Të enjten, në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së, raportuesi për Kosovën, Riho Terras, paraqiti draft-raportin e tij vjetor për situatën në Kosovë dhe përparimin e saj drejt BE-së.
Raportuesi Terras tha se pret që BE-ja të marrë rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe që Komisioni i ri Evropian dhe përfaqësuesja e lartë e tij, Kaja Kallas, të jenë në krye të këtij angazhimi.
Ai tha se BE-ja duhet t’i heqë masat ndaj Kosovës - që u ndërmorën në vitin 2023, për shkak të situatës së tensionuar në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe - sepse ato, sipas tij, nuk janë korrekte.
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli ish-ambasadori holandez, Robert Bosch.
Së pari, këtë thirrje të Terras e vlerësoi si shumë pozitive, në kohën kur Grenell po vazhdon me kritika ndaj Kosovës.
Ai tha se pozitive është thirrja e raportuesit Terras, por të gjitha shpresat janë te Kallas.
“Është mirë të marrim lajme pozitive në këtë periudhë të mundimshme, ku njerëz si Grenell mund të luajnë sërish negativin e tij për Kosovën.
Është mirë që PE vazhdon rolin e tij pozitiv, por fatkeqësisht është Komisioni dhe Këshilli ata që bëjnë politikën e jashtme. Pra, duhet të shpresojmë tek Kallas edhe pse ky apel i Terrasit është të paktën pozitiv”, deklaroi ish-ambasadori holandez.
Krahas kësaj, Bosch kërkoi largimin e masave që janë vendosur kundër Kosovës, e të cilat tha janë të padrejta që nga koha kur u mor një vendim i tillë.
“Është e qartë se, unë mendoj se masat kundër Kosovës ishin shumë të padrejta që në fillim, veçanërisht për faktin që nuk u ngrit asnjë masë ndaj Serbisë, e cila është shkaku i gjithë këtyre problemeve”, përfundoi Robert Bosch për “Bota sot”