet përfunduan mirë. Në këto zgjedhje pati mjaftë ndryshime. Në listën e kandidatëve të propozuar nga partitë politike. Ose edhe gjatë hartimit të listës së kandidatëve për deputetë. Disa kandidatë që mbetën jashtë Kuvendit nuk duhej të jenë ata që dobësojnë partinë. Ata veç sa e kanë dëmtuar në zgjedhje. Natyrisht që kjo është garë dhe në garë ka fitues dhe jo fitues, për të mos thënë humbës nga se nuk duhet të vlerësohen si humbës”.

Image
Milazim Maraj

Gjithashtu, ai nuk e sheh si problem mbetjen e disa figurave jashtë, madje e cilëson këtë si sinjal shpresdhënës për të ardhmen.

Po ashtu, tha se kemi një gjeneratë te re e cila ka vizion dhe njeh mirë vlerat demokratike.

“Ndërrimi i gjeneratave është mjaftë i arsyeshëm. Janë 25 vite pas lufte që gati janë një numër i konsiderueshëm i deputetëve të zgjedhur edhe pse nuk mund të thuhet së ishin aq cilësor sa të qëndrojnë kaq gjatë në ato ulëse. Mbetja e tyre jashtë parlamentit nuk e dëmton partinë, përkundër ky proces është freskim i partisë. Partitë i dëmton kursi jo demokratik në zgjedhje brenda partisë. Nëse aty nuk ka demokraci, ka luftë të bërrylave dhe forma korrupsioni e forma tjera jo demokratike, pa analiza të qeta para zgjedhjeve; e që deri tani janë mjaftë të dukshme, partia do të bije në numër. Po ashtu, janë disa figura që jo vetëm kanë fituar bindjen se janë shtylla të partisë. Këta e kanë bindur edhe një rreth të vogël rreth vetës që mosprania e tyre e dëmton subjektin politik dhe institucionin ku do të kishin shkuar. Këtu mund të flitet për grupe interesi e aspak për interes kombëtar. Mbetja jashtë liste e këtyre figurave është mjaft e shëndetshme për vendin, është shpresëdhënëse për të ardhmen. Kjo tregon se kemi një gjeneratë te re e cila ka vizion dhe njeh mirë vlerat demokratike. Andaj dhe nuk do të pranoj më tutje përralla patriotike dhe premtime boshe, më të cilat i kanë fituar votat më parë”, shpjegoi analisti.

Ndër të tjera, ai nuk përkrahu centralizimin e votës, derisa u tregua kritik për këtë.

Sipas tij, demokracia nuk e duron centralizmin dhe se centralistët duhet ta kuptojnë se ka kaluar koha e tyre.

“Shumë e rëndësishme është që tani të filloj menjëherë përgatitja për zgjedhjet e ardhshme. Për këtë do të duhej të mbahen zgjedhjet në parti. Do të duhej të ndërrohen gjeneratat, të vijnë të kuadro me vizion, me nivel intelektual, me njohuri të larta, që na përfaqësojnë dhe që do të qëndronin si një qeveri nën hije për të marrë postin ne momentin e parë demokratik. Këta do të duhej të vëzhgojnë punën e Qeverisë së Kosovës dhe të reagonin, mençur, me takt dhe profesionalizëm. Nuk është brengë se dëmtohen partitë nga mos prezenca e tyre. Brengë është nëse intelektual të nivelit të lartë, serioz, të përkushtuar për vendin dhe popullin e vet, që kanë reputacion në vend dhe influencë jashtë vendit nuk vijnë në strukturat e partive dhe nga aty në institucione të vendit. Kështu do të dëmtohej partia dhe shteti. Andaj nëse ndonjë parti tani do të dëmtohet kjo tregon se zgjedhjet kanë dhënë një dush të ftohtë që do të korrigjojë subjektet tona politike. Demokracia nuk e duron centralizmin. Andaj centralistët duhet ta kuptojnë se ka kaluar koha e tyre”, përmbylli Milazim Maraj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat