Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se stabiliteti në Kosovë është në interes të të gjithëve dhe nuk sheh arsye të besojë që mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në aleancën ushtarake perëndimore.
Ai këto komente i bëri gjatë qëndrimit në Bratisllavë të Sllovakisë, kur u pyet në një debat me student se a e sheh mundësinë e rifillimit të konfliktit në Kosovë, pasi ka pasur thashetheme se politika e re amerikane mund të çojë deri te largimi i tyre ushtarak.
“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë, nga ajo çfarë unë po kuptoj nga sistemi amerikan është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave apo adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor duhet të jemi të sigurt që ne të mbajmë në fokus këtë rajon sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në interesin e të gjithë neve”, u përgjigj Rutte.
E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.
Fillimisht, ai u shpreh se Rutte me deklaratën e tij dha sinjalin kryesore se NATO vazhdon të jetë e përkushtuar për sigurinë në Kosovë, dhe se nuk do të ketë tërheqje të trupave amerikanë.

“Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, është një sinjal i qartë se angazhimi i SHBA-së dhe NATO-s për stabilitetin në Kosovë mbetet i pandryshuar. Ky prononcim vjen si një përgjigje ndaj spekulimeve për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova dhe, në thelb, i përgënjeshtron ato”.
Krahas kësaj, Gecaj zbërtheu mesazhin kryesor, ku potencoi faktin se siguria në Kosovë është interes strategjik për të gjithë rajonin e Ballkanit.
“Mesazhi kryesor është se NATO dhe SHBA e shohin sigurinë në Kosovë si një interes strategjik, jo vetëm për rajonin, por edhe për sigurinë euroatlantike në përgjithësi. Rutte nënvizon se nuk ka ndonjë indikacion për një ndryshim dramatik në përkushtimin amerikan ndaj NATO-s, gjë që sugjeron se prania ushtarake e SHBA-së në Kosovë do të vazhdojë të mbetet një prioritet”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, eksperti i sigurisë përmendi edhe tensionet në rajon dhe ndikimin e Rusisë, ku duke parë këto zhvillime shtoi se Rutte veçse konfirmoi mbështetjen amerikane për Kosovën.
“Në një kohë kur tensionet në Ballkanin Perëndimor janë ende prezente dhe ndikimi rus në rajon është një faktor destabilizues, NATO ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e një pranie të fuqishme ushtarake për të garantuar sigurinë. Prandaj, kjo deklaratë duhet parë si një konfirmim i vazhdimësisë së mbështetjes amerikane për Kosovën dhe jo si një shenjë e ndonjë tërheqjeje të mundshme”, përfundoi Hysen Gecaj për “Bota sot”.
Kujtojmë se, NATO ka mision paqeruajtës në Kosovë që nga përfundimi i luftës. Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë mbi 4.600 trupa nga 28 vende të botës që janë të dislokuar në Kosovë. Numri më i madh i tyre është nga Italia, pasuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia.