‘Testi i parë’ i Kaja Kallas, kërkohet heqja e menjëhershme e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës

Politika

‘Testi i parë’ i Kaja Kallas, kërkohet heqja e menjëhershme e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 shkurt 2025 Në ora: 21:05
Kaja Kallas

Masat e vendosura të BE-së ndaj Kosovës, ende nuk janë hequr. Ato erdhën për arsyje të veprimeve të institucioneve të Kosovës në veri në vitin 2023.

Tash e dy vjet, nuk ka asnjë tentativë për t’i hequr ato. Edhe pse brenda Parlamentit Evropian, nuk ka pasur pajtim për një vendim të tillë.

Të enjten, në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së, raportuesi për Kosovën, Riho Terras, paraqiti draft-raportin e tij vjetor për situatën në Kosovë dhe përparimin e saj drejt BE-së.

Gjatë debatit në Parlament u shpreh që Kosova ta konstituojë sa më shpejt Kuvendin, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, dhe ta formojë Qeverinë.

Raportuesi Terras tha se pret që BE-ja të marrë rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe që Komisioni i ri Evropian dhe përfaqësuesja e lartë e tij, Kaja Kallas, të jenë në krye të këtij angazhimi.

Terras kërkoi që edhe pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimit të Kosovës në BE.

Lama: BE duhet ta ndëshkojë Serbinë për sjellje agresive ndaj Kosovës

Image
Alma Lama

Njohësja e politikë së jashtme, Alma Lama, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se masat duhet të hiqen, kjo pasi e kanë rënduar Kosovën dhe ekonominë e saj.

“Mendoj se masat duhet të hiqen menjëherë pasi e kanë rënduar Kosovën dhe ekonominë e saj të dobët. Tani u mbajtën zgjedhjet dhe komuniteti serb ka marrë pjesë në to, duke vërtetuar edhe njëherë se ishin pjesë e lojës së Beogradit kur bojkotuan zgjedhjet lokale.

Gjithashtu, masat u bënë asimetrike pas Banjskës, ku grupe të armatosura të lidhura drejtpërdrejt me shtetin serb, tentuan të shkaktojnë trazira dhe kryengritje në veri. Serbia nuk u ndëshkua për këtë. BE duhet të ndëshkojë Serbinë për sjellje agresive ndaj Kosovës”, thotë ajo.

Arifi: Heqja e masave është testi i parë i seriozitetit të BE dhe Kallas në këtë proces

Image
Avni Arifi

Edhe Avni Arifi, njohës i politikës së jashtme, thotë se masa ndaj Kosovës janë të padrejta, ato po ashtu kanë qenë të njëanshme.

“Masat e vëna ndaj Kosovës të vëna si rezultat i politikës së gabuar të BE, por edhe apatis diplomatike të Kosovës duhet të hiqen si parakusht i vazhdimit të bisedimeve. Kosova me masa të njëanshme dhe te padrejta nuk ka se si të jetë dhe të ndihet e barabartë në këtë proces.

Kaja Kallas si udhëheqëse e re në këtë proces duhet të ketë një hapësirë manovrimi dhe kjo hapësirë nuk mund të krijohet përderisa Kosova është nën masa. E vërtetë që për heqjen e tyre duhet aprovimi i 27 shteteve, por nëse këto shtete duan ta përkrahin procesin edhe masat duhet të hiqen. Heqja e masave është testi i parë i seriozitetit të BE dhe Kallas në këtë proces”, përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat