Javën e kaluar, Parlamenti Evropian kërkoi edhe një herë nga BE-ja që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, duke thënë se “ato janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së”.
Po këtë javë, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, ka kujtuar se për heqjen e masave, duhet konsensusi i të 27 shteteve të BE-së, dhe ka thënë se diskutimet për këtë çështje janë në proces e sipër.
Se kur dhe si do të mund të përfundojnë ato bisedime, është e paqartë, siç ndodh shpesh kur në pyetje janë politikat e BE-së.
E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot”, foli doktori i gjeopolitikës, Mirsad Voca.
Së pari, potencoi se vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës ishte vendim i gabuar, pasi ishte Serbia ajo që destabilizonte situatën në veri të vendit tonë.
“Vendimi i Bashkimit Evropian për të vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023 ishte një hap i padrejtë dhe i gabuar në analizën e situatës gjeopolitike në rajon. Këto masa erdhën si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës, një zonë e ndjeshme ku Serbia vazhdon të ushqejë destabilizimin përmes strukturave të saj ilegale dhe retorikës së saj agresive. Në këtë kontekst, është e qartë se Kosova nuk është fajtore për përshkallëzimin e situatës, por përkundrazi, është një viktimë e ndërhyrjeve të vazhdueshme serbe”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Voca foli për standarin e dyfishtë të vendosur nga BE, në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Madje, sipas tij kjo qasje e dyfishtë dëmton jo vetëm Kosovën, por edhe kredibilitetin e vetë BE-së.
“A kishim të bëjmë me një standard të dyfishtë të BE-së?
Ndërkohë që BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës, ajo nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë, një vend që jo vetëm që po pengon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por gjithashtu refuzon të harmonizohet me politikën e jashtme evropiane ndaj Rusisë. Serbia vazhdon të refuzojë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke treguar qartë se nuk është e angazhuar në politikat e përbashkëta të BE-së. Kjo qasje e dyfishtë dëmton jo vetëm Kosovën, por edhe kredibilitetin e vetë BE-së si një faktor rregullator në rajon.
Në këtë kontekst, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, ka të drejtë kur thotë se BE-ja duhet të heqë sanksionet ndaj Kosovës. Masat e vendosura nuk janë korrekte, sepse ato e ndëshkojnë një vend që po përpiqet të mbrojë integritetin e tij territorial dhe të zbatojë rendin kushtetues, ndërkohë që tolerojnë veprimet destruktive të Serbisë”.
Ndër të tjera, Voca kërkoi që Bashkimi Evropian të marr një rol më aktiv dhe të shtjellojë politika të reja në raport me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu, vlerësoi se me ardhjen e Kaja Kallas, BE duhet të korrigjojë qasjen ndaj Kosovës dhe t’i heqë masat ndëshkuese.
“Tani është koha për një politikë më të drejtë në Ballkan dhe situata duhet të shfaqet si vijon:
BE-ja duhet të marrë një rol më aktiv dhe të balancuar në Ballkanin Perëndimor. Me ndryshimet e fundit në institucionet evropiane dhe me Kaja Kallas si përfaqësuese e lartë e politikës së jashtme të BE-së, ky është momenti i duhur për të korrigjuar qasjen ndaj Kosovës. Heqja e masave ndaj Kosovës do të ishte një hap i rëndësishëm për të treguar se BE-ja mbështet stabilitetin, sundimin e ligjit dhe integrimin evropian të vendeve që realisht ndajnë vlerat e saj.
Në vend që të vendosë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, BE-ja duhet të kërkojë llogari nga Serbia për rolin e saj destabilizues në rajon dhe për mospërputhjen e saj me vlerat dhe politikën evropiane. Vetëm përmes një qasjeje të tillë, BE-ja mund të tregojë se është e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe integrimit të rajonit në strukturat evropiane”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.