Më 24 shkurt bëhen tri vjet që nga lufta në Ukrainë, ndërsa po në këtë datë, sipas të dhënave nga shërbimi sekret ukrainas, diktatori i Kremlinit, Vladimir Putin, pritet të shpallë fitoren ndaj Ukrainës dhe NATO-s.
"Rusia po përgatitet të shpallë një fitore të pretenduar në luftën kundër Ukrainës deri më 24 shkurt 2025", deklaroi shërbimi sekret ukrainas të premten. Madje, sipas këtyre burimeve, Moska mund të përfshijë në këtë njoftim edhe një "fitore kundër NATO-s".
Këto raportime për gjendjen në Ukrainë vijnë edhe pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e ka cilësuar presidentin Zelensky një diktator me mandat të skaduar në shkurt 2022.
Ai në një postim në rrjetin social Instagram, tha se Zelensky, të cilin ai e quajti një “komedian modest i suksesshëm”, e kishte nxitur Amerikën të shpenzonte 350 miliardë dollarë për të “shkuar në një luftë që nuk mund të fitohej”.
“Unë e dua Ukrainën, por Zelensky ka bërë një punë të tmerrshme, vendi i tij është shkatërruar dhe miliona njerëz kanë vdekur pa nevojë”, shkruan Trump.
Zelensky më mirë të lëvizë shpejt ose nuk do t’i mbetet një vend”, thotë në mesazhin e tij presidenti Trump.
Trump shton se ndërkohë, SHBA-ja “po negocion me sukses një fund të luftës me Rusinë”.
Presidenti i Ukrainës, është kritikuar edhe nga Udhëheqësi i Departamentit për Efiçiencë Qeveritare (DOGE) në Amerikë, Elon Musk.
“Zelensky nuk do paqe, ai do para dhe pushtet”, shkroi të martën një përdorues i platformës X, së cilës Musk iu përgjigj me një emoji “100 për qind”, me sa duket duke sinjalizuar aprovimin.
Këto deklarime të Trump dhe Musk, kanë ardhur pas takimit të SHBA-së me Moskën në Riad, në takim këtë ku ka munguar Ukraina.
Gjanaj: Ta quash Zelenskyn “diktator” është një deklaratë e fortë politike
Politologu Ramadan Gjanaj, konsideron se fati i luftës në Ukrainë mbetet i pasigurt dhe varet nga disa faktorë.
Sipas tij, deklaratat e Trump dhe Musk reflektojnë qëndrimet më skeptike ndaj mbështetjes për Ukrainën
“Fati i luftës në Ukrainë mbetet i pasigurt dhe varet nga disa faktorë kyç, përfshirë mbështetjen perëndimore, qëndrueshmërinë e forcave ukrainase dhe strategjinë e Rusisë. Nëse SHBA dhe BE vazhdojnë të ofrojnë ndihmë ushtarake dhe ekonomike, Ukraina mund të mbajë linjat mbrojtëse dhe të tentojë kundërofensiva të reja. Nga ana tjetër, nëse ndihma reduktohet, Rusia mund të avancojë më tej. Për momentin, konflikti duket se po hyn në një fazë të zgjatur pa një zgjidhje të shpejtë diplomatike. Deklaratat e Trump dhe Musk reflektojnë qëndrimet më skeptike ndaj mbështetjes për Ukrainën në disa qarqe politike amerikane. Trump, i cili ka kritikuar vazhdimisht ndihmat e mëdha financiare për Ukrainën, ndjek një qasje më pragmatike dhe mund të synojë një marrëveshje paqeje më të shpejtë. Megjithatë, ta quash Zelenskyn “diktator” është një deklaratë e fortë politike që nuk përputhet me realitetin, pasi ai është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe po lufton për të mbrojtur vendin e tij nga agresioni rus. Më shumë sesa një kritikë personale ndaj Zelenskyt, ky lloj komunikimi duket se ka për qëllim të krijojë një hapësirë për negociata të mundshme me Rusinë në të ardhmen”, shprehet Gjanaj.

Sipas tij, SHBA mund të ushtrojë një presion të madh mbi Ukrainën për të pranuar kushte paqeje.
“Trump ka deklaruar disa herë se do të kërkojë një "zgjidhje të shpejtë" të konfliktit, duke pretenduar se ai mund ta përfundojë luftën brenda një periudhe të shkurtër. Në praktikë, kjo mund të nënkuptojë një presion të madh mbi Ukrainën për të pranuar kushte paqeje që mund të përfshijnë edhe lëshime territoriale ndaj Rusisë. Të paktën, duket se tashmë shumica e shteteve janë pajtuar me idenë se Ukraina nuk do ta rikuperojë Krimenë. Deri më tani, megjithëse flitet për bisedime mes SHBA-së dhe Rusisë, askush nuk mund të parashikojë me saktësi se si do të përfundojë ky konflikt”, shton Gjanaj.
Lepaja: Politika e SHBA dhe BE ndaj Rusisë aktualisht nisen nga interesa të ndryshme
Ndërsa, publicisti Fadil Lepaja, konsideron se negociatat për Ukrainën do të jenë shumë komplekse.
Sipas tij, interesi i SHBA-së është që në këto negociata të ndërtojë marrëdhënie të mirë me Rusiën si kundërpeshë Kinës, por edhe me BE-në.
“Negociatat për Ukrainën do të jenë shumë komplekse. Veprimet e SHBA janë të arsyeshme për shkak se bunkerizimi i palëve në pozicionet dhe kërkesat e tyre nuk lë hapësirë për negociata. Putin kërkon territoret që tashmë i ka aneksuar ndërkaq Zelenski kërkon tërheqjen e plotë dhe pa kushte të Rusisë nga territoret e okupuara, kështu që po të ishte e mundur të bisedohet nga këto pozicione nuk do të fillonte as vazhdonte lufta. Përzgjedhja e një vendi neutral në raport me palët, prodhuese e madhe e naftës gjithashtu tregon se në cilin rrafsh do të negociohet me Rusinë, e cila naftën dhe gazin i ka bazën e ekonomisë së vet dhe Putin ndjek interesat e oligarkëve të naftës dhe gazit rus. Interesi afatgjatë i SHBA është që në këto negociata të ndërtoj gjithashtu një marrëdhënie të mirë me Rusinë si kundërpeshë Kinës por edhe BE, të cilën SHBA e sheh po ashtu si konkurrente në ekonominë globale po aq sa edhe ka marrëdhënie bashkëpunimi ekonomik”, deklaron Lepaja.

Sipas tij, Ukraina do të jetë faktor mbi marrëdhëniet.
“Këto negociata synojnë gjithashtu të bëjnë vend edhe për interesat ruse në kampin perëndimor, për të mos e lëshuar atë të ikë në integrimet evroaziatike që do të diktoheshin nga Kina. Ukraina gjithsesi do të jetë faktorë mbi të cilin këto marrëdhënie do të ngriten dhe kërkesat e "çmendura" të Trump drejtuar Zelenskyt e kanë këtë qëllim që ta zbresin me këmbë në tokë atë dhe të mos diktojë gjithë politikën e Definitivisht, politika e SHBA dhe BE ndaj Rusisë aktualisht nisen nga interesa të ndryshme dhe negociatat për Ukrainën do të vendosin një konjukturë të re ndërkombëtare e cila do të diktojë edhe vatrat e tjera të luftës apo krizave nëpër botë e për ne është me rëndësi se do të legjitimojë edhe interesat ruse në rajonin e Ballkanit”, përfundon publicisti.