Së fundi, është shkaktuar një zhurmë e madhe mediatike, pas një deklarate të kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Limaj u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me çdo qeveri të ardhshme, nëse ky bashkëpunim është në interes të Kosovës.
Ai theksoi se për të, shërbimi ndaj vendit është mbi çdo ndasi politike dhe se do të kontribuojë në çdo formë për të mirën e Kosovës
Gjatë një interviste, Limaj kreu i Nismës refuzoi të vendosë “vija të kuqe” ndaj ndonjë partie për ndërtimin e qeverisë së re, duke deklaruar se është i hapur për diskutime për çështje me rëndësi nacionale.
“Unë jam i gatshëm t’i ndihmoj kryeministrit tim që i shërben vendit. Nëse kërkon ndihmën time për të mirën e Kosovës, jam i gatshëm ta ofroj. Gjithmonë – edhe nëse është Albin Kurti. Kur bëhet fjalë për çështje nacionale, unë gjithmonë kam qenë i përkushtuar”, ka thënë Limaj.
Ka mjaftuar ky pozicionim i Limajt, që të gjithë kundërshtarët politikë të kryeministrit Kurti, përfshi opozitën dhe analistë të ndryshë, të vërshojnë me kritika dhe sulme të ndryshme.
Kjo gatishmëri e Limajt, duket se do i prish planet e partive opozitare për të bërë një qeveri së bashku.
Por, pse gjithë ky sulm ndaj Limajt, kur nuk është hera e parë që partitë politike në Kosovë bashkëpunojnë ose lidhin marrëveshje koalicioni?
E për këtë temë, folën për “Bota sot” njohësit e çështjeve politike.
Zogaj: Gatishmëria e Limajt për koalicion me LVV është krejtësisht normale.
Së pari, Skënder Zogaj potencoi se deklarimi i Limajt është i hapur për koalicionin e LVV-së është legjitim dhe i vullnetit të lirë.
Madje, tha se kjo gjë është llogaritur mirë nga prizmi i interesave të Nismës.
“Partitë politike bëjnë garë zgjedhore për të marrë pjesën e tyre në pushtet. Rezultati në zgjedhje është masa e pjesës së kulaçit që u takon dhe, këtë pjesë partitë politike e menaxhojnë sipas interesit të tyre partiak! Kjo është e drejta sovrane e çdo subjekti partiak, prandaj, çdo lloj interpretimi jasht këtij vullneti është fjalë koti! Në saje të kësaj të drejte, deklarimi i kreut të Nismës, Fatmir Limaj, se është i hapur për një koalicion qeverisës me LVV, është qëndrim i vullnet të lirë dhe plotësisht legjitim, padyshim edhe i llogaritur mirë nga prizmi i interesave të Nismës”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Zogaj tha se kritikat ndaj Limajt nuk janë të arsyeshme, dhe vlerëson se opozita nuk ka pse të reagojë për këtë gjë.
“Kritikat gjaknxehta që po dëgjohen, nuk janë aspak të arsyeshme, sepse, koalicionet janë primesa të vullnetit demokratik, që janë bërë dhe duhet të bëhen vazhdimisht, sepse kjo është mënyra dhe forma më e drejtë qeverisëse! Opozita nuk ka pse reagon, sepse ajo vet, në të kaluarën ka bërë koalicione tmerrsisht të panatyrshme dhe jo parimore! Kështu që, gatishmëria e Limajt për koalicion me LVV është krejtësisht normale. Është punë tjetër nëse partive të tjera ky koalicion ua prish skenarët...
Prandaj, reagimet e mllefta kritike kundër Limajt janë plotësisht të padrejta, janë kalkulime të çoroditura, aspak demokratike, madje edhe shumë të dëmshme, për atmosferën politike të Kosovës, e cila është në tehun e rrezikut fati historik të lirisë dhe pavarësinë shtetërore”.
Ndër të tjera, ai shtoi se reagimet e partive politike janë shumë kalkulative.
“Jemi duke parë por nuk po dëshirojmë të besojmë që kemi stagnuar, dhe se perspektiva e vendit është në luhatje të rrezikshme!
Reagimet e të gjitha partive politike janë shumë kalkulative, ndërsa debatet nëpër të gjitha mediet janë tmerruese, absolutisht primitive, manifest dilerant i injorancës që llomotitë, flet e nuk dinë çka thotë, duke përhapur terr pafundësisht!” – përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
Qarri: Kryetari i Nismës, e ka të sigurt, që me Qeverinë Kurti, nëse nuk do të ndodhin tërmete politike,
Kurse, analisti politik, Gani Qarri, si fillim përmendi disa nga emrat që dështuan të marrin ulëse në Kuvend.
E në këtë pikë, potencoi faktin se AAK e Ramush Haradinajt s’do ta kalonte pragun pa ndihmën e Nismës.
“Mosvotimi i Pal Lekaj-t, madje edhe i Besnik Tahirit që ishte edhe udhëheqës i grupit parlamentar të AAK-së, Arben Gashit po ashtu, shef i grupit parlamentar të LDK-s dhe Driton Selmanajt-t, ish deputet i mbizhurmshëm i LDK-së, Xhavit Halitit e Ardian Kastratit të PDK-së, që ishin deputetët më prepotent në parlamentin e Kosovës, si dhe dështimi i rëndë i vet Ramush Haradinaj-t, i cili sikur mos ta kishte dhe Fatmir Limaj-n në koalicion, kësaj radhe do të binte nën pragun zgjedhor dhe shkonte në theqafje të parikuperueshme, votuesi dhe sovrani i këtij vendi, ka dëshmuar se nuk do nxitës konfliktesh dhe njerëz përçarës në parlament, gjë që duhet të vlejë edhe për partitë, si dhe u ka dhënë porosi të qartë të gjitha segmenteve pjesëmarrëse në Kuvend, se populli i Kosovës pret nga politikanët e të gjitha grupimeve, unitetin e tyre politik, në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, para sfidave që vendin tonë, e presin, në këtë mandat 4 vjeçar”.

Në këtë pikë, vlerësoi se Limaj e ka kuptuar mirë sinjalin se duheh të respektohet vullneti i shumicës votuese dhe u tregua ‘fer’ ku u shpreh hapur për koalicion me LVV-në.
“Prandaj duket se kreu i Nismës, Fatmir Limaj, e ka lexuar i pari dhe kuptuar mirë e në kohë optimale këtë sinjal, ndaj dhe me të drejtë ka bërë hapin e duhur duke respektuar vullnetin e shumicës së votuesve dhe treguar përkushtim "fer" e shprehur i hapur për një koalicion qeverisës me LVV-në, si partia që ka marrë numrin më të madh të votave në vend dhe ka të drejtën e formimit të Qeverisë së re.
Në anën tjetër kryetari i Nisma-së, e ka të sigurt, që me Qeverinë Kurti, nëse nuk do të ndodhin tërmete politike, për shkak të mospajtimeve për votimin e President-it/es, do të ngelet në pozitë për 4 vjet të plota dhe jo si me partitë opozitare, që pas 1.5, apo dy vitesh në pushtet, do të shkohet serish në zgjedhje të parakohëshme, nga të cilat mund ta humbas pozitën në pushtet dhe të mos e ketë më të sigurt, as kalimin e pragut zgjedhor, e lëre edhe ti ofrohen poste ministrore, në qeverinë e radhës”, shpejgoi ai.
Tutje, analisti shpjegoi se pse kundërshtarët e Kurtit, më saktë ata të opozitës, pse po reagojnë ashpër ndaj kësaj lëvizje politike të Limajt.
“Kurse reagimet e kundërshtarëve politik të Kurtit, nga opozita, vijnë për shkakun që deputet dhe argat të caktuar të këtyre partive, janë të vetëdijshëm, se në Qeverinë Kurti III, nuk do të ketë vend për të gjithë, që të shpërblehen me pozita ministrore, disa nga ata, janë nën llupin e dyshimit për grumbullim të pasurive të kundërligjshme dhe kërcënohen nga Byroja për konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme apo nuk mund të vazhdojnë me pasurimet e deritanishme të panatyrshme, ngase prokurorët dhe gjyqësia që i ka mbrojtur deri në këto momente, me futjen e Vetting-ut, do të bien bashkë me ta, nga pozita e njerëzve të paprekëshëm nga ligji, derisa njëkohësisht me rënien e tyre, edhe analistët e mekur politikë, do të ngelen pa financim dhe shitjen e përrallave të deritanishme imagjinative nëpër televizione e portale të oligarkive ende me posedues të pasqaruar e autorësi të pa shqyrtuara ligjërisht në mënyrë të paanshme”.
Në fund, përmendi edhe reagimet e analistëve dhe disa gazetarëve, të cilët dolën kundër idesë për një koalicion mes LVV dhe Nismës.
Ai shtoi se Limaj me gatishmërinë e shprehur për koalicion me LVV-në, po ua prish të gjitha llogaritë partive të inkriminuara.
“A pro-po analistëve politik, këto ditë më ra të shoh, në një televizion shqiptar, se si një banalist nga Peja përralliste me imagjinatën e tij të errët subversive, se nga 80 mijë e ca votues nga diaspora, llogaritet të jenë "dyqind mijë vota të falsifikuara", duke e lënë pa mend edhe gazetaren e cila iu kundërvu me habi; duke iu kundërvën hapur dhe thënë me plot mosbesim, se kjo shifër më duket e tepërt dhe absurde, nuk qëndron kjo që ju thoni... ndaj lufta e të dy palëve, e politikbërësve të dyshimtë dhe analistëve të aranzhuar politik, është luftë për mbijetesë, për të mos thënë edhe luftë për "jetë a vdekje" prej nga edhe buron gjithë kjo kritikë dhe mllef i pafund ndaj Limajt, kur dihet se nuk është hera e parë që partitë politike bashkëpunojnë dhe janë treguar të hapura për koalicione, siç ka pasur edhe në të kaluarën koalicione nga më të ndryshmet.
E mbi të tjera, arsyeja tjetër po aq e madhe është edhe fakti se Limaj me gatishmërinë e shprehur për koalicion me LVV-në, po ua prish të gjitha llogaritë partive të inkriminuara dhe qon në falimentim të gjithë "skenarët" e improvizuar të PDK, LDK e AAK, të cilave nuk mundën tu ndihmonin as ndërhyrjet e porositura nga Amerika të dylberit Grenell, vetëm dy-tre ditë para votimeve, që të arrinin të bindin votuesit largpamës të Kosovës, se ato janë partitë e duhura, për të formuar qeverinë e radhës, ndaj vrasja e tyre politike, kësaj radhe po u vije pikërisht prej njërit nga njerëzit që ato e kanë konsideruar "mashë" të tyre, me gatishmërinë e Limaj-t, për të bërë koalicion me LVV-në, gjë që vërtetë është, për të mos thënë vdekje, një goditje shumë e rëndë, madje nga më të rëndat për ta!” – përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.