Deklarata e fundit e Rutte-s për stabilitetin në Kosovë, ekspertët flasin për NATO-n dhe rëndësinë e saj

Politika

Deklarata e fundit e Rutte-s për stabilitetin në Kosovë, ekspertët flasin për NATO-n dhe rëndësinë e saj

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 shkurt 2025 Në ora: 11:31
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte

Siguria në Kosovës momentalisht është e qetë. Por, ajo çka u raportua nëpër media është trupat amerikane mund të largohen nga Kosova, e kjo ka ngjall shqetësim.

Por, së fundi, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka folur mbi këtë çështje.

Ai ka thënë se stabiliteti në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi, është në interes të të gjithëve dhe nuk sheh arsye të besojë që mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në aleancën ushtarake perëndimore.

Ai këtë e tha gjatë qëndrimit në Bratisllavë të Sllovakisë.

“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë, nga ajo çfarë unë po kuptoj nga sistemi amerikan është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave apo adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor duhet të jemi të sigurt që ne të mbajmë në fokus këtë rajon sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në interesin e të gjithë neve”, u përgjigj Rutte.

Shala: Deklarata e Rutte rëndësishme për të qartësuar pozicionin e NATO-s dhe SHBA-së në lidhje me situatën e sigurisë në Kosovë

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot”, se kjo deklaratë është një përgënjeshtrim.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shal

“Komenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, është një deklaratë e rëndësishme për të qartësuar pozicionin e NATO-s dhe SHBA-së në lidhje me situatën e sigurisë në Kosovë. Ai theksoi se stabiliteti në Kosovë është i rëndësishëm për të gjithë, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon.

Në lidhje me pyetjen e mundshme të largimit të trupave amerikane, duket se kjo është një përgënjeshtrim i raporteve që kanë qarkulluar në disa media. Rutte ka theksuar se nuk ka arsye për të besuar që mund të ndodhin ndryshime dramatike në përkushtimin amerikan ndaj aleancës dhe sigurisë në rajon. Ky qëndrim është një konfirmim i vazhdimit të angazhimit të SHBA-së dhe aleatëve të saj për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe për të ruajtur praninë e NATO-s në rajon.”, thotë ai.

Tutje, ai thotë se deklarata e Rutte është një mesazh i qartë për vazhdimësinë e angazhimit të NATO-s dhe SHBA-së në Kosovë dhe përkushtimin ndaj stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

“Po ashtu, kjo deklaratë sinjalizon se është e rëndësishme që çdo spekulim mbi tërheqjen e trupave të SHBA-së të merret me rezervë, pasi një tërheqje e mundshme mund të kërcënonte ekuilibrin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një fushë ku ndikimi i NATO-s dhe angazhimi i SHBA-së vazhdojnë të jenë kyç për paqen dhe sigurinë.

Pra në fund, mund të konstatojmë se deklarata e Rutte është një mesazh i qartë për vazhdimësinë e angazhimit të NATO-s dhe SHBA-së në Kosovë dhe përkushtimin ndaj stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, përfundon ai.

Hoxha: Çdo anëtare e NATO-s është e njejtë, me të njejtat ligje e rregulla! I njejti institucion e njejta ushtri

Image
Ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha

Ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha, ka thënë se lëvizjet e trupave amerikane mund të ndodhin që të lëvizin, varet ku i kanë interesat SHBA dhe Trumpi.

“SHBA, Tramp i kanë politikat, projektet e tyre të brendshme, por edhe politikat globale për ekonomi dhe siguri.

Në kuadër të interesave të tyre logjike që do të ndodhin ndryshime ku do të ndikon ato ndryshime tek aleatët e tyre në ekonomi dhe siguri.

Sa i përket sigurisë në Evropën juglindore (nuk preferoj të them në Ballkan) lëvizjet e trupave amerikane munden me ndodhë në interes të tyre, munden ato me u vendos në Serbi ku dhe është synimi kryesor, munden edhe gjetiu, por një element është i sigurt që lëvizjet e tyre nuk guxojnë të shkaktojnë konflikte të reja apo të rrënohet ajo që është ndërtuar deri tani”, thotë ai.

Tutje, thotë se Trumpi, mund të bëjë lëvizje që t’i detyrojë shtetet e BE-së të bartin përgjegjësi më serioze

“Tani, Trump ka mundësi me karakterin e tij të bëj lëvizje ku do t‘i detyron shtetet e BE të bartin përgjegjësi më serioze, më të madhe, më të kushtueshme në kuadër të misioneve të NATO-s, prandaj edhe nëse forat e SHBA-se dislokohen gjetiu ose më mirë të them largohen nga Kosova, nuk do të ndikojë shumë në çështje e sigurisë në Kosovë deri sa atë përgjegjësi do ta kenë anëtarët e NATO-s, që janë shtetet e BE që më pak do të i kushtonte këtyre shteteve këtu në BE se sa SHBA-së.

Sidoqoftë, ne duhet shumë më seriozisht të krijojmë infrastrukturën dhe institucionet e sigurisë, të bëjmë planet dhe strategjiinë e Mbrojtjes, të stërvitë dhe edukojmë popullatën për reagime në raste emergjente pra, jo vetëm në katastrofa natyrore por edhe ato të shkaktuara nga faktori njeri, pra, në rast të luftës”, nënvizon ai.

Në fund, Hoxha shton se çdo anëtare e NATO-s është e njejtë, me të njejtat ligje e rregulla, duke shtuar se në rast lufte ata intervenojnë njejtë nga kudo në botë.

Hoxha thotë edhe se “Amerika ka kohë të gjatë që kanë lënë forca vetëm për kujdestari e jo forca operative luftarake, moti Bonstilli është gati se i zbrazët sepse siguria është në nivel dhe nuk ka nevojë vende për shpenzime në të mëdha ushtarake”.

“E kemi shumë punë për t’u bërë prandaj nuk duhet të humbasim kohë duke i shikuar të tjerët çka mendojnë, flasin e veprojnë por duhet të bëhemi gati me mbrojtë vendin në rast lufte dhe të marrim sa më parë përgjegjësin tonë që vet të kujdesemi për sigurinë dhe garantojmë sovranitetin dhe integritetin territorial tokësor, ajrore, ujorë, nëntokësor dhe nënujoro me forcat tona të armatosura në doktrin të theksuar për mbrojtje.

Çdo anëtare e NATO-s është e njëjtë, me të njëjtat ligje e rregulla! I njëjti institucion e njëjta ushtri! E njeëjta komandë dhe i njëjti mandat.

Vetëm varet cili shtet komandon në Kosovë, as ata nuk guxojnë të devijojnë.

Në rast të konfliktit, të luftës ata intervenojnë njëjtë nga kudo në botë!

Si prej Bonstili si prej Italise!!

Ashtu kështu forcat ushtarake intervenuese nuk i kanë në Kosovë, moti janë tërheq ato, janë vetëm forcat vëzhguese që e përcjellin situatën me disa patrilineal, kapacitet luftarake nuk kanë por në rast të nevojës janë baza të NATO-s aktive të njejtat nga është sulmuar Serbia vitin 1999!

Këto forca i udhëheq aleanca NATO-s dhe forcat amerikane kanë qenë më të fuqishmet dhe janë ende por ato vendosen rregullisht aty ku ka më shumë nevojë aleanca e NATO-s për to. Në Kosovë, është logjike që ka kohë të gjatë që kanë lënë forca vetëm për kujdestari e jo forca operative luftarake, moti Bonstilli është gati se i zbrazët sepse siguria është në nivel dhe nuk ka nevojë vende për shpenzime në të mëdha ushtarake”, përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat