Pritjet nga përfaqësimi i Sorensen në dialog/ Komentohet deklarata e Petritsch – analistët paralajmërojnë zhvillime pozitive!

Politika

Pritjet nga përfaqësimi i Sorensen në dialog/ Komentohet deklarata e Petritsch – analistët paralajmërojnë zhvillime pozitive!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 shkurt 2025 Në ora: 17:57
Peter Sorensen

 

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e konfirmuan emrin e  politikanit danez, Peter Sorensen, si përfaqësues special i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. 

Sorensen i cili filloi detyrën me 1 shkurt zëvendësoi politikanin sllovak, Miroslav Lajçak, i  cili shërbeu në këtë post për pesë vjet me radhë.

Politikani nga Danimarka, Peter Sorensen, u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.

E në lidhje me përfaqësimin e tij ka folur diplomati Wolfgang Petritsch.

Ai tha se se emisari i ri për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen është “ndërmjetës serioz”, por që për të pasur sukses në këtë pozitë, ka nevojë për mbështetjen e fuqishme nga Brukseli, por edhe nga Berlini e Parisi.

Austriaku, i cili ishte i dërguari special i BE-së për Kosovën në fund të viteve ’90, do të donte një qeveri shumëpartiake në Kosovë, me komunitetin serb të përfshirë.

“Unë e njoh personalisht Sorensen, mendoj se është një diplomat me shumë përvojë. Sigurisht, njohja e ‘gjuhës sonë’ nuk është forca e tij, siç ishte rasti me Miroslav Lajçak. Por unë besoj se Sorensen është një ndërmjetës serioz. Megjithatë, ai ka nevojë për mbështetje të plotë politike nga Brukseli, por edhe nga qytetet kryesore, si Berlini dhe Parisi”, tha Petritsch në një intervistë.

Ai beson se Lajçakut i mungonte pikërisht kjo – mbështetja reale politike e përfaqësuesit të lartë, paraardhësit të Kaja Kallas, Josep Borrell.

Duke u nisur nga serioziteti i Sorensen dhe dekarata e Petritsch a mund të kemi zhvillime pozitive në dialogun Kosovë-Serbi?

Jakupi: Një risi në këtë përzgjedhje do jetë fakti se Sorensen pritet të jetë vetëm i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi dhe nuk do të ketë angazhime të tjera

Image
Zejnullah Jakupi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Zejnullah Jakupi.

Ai përmend përvojen e gjerë diplomatike të Sorensen duke u shprehur që bazuar në këto përvoja ai mund të ketë sukses në dialogun Kosovë-Serbi.

Diplomati Z. Sorensen nga Danimarka, i cili ka përvojë të gjerë diplomatike në strukturat e BE-së dhe natyrisht aktualisht është Këshilltar i Lartë në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) për Diplomacinë Dixhitale, mund të ketë sukses për sa do të ketë edhe përkrahje nga BE dhe nga z. Kallas. Pra, z. Sorensen nuk është i pa përvojë në këtë drejtim, e njeh edhe mentalitetin ballkanik sepse gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, ka shërbyer në disa detyra në Ballkanin Perëndimor ku ai ishte Përfaqësuesi Special i BE-së për Bosnje dhe Hercegovinën dhe Shef i Zyrës së BE-së në Sarajevë.

Gjithashtu ka qenë edhe kryetar i delegacionit të bllokut evropian në Shkup dhe natyrisht, Sorensen ka punuar më parë si këshilltar në Kosovë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe ishte gjithashtu Përfaqësues Special i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në Serbi dhe madje edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci. Përvoja e tij nga rajoni ka qenë me siguri një nga argumentet pse Kaja Kalas vendosi ta bënte atë pasardhës të Lajčákut”, u shpreh ai.

Më tej, Jakupi thekson që e veçanta e përzgjedhjes së Sorensen është që do të merret vetëm me dialogun dhe nuk do të jetë i angazhuar në çështje tjera.

“Një risi në këtë përzgjedhje do jetë fakti se Sorensen pritet të jetë vetëm i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi dhe nuk do të ketë angazhime të tjera lidhur me Ballkanin Perëndimor, siç kishte paraardhësi i tij Lajçak.

Pra, akoma nuk kemi arritur që në misionet e tyre të përzgjidhen personalitete me përvoje diplomatike te jete me origjinë nga Ballkani, me siguri do të ishte më progresive.  Por gjithsesi do duhet të kishte nga ana e SHBA-ve, pse të mos kishte marrë këtu një rol edhe Richard Grenell kur ka ndikim në dy palët si tek kosovarët por edhe tek serbë dhe tek presidenti serb Vuçiq”, thotë analisti.

Ndër të tjera ai nënvizon që pa intensifikimin nga SHBA eshte vështirë të zbatohen në terren.

“Pra, nëse nuk merren parasysh kritikat e zëvendës presidentit amerikan z. J.D. Vence besoj se suksesi i diplomatit danez nuk do të shihte frutat nëse në këtë dialog, jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare, mendoj se pa intensifikimin nga SHBA eshte vështirë të zbatohen në terren”, foli për “Bota sot”, analisti Jakup Zejnullahu.

Haziri: Pritjet janë realiste duke pasur parasyshë edhe përvojen e z.Sorensen dhe mbështetjen që do ta ketë nga Brukseli në bashkëpunim edhe me z Kaja Kallas

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa analisti tjetër politik, Nexhat Haziri, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, vlerëson deklaratën e Petritsch duke thënë që tregon një realitet në dinamikën e procesit të dialogut.

Sipas tij, pritjet janë realiste duke parë edhe përvojën e Sorensen.

“Deklarata e ish-emisarit special për Kosovën Ëolfgang Petritsch është realiste, pasi ekziston një pritje e përgjithshme në opinion se i emëruari i ri BE-së si emisar për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen do t’i jap një tjetër dinamikë këtij procesi të tejzgjatur dhe pa ndonjë rezultat konkret në normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Pra pritjet janë realiste duke pasur parasysh edhe përvojën e z.Sorensen dhe mbështetjen që do ta ketë nga Brukseli në bashkëpunim edhe me z Kaja Kallas, pritet të ketë rezultate konkrete dhe të prekshme në dialogun Kosovë-Serbi, ku natyrisht palëve do t'iu bëhet presion edhe duke përdorur mekanizmin e anëtarësimit të tyre në bllokun evropian”, thotë ai

Në bisedë e sipër analisti përmend edhe përfaqësimin e Borrell dhe Lajçak duke potencuar anëshmërinë e tyre në procesin e dialogut.

“Është shumë me rëndësi për Kosovën, por edhe për procesin në përgjithësi fakti se Kallas dhe Sorensen janë përfaqësues të BE-së që vinë nga shtete që e kanë njohur Kosovën dhe kjo garanton një paanshmëri të tyre si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi, pasi në të kaluarën dyshja e BE- Borell dhe Lajçak që vinin nga shtete mos njohëse të shtetit të Kosovës, jo rrallë herë kanë shfaqur një anshmëri dhe përkrahje për kërkesat e Beogradit zyrtar, gjë që e kanë dëmtuar edhe vet procesin e dialogut, dhe si pasojë tashmë kemi një proces të ngrirë dhe pa një interesim të palëve për compromise”, foli analisti.

Në fund, ai nënvizon që me Sorensen edhe Kosova duhet të jetë e përgatitur dhe e gatshme që po ashtu kërkon një qasje të re në raport me dialogun me Serbinë.

Kjo nuk do të ndodhë me ndërmjetësin e ri Peter Sorensen dhe Kosova duhet të jetë e përgatitur dhe e gatshme që po ashtu kërkon një qasje të re në raport me dialogun me Serbinë, në mënyrë që ky proces të jetë pozitiv dhe të përmbyllet në afat sa më të shpejtë, e që është në interes të Kosovës”, përfundoi analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat