Pse disa figura të fuqishme nuk arritën të fitojnë besimin e qytetarëve?

Politika

Pse disa figura të fuqishme nuk arritën të fitojnë besimin e qytetarëve?

Nga: A.M. Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 20:08
Ilustrim

Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet më 9 shkurt, ku shumë figura të fuqishme politike dështuan të fitojnë besimin e qytetarëve për të u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim për "Bota sot" ka përmendur disa emra të cilët kanë mbetur jashtë Kuvendit.

 “Është e natyrshme që disa figura janë konsumuar, prandaj nuk e kanë marrë votën me meritë nga qytetarët. P.sh., Xhavit Haliti dhe Driton Selmanaj, që realisht janë përgjegjës, fatkeqësisht janë disa nga ata që kanë arritur të bëhen deputetë. Ta zëmë, Lutfi Haziri, Arben Gashi, dhe Avdullah Hoti, ata janë përgjegjës për degradimin e LDK-së. Por ata tre e patën fatin më të mirë për shkak të listës që ishin, dhe ishin ndër të parët që shkuan, pasi njerëzit zakonisht i votojnë ata që janë të parët në listë.

P.sh., Driton Selmanaj, me meritë, nuk do të jetë deputet i ardhshëm. Xhavit Haliti, Pal Lekaj, i përmendur për rastin e Behctel Enka, dhe të tjerë që janë konsumuar dhe janë të përflitur, janë të sigurt që nuk kanë dhënë diçka të mirë kur u ka ardhur mundësia, dhe kanë keqpërdorur pushtetin në sy të qytetarëve. Kështu është parë, edhe pse nuk ka ndonjë vendim gjykate që tregon se ata kanë keqpërdorur pushtetin, ashtu janë parë nga qytetarët dhe kanë vepruar kundër vullnetit të votuesve, prandaj edhe i kanë kthyer shpinën”, ka thënë ai.

Po ashtu, Mehmeti ka një mesazh të qartë për deputetët e rinj, duke theksuar se gjenerata e re nuk i voton më ata që kanë kaluar 20 vjet në pushtet dhe nuk kanë më asgjë për të kontribuar.

“Kjo është edhe një mesazh për deputetët e rinj: mos bëni gabime kundër vullnetit qytetar, mos dalni kundër linjës që keni, përndryshe do ta merrni përsëri dënimin e merituar. Mendoj se këto zgjedhje kanë pastruar disa, por fatkeqësisht kanë mbetur disa pa u pastruar, që do të duhej të ishin dënuar, pasi janë konsumuar në rend të parë dhe nuk kanë bërë diçka të mirë për qytetarët kur kanë qenë në pushtet.                       

Natyrisht, ndryshimi i gjeneratave e bën të vetën. Gjenerata e re nuk i voton më njerëzit që janë 20 vjet në pushtet dhe nuk kanë çfarë të japin. Politika është shumë e shterruse, madje mund të thuhet se është konsumuar. Është mirë që politika të ketë një kufi dhe të mos jetë përjetësisht, por të jetë një fazë e përkohshme, ku fillimisht kërkon besimin e qytetarëve dhe, në rast se e merr, e zbaton atë për të realizuar premtimet që i ke dhënë për të mirën e qytetarëve”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat