Në politikë asnjëherë nuk i dihet. E sipas gjitha gjasave, Kurtit i duhet një partner për të qeverisur.
Së fundi, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me çdo qeveri të ardhshme, nëse ky bashkëpunim është në interes të Kosovës.
Ai gjatë një interviste në një nga televizionet tona, Limaj deklaroi se është i hapur për diskutime për çështje me rëndësi nacionale.
“Unë jam i gatshëm t’i ndihmoj kryeministrit tim që i shërben vendit. Nëse kërkon ndihmën time për të mirën e Kosovës, jam i gatshëm ta ofroj.
Gjithmonë – edhe nëse është Albin Kurti. Kur bëhet fjalë për çështje nacionale, unë gjithmonë kam qenë i përkushtuar”.
Ish-ushtaraku Muharrem Maralusha, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Kosova dhe kombi kanë më shumë rëndësi sesa shoqëria me Ramush Haradinajn.
Ai inkurajon Limajn që të marrë këtë hap dhe të bashkohet me Albin Kurtin për të vazhduar rrugën përpara.
“Fatmir Limaj e tregon veten, se Kosova dhe kombi kanë më shumë peshë se AAK apo shoqëria e Ramushit. Me gjithë zemër e këshilloj Fatmir Limajn që ta përkrah Albin Kurtin, duke hyrë në koalicion me të.
Merre këtë hap të guximshëm dhe tregoj popullit se nderi, kombi dhe dashuria ndaj popullit që e përfaqësoni, vlen më shumë se AAK, që mos të ishin malishevasit AAK nuk do të kishte mundësi ta kaloi pragun. Tregoje trimërin (e di si e ke keni në zemër” dhe dashurinë ndaj Kosovës”, thotë ai.
Kujtojmë, se pas shprehjes së gatishmërisë nga kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen për krijimin e qeverisë së ardhshme, ka ardhur një reagim nga VV-ja.
Zëvendësministri në detyrë i Vetëvendosjes, Blerim Sallahu, i ka dalë edhe në mbrojtje Limajt për këtë deklaratë.
“Përtej shpifjeve, kritikave të pabaza, insinuatave, të bëra nga akterë politikë e parapolitikë, Fatmir Limaj dhe Nisma kanë respektuar në përpikëri koalicionin parazgjedhor me një parti në shuarje siç është AAK. Tash, Fatmir Limaj dhe Nisma kanë të drejtë demokratike, kushtetuese dhe ligjore që pas zgjedhjeve të bëjnë koalicion paszgjedhor me partitë aktuale në skenën politike. Pra, marrëveshja për koalicion parazgjedhor të subjektit politik Nisma me AAK-në është realizuar”, ka thënë ai.