`“Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës (Veriatlantike), përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe se parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të fuqishme. Si pjesë e kësaj, SHBA e ka bërë të qartë gjithashtu pritjet e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët. NATO po përshtatet vazhdimisht me një mjedis në ndryshim. Kjo është pjesë e asaj që duhet për të qëndruar gati”, kështu janë shprehur nga KFOR-i, pas raportimit të gazetës gjermane për largimin e trupave amerikane nga Evropa dhe Kosova.
Ata në një përgjigje për median vendore kanë thënë se zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës Veriatlantike.
“Angazhimi ynë për stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor brenda KFOR-it, përmes kontributit të saj të gjatë, i cili aktualisht arrin në mbi 600 trupa”, thonë tutje nga KFOR.
Tabloidi gjerman ‘Bild’ nëpërmjet burimeve të informacionit ka thënë se ka marrë vesh se Italia është duke bërë përgatitjet për një skenar të mundshëm të tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.
Ndonëse citojnë presidentin e ri amerikan, Donald Trump, se ka mohuar tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga Evropa, BILD në një artikull të titulluar “Europa në frikë! Agjencitë e inteligjencës kanë frikë nga tërheqja e trupave amerikane” citojnë disa burime duke thënë se Italia po bëhet gati për një skenar të mundshëm të tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.
“Sipas informacioneve të BILD, Italia po përgatitet edhe për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova. Atëherë aleatët evropianë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, si dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, thuhet në raportimin e tyre.
Ish- ushtaraku Hafir Hoxha, thotë se nëse KFOR-i largohet nga Kosova atëherë ata kanë bërë marrëveshje që të ndodhë kjo.
Ai nuk beson tërheqjen e tyre, pa marrëveshje.
“Nëse KFOR raporton se mundet të largohet nga Kosova atëherë me siguri kanë bërë marrëveshje me Rusinë dhe me Serbinë që kjo të ndodhe , paraprakisht NATO duhet të bëjë marrëveshje, kontratë me atë se kujt i lënë përgjegjësit detyrat që i kishte deri më tani në Kosovë. Nëse ato do ta i merr Republika e Kosovës ajo duhet të bashkëpunojë me NATO-n dhe ato detyra t’i ushtroj si duhet, nëse kanë ndonjë marrëveshje amerikanët me Rusinë dhe Serbinë për veriun atëherë munden ata u tërheq dhe gjendja me u prishë dhe i dhënë një sinjal i heshtur që Serbia të marrë atë pjesë të Kosovës që pretendon ( që janë dakorduar ) e që nuk besoj që ashtu pa marrëveshje mundet me u tërheq NATO nga Kosova”, deklaron Hoxha.

Në gjitha variantet, ai thotë se Kosovës i mbetet të mbrojë sovranitetin dhe integritetin me forcat e veta.
“Në të gjitha variantet Kosovës i mbetet të bëhet gati të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial me forcat e veta të mbrojtjes dhe t’i koordinojë punët me seriozisht me Shqipërinë për politikë edhe siguri. Pra edhe nëse SHBA për arsye të ndryshme zhvillon renditje të reja të forcave të saja ushtarake në kuadër të NATO-s SHBA me siguri detyrat e saja do të ia jep shteteve anëtare të NATO-s që ishin para vitit 2000. E me gjasë në Kosovë do të jetë Italia pasi ajo më së shumti ka trupa aktuale në Kosovë”, përfundon Hoxha.