Këta janë deputetët e rinj të zgjedhur më 9 shkurt, por a priten ndryshime nga ”fryma e re” në Kuvend?

Politika

Këta janë deputetët e rinj të zgjedhur më 9 shkurt, por a priten ndryshime nga ”fryma e re” në Kuvend?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 25 shkurt 2025 Në ora: 08:00
Kuvendi i Kosovës

Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit ende nuk ka përfunduar, por ndryshime mjaft të dukshme në përbërjen e Kuvendit, siç duket do të ketë.

Zgjedhjet e 9 shkurtit sollën ndryshime në përbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe grupeve parlamentare të partive politike. Kjo pasi shumë nga deputetët e “vjetër”, u zëvendësuan nga ata të “rinjë”.

Disa prej politikanëve të rinj që me gjasë do t’i bashkohen Kuvendit të Kosovës janë:

Nga VV: Edona Llalloshi, Drita Pajaziti, Bylbyl Sokoli, Nezir Kraki, Valon Hoti, Liza Gashi, Agim Bahtiri, Ilir Kërçeli, Agon Dobruna, Vigan Qorrolli etj. 

Nga LDK: Fadil Hadergjonaj, Jehona Lushaku Sadriu, Gazmend Muhaxheri, Krenar Xhaferi, Shkëmb Manaj, Paris Guri,  Sadri Berisha, Arjeta Abazi etj.

Nga PDK: Vlora Çitaku, Sala Jashari, Jakup Nura, Rrahman Rama, Artan Behrami, Betim Gjoshi, Fadil Demaku, Altin Krasniqi etj.

Se a do t’i sjellin një frymë të re Kuvendit, kjo mbetet të shihet.

Millaku: Çdo figurë e re sjell një freskim, si për partitë politike, ashtu edhe për Kuvendin e Kosovës.

Ish-kandidatja prë deputete në radhët e LDK-së, Drita Millaku në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se ende nuk ka rezultat final sa i përket deputetëve të zgjedhur duke potencuar se ka pasur raste kur votat nga diaspora kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përfundimin e këtij procesi.

Image
Ish-kandidatja prë deputete në radhët e LDK-së, Drita Millaku

“Duke pasur parasysh se ende nuk kemi një version zyrtar nga KQZ lidhur me procesin e numërimit dhe shpalljen e rezultateve, mendoj se duhet të presim edhe numërimin përfundimtar të votave me kusht dhe votave nga diaspora. Kemi pasur raste në të kaluarën ku votat e diasporës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përfundimin e këtij procesi”, thotë ajo.

Derisa, për figurat e reja që do të ulen në kuvend si delegatë, ajo thotë se çdo figurë e re sjell një freskim, si për partitë politike, ashtu edhe për Kuvendin e Kosovës.

“Nga informatat që kam marrë nga mediat, kam parë emra të rinj që kanë arritur të sigurojnë një numër të konsiderueshëm votash për të qenë pjesë e kësaj legjislature. Natyrisht, çdo figurë e re sjell një freskim, si për partitë politike, ashtu edhe për Kuvendin e Kosovës.

Të gjithë ata që kanë arritur të sigurojnë numrin e mjaftueshëm të votave, u uroj suksese në legjislaturën e ardhshme”, përfundon ajo.

Pantina: Me rëndësi tani për tani është si do duket Qeveria e ardhshme dhe çfarë programi, me çfarë prioritetesh do prezantohet

Kurse, analistja Shqipe Pantina thotë se figurat e reja nuk garatojnë se do të kemi Kuvend më cilësor, duke shtuar se puna e tyre mbetet për t’u parë sepse ka shumë faktorë që ndikojnë në punën e deputetëve.

Image
Shqipe Pantina

“Ndonëse ka emra të rinjë që janë bërë pjesë e Parlamentit kjo në vete nuk garanton se do të kemi Parlament më cilësor në këtë legjislaturë krahasuar në ato të mëhershmet. Disa nga emrat e rinjë padyshim se kanë përgatitje edhe profesionale edhe politike dhe padyshim sjell një freski, por puna e tyre në Kuvend mbetet për t’u parë sepse ka shumë faktorë që ndikojnë në punën e deputetëve.

Çka është me rëndësi tani për tani është si do duket Qeveria e ardhshme dhe çfarë programi, me çfarë prioritetesh do prezantohet”, përfundon ajo për “Bota sot”.

Kujtojmë, se këta janë disa prej politikanëve dhe ish-deputetëve që me gjasë do të mbesin jashtë Kuvendit të Kosovës, por që kanë një bagazh të gjatë politik janë:

Nga VV: Ekrem Mustafa, Enver Dugolli, Enver Haliti, Fatmire Kollçaku, Gani Krasniqi, Hydajet Hyseni, Rozeta Hajdari.

Nga PDK: Xhavit Haliti, Hajdar Beqa, Hisen Berisha, Isak Shabani, Ardian Kastrati, Eliza Hoxha.

Nga LDK: Arben Gashi, Drita Millaku, Vlora Dumoshi, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Valentina Bunjaku.

Nga AAK: Besnik Tahiri, Shemsedin Dreshaj etj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat