Kush janë figurat e njohura politike që nuk do ta shkelin “pragun” e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit?

Politika

Kush janë figurat e njohura politike që nuk do ta shkelin “pragun” e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 shkurt 2025 Në ora: 14:15
Foto ilustrim

Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit ende nuk ka përfunduar. Megjithatë, duke u bazuar në rezultatet e numërimit të deritanishëm, shumë figura politike që kanë qenë për një kohë të gjatë në skenën politike, nga të gjitha partitë, nuk kanë arritur të fitojnë votat e mjaftueshme për t'u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Disa prej politikanëve dhe ish-deputetëve që me gjasë do të mbesin jashtë Kuvendit të Kosovës, por që kanë një bagazh të gjatë politik janë:

Nga VV: Ekrem Mustafa, Enver Dugolli, Enver Haliti, Fatmire Kollçaku, Gani Krasniqi, Hydajet Hyseni, Rozeta Hadari.

Nga PDK: Xhavit Haliti, Hajdar Beqa, Hisen Berisha, Isak Shabani, Ardian Kastrati, Eliza Hoxha.

Nga LDK: Arben Gashi, Drita Millaku, Vlora Dumoshi, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Valentina Bunjaku.

Nga AAK: Besnik Tahiri, Shemsedin Dreshaj.

Burjani: Faktorët që ndikuan në mbetjen jashtë të figurave publike në Kuvend

Për çështjen e mbetjes jashtë Kuvendit të Kosovës të figurave publike dhe ish-deputetëve, profesori dhe analisti politik Blerim Burjani në një bashkëbisedim për "Bota Sot" ka thënë se ka shumë faktorë që ndikojnë.

Ai ka treguar se pse nuk janë votuar disa kandidatë të LDK-së dhe PDK-së.

Image
Blerim Burjani

“Ka shumë faktorë, por disa nga më kryesorët janë, për shembull, në LDK, për vite të shumta kanë pasur poste deputetësh, andaj as partia e tyre nuk i ka votuar, për shkak se është fituar përshtypja në anëtarësinë se ata nuk i lirojnë pozitat asnjëherë. Dhe këtu ka qenë gabimi i madh: pozita e deputetit, ministër dhe poste të tjera nuk janë pozita profesionale, por janë mandate politike. Andaj, është fituar përshtypja se po kapen pozitat dhe të tjerët nuk kanë çfarë të bëjnë. E dyta është sjellja jo e mirë me degët dhe problemet e brendshme politike në PDK”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, gjendja është edhe më e keq në rastin e AAK-së.

“Në AAK gjendja është edhe më keq, ku kjo parti nga shumë njerëz brenda partisë e thonë se është parti familjare e Haradinajve. Po të mos ishte NISMA, AAK me 5%, mezi do ta kishte kaluar pragun, apo as pragun”, ka theksuar Burjani.

Gjithashtu, ai ka përmendur problemet të cilat i kanë pasur partitë opozitare në katër vjeçarin që e lamë pas.

 “Partitë opozitare kanë pasur probleme mjaft serioze për katër vjet, të cilat janë mësuar të kenë pushtet politik, e tash, katër vjet kanë mbetur jashtë çdo privilegji, siç është punësimi familjar apo partiak”, ka deklaruar profesori.

Po ashtu, ai ka folur edhe për partinë e cila ishte në pushtet gjatë mandatit të kaluar.

“As VV nuk i ka pasur punët mirë; pas katër vjetësh, rreth 10% të elektoratit e kanë humbur. Atje gjendja mund të jetë edhe më e keqe brenda strukturave”, ka shtuar ai.

Përveç tjerash, Burjani ka thënë se nuk është korrekte të jenë deputet për 5-6 mandate të njëjtët, dhe se nuk  i ka vetëm një parti me këto probleme, por gati të gjitha.

“Politika nuk duhet të kuptohet si profesion, sepse nuk është, por është mandat qytetar. Pra, faktorët janë mungesa e fleksibilitetit dhe jo reformës brenda partive. Pastaj, ikja e qytetarëve, këtë herë 39% deri diku kanë dalë, ose 40%. Rënia për 4-5% krahasuar me zgjedhjet e kaluara para katër vjetësh. Pastaj, ndërrimi i gjeneratave, pra gjenerata e re nuk pret për vite me marrë pozita politike.

Në parti, të gjithë anëtarësia vlerëson që përfitojnë diçka, jo siç e proklamojnë disa parti që thonë për shtetin, por nuk është korrekte të jenë deputet për 5-6 mandate të njëjtët, sepse kjo quhet kapje partiake. Pastaj, pakënaqësia e madhe me ata që i kanë prezantuar dhe përfaqësuar nëpër institucione.

Pastaj, pakënaqësia e madhe me ata që i kanë prezantuar dhe përfaqësuar nëpër institucione. Pra, faktorë ka shumë. Është tepruar. Nuk është vetëm një parti me këto probleme, por gati të gjitha, disa më shumë dhe disa më pak.

Pra, politika është shërbim – një mandat, dy mandate, por pa ndonjë rezultat as për qytetarin dhe as për partinë, nuk ka kuptim të zësh pozitën. Pra, janë grumbulluar pakënaqësi. Dikujt gjithmonë i jepet mundësia, ndërsa dikujt asnjëherë. Shumica e partive na i orientojnë votat për kë duhet të votojmë. Ky lobizëm apo marrëveshje e padrejtë bëhet nëpër degët e partive. Dhe pastaj, të gjithë janë kundër kësaj. Megjithatë, është tepruar kjo politikë”, ka thënë Burjani. 

Disa figura nuk arritën ta prekin pragun e kuvendit        

Opinionisti Dedë Preqi, një prononcim për “Bota sot”, ka folur për rolin e deputetit në Kuvend, duke vlerësuar edhe zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë.

Image
Dedë Preqi

“Rroli i deputetit është një rol i madh në jetën politike, përmes të cilit shfrytëzohen mundësit e shprehjes dhe kërkesave të popullit, të cilët flasin në emër të tyre në Kuvend, ku përgjegjësia e ndërgjegjes dhe përmbushjes së këtyre kërkesave të popullit bie në rolin e deputetit, i cili, apo e cila, ndërlidhet me punën dhe frytin që prodhojnë.

Do të ishte me rëndësi të cekim një zhvillim dhe shpjegim nga zgjedhjet e fundit që u zhvilluan në Kosovë, për zgjedhjen e kandidatëve në Kuvendin e Kosovës, dhe në këto rrethana u tregua një kulturë civilizuese e popullit tonë, me ç’ rast edhe nga vëzhguesit ndërkombëtar ka fjalë të mira dhe nuk përjashton mundësinë e një vetëdije dhe qytetërimi të këtij vendi”, ka  cilësuar ai.

Më tej, Preqi ka folur edhe për shumë figura të cilat nuk arritën të rikthehen në Kuvendin e Kosovës.

“Dhe mbas numërimit të shumicës së fletëvotimeve për kandidatë në Kuvendin e Kosovës, shumë figura që kanë qenë për një kohë të gjatë në skenën politike nga të gjitha partitë, këtë herë nuk kanë arritur të marrin votat e mjaftueshme, që të bëhen deputet të ardhshëm në Kuvend, me ç’ rast ekziston arsyeja, apo shkaku i një mos suksesi të mundshëm.

Ndonëse fati i disa figurave në këtë rast lidhet me votën e popullit edhe nëse ka prej tyre që e ka merituar ulësen në Kuvend, por fatkeqësisht kishte edhe disa figura të tilla, të cilat e kanë përbuzë Kuvendin, sidomos ata që me fjalorin e tyre të fëlliqur dhe të bastarduar, duke e fyer njëri-tjetrin, e kanë fyer dhe keqpërdorur edhe foltoren e Kuvendit, të cilët e kanë merituar ta përfundojnë këtë rrol të deputetit edhe më herët, kjo do të vlente për të gjitha partitë”, ka potencuar ai.

Tutje, Preqi ka përmendur edhe arsyet e mundshme nga të cilat politikanët nuk munden ta marrin besimin e votuesve.

“Prandaj, është vetë populli i cili do t`i vlerësonte dhe nënvlerësonte aktivitetet e politikanëve të vet, të cilëve ua ka besuar votën, dhe vjen një ditë përmes së cilës do ta shpërblejë te kutia e votimeve, aty ku e ka mundësinë përmes vullnetit të vet të godas dhe të mos flet…

Do të ishte edhe një arsye tjetër, që shumica e deputetëve të këtij Kuvendi, e kanë konsumuar rolin e tyre si politikan të vjetër dhe mosha e bënë të vetën, që nuk mundesh me dhënë apo me kontribuua më shumë, duke ua lëshuar vendin gjeneratave të reja, prej të cilave mund të pritët diçka më mirë dhe më shumë.

“Pothuaj se, në gjitha partitë janë bërë ndryshime, duke u freskuar me personalitete të reja, dhe në të njëjtën kohë me ardhjen e tyre do të plotësohet edhe vakumi nga një gjeneratë e vjetër me rinoren, që i plotëson kushtet e nevojshme intelektuale dhe profesionale, duke u bërë edhe më e fortë, ku edhe vëmendja e popullit do zhvendoset tek kjo ardhmëri të mbështetur në besim dhe fitore”, ka përfunduar Preqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat