Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli në lidhje me kërcënimet që marrin Ukraina dhe Kosova, nga shtetet fqinje Rusia e Serbia.
Në këtë pikë, theksoi rëndësinë e anëtarësimit të dy shteteve në NATO, pasi siguria e tyre ndikon në stabilitetin e Evropës.
“Ka ngjashmëri të qarta mes Ukrainës dhe Kosovës. Ne të dy luftojmë kundër fqinjëve agresivë dhe e kuptojmë rëndësinë e anëtarësimit në NATO dhe BE. Sa i përket NATO-s dhe BE-së, si Ukraina ashtu edhe Kosova duhen mirëpritur, pasi siguria e tyre ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e Evropës”.
Krahas kësaj, deputeti ukrainas foli edhe për lidhjet Serbi-Rusi, si dhe kërcënimet e vazhdueshme për desabilitet në Ballkan.
Madje, ai nuk përjashtoi mundësinë e konflikteve të reja në rajonin tonë, e që për këtë kishte një thirrje për ndërkombëtarët.
“Absolutisht. Rusia ka një interes të madh në krijimin e destabilitetit në Ballkan. Serbia, duke parë se çfarë po bën Rusia në Ukrainë, mund të përdorë edhe veprime agresive. Fatkeqësisht, vitet e ardhshme mund të jenë të mbushura me konflikte dhe Ballkani mund të mos jetë përjashtim. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta marrë seriozisht këtë kërcënim dhe të veprojë në mënyrë proaktive për të parandaluar një luftë të madhe”, përfundoi Oleksiy Goncharenko për “Bota sot’.