Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, konkretisht në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është marrë vendim që të pranohen në prova materiale dëshmitë e 9 dëshmitarëve me shkrim ashtu siç parashihen sipas rregullës 153.
Kjo u bë e ditur përmes konferencës javore nga zëdhënësi i DSK-së, Michael Doyle i cili tregoi se vendimi është marrë me 14 shkurt pasi ZPS-ja kishte kërkuar pranimin me shkrim të dëshmive të dhjetë dëshmitarëve.
Kjo rregull parasheh pranimin me shkrim të dëshmive të dëshmitarëve pa pasur nevojë të paraqiten në sallën e gjyqit në qoftë se dëshmitari nuk ka për të folur konkretisht lidhur me veprimet dhe sjelljen kriminale të të akuzuarve.
Sipas Doyle, mbrojtja nuk e kishte kundërshtuar pranimin e shtatë dëshmive por me disa kushte të cilat i ZPS i pranoi.
Ndërsa, për tri dëshmitë e tjera, Doyle tregoi se gjyqtari ka hedhur poshtë një dëshmi, pranoi të dytën ndërsa të tretën e pranoi me disa kushte.
Kurse, më 18 shkurt është hedhur poshtë një kërkesë e mbrojtjes së Thaçit që gjykata të detyrojnë Prokurorinë të thërras dy dëshmitarë për të cilët kjo e fundit kishte kërkuar që t’i hiqte nga lista e dëshmitarëve të vetë në shtator të vitit të kaluar.
Mirëpo, si pritet të rrjedhë ky proces në Hagë, pas pranimit të dëshmive të fundit.
E për këtë çështje folën njohësit e çështjeve juridike.
Bajraktari: Kjo besoj se do të ndikoi në shkurtimin e procedurave dhe procesit
Fillimisht, në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Ardian Bajraktari.
Ai pret që këto vendime do ndikojnë në shkurtimin e procesit që po zhvillohet në Hagë.

“Kjo besoj se do të ndikoi në shkurtimin e procedurave dhe rrjedhimisht përfundimin e këtij procesi të stërzgjatur.
Përfundimi i dëshmitarëve të prokurorisë pasohet me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Zyra për Mbrojtje të Viktimave, si dhe dëshmitarët e propozuar nga pala mbrojtëse e ish krerëve të UÇK-së”.
Po ashtu, ai shpresh që një vendim në shkallë të parë në lidhje me këtë proces, më merret brenda këtij viti.
“Vlen të theksohet se pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarëve të prokurorisë dhe eventualisht të Zyrës për Mbrojtje të Voktimave, nuk ka asnjë rrethanë e cila mund ta arsyetoi vazhdimi i masës së paraburgimit për ish krerër e UÇK-së, si masa më e ashpër për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Shpresoj se brenda këtij viti do të kemi verdiktin e gjykatës në shkallë të parë lidhur me këtë proces, e shpallja e tyre të pafajshëm, është epilogu real dhe i duhur”, përmbylli Ardian Bajraktari.
Musliu: Pas përfundimit të prezentimit të dëshmive nga Prokuroria Speciale, vjen faza e dëshmitarëve të mbrojtjes
Kurse, edhe juristi nga Belgjika, Skënder Musliu në prononcimin e tij për “Bota sot” deklaroi se procesi tani është në fazën përfundimtare.
Ai përmendi akuzat me të cilat ngarkohen të akuzuarit.

“Pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara, që nga nëntori i vitit 2020, H.Thaçi, K. Veseli, J. Krasniqi dhe R. Selimi, gjinden në paraburgim në Hagë, nën akuzën se të katër të akuzuarit dhe anëtarë tjerë të UÇK-së, përmes frikësimit, ushtrimit të dhunës, burgosjeve arbitrare, keqtrajtimeve dhe eliliminimeve të kundërshtarëve, t’a ushtrojnë kontrollin në gjithë Kosovën. Bëhet fjalë për akuza që kualifikohen si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për çka të akuzuarit në fjalë, që nga fillimi i procesit gjyqësor janë deklaruar si të pafajshëm.
Edhe përkundër kërkesave suksesive, që të akuzuarit të mbrohen në liri, atyre nuk iu mundësua kjo, nga shkaku se, përveç tjerash, drejtësia e Kosovës ishte e kapur nga politikanët, të akuzuarit do të mund të ndikonin tek dëshmitarët dhe do të mund t’i iknin drejtësisë.
Edhe përkundër kritikave nga Shoqatat e dala nga lufta dhe partive politike nga krahu i luftës se procesi po stërgjatet dhe se nuk është transparent, procesi gjyqësor filloi në Prill të vitit 2023 dhe tani gjendet në fazën përfundimtare të nxjerrjes së provave dhe prezentimit të dëshmive dhe dëshmitarëve të fundit nga Prokuroria Speciale”.
Krahas kësaj, juristi foli edhe mbi ndjeshmërinë e këtij procesi gjyqësor dhe masat që ka ndërmarrë Specialja në lidhje me mbrojtjen e dëshmitarëve.
“Duke pasur parasysh kompleksitetin, rëndësinë, sensivitetin e procesit gjyqësor, ndjeshmërinë e opinionit vendor dhe pritshmëritë e faktorit ndërkombëtar, mund të them se, ky proces nuk është stërgjatur dhe nuk ka qenë aq jotransparent siç mendohet, dhe kur kësaj ia shtojmë faktin se, ndërhyrjet dhe pengimi në administrimin e drejtësisë kanë qenë brutale dhe flagrante, atëherë mendoj se është një proces relativisht korrekt. Pikërisht frika nga ndërhyrjet në procesin gjyqësor, kanë ndikuar të ketë seanca të mbyllura për publikun, dëshmi dhe dokumente të redaktuara, dëshmitar të koduar, dëshmitar që kanë dezistuar të dëshmojnë...
Prandaj, masat që i ka ndërmarrë Gjykata Speciale, tregojnë se, kujdes të veçantë i është kushtuar mbrojtjes dhe sigurisë së dëshmitarëve dhe familiarëve të tyre, sepse gjatë kohës kur të akuzuarit ishin në pushtet, ka pasur frikësime, shantazhe, keqtrajtime deri në likuidimin e dëshmitarëve, për çka Prokuroria Speciale është në dijeni”, nënvizpi Musliu.
Tutje, ai potencoi se pas përfundimit të dëshmive, vjen faza e dëshmitarëve të mbrojtjes, ku i kanë të gjitha mundësitë që përmes provave dhe dëshmitarëve t’a vërtetojnë pafajësinë e tyre.
“Prokuroria Speciale njoftoi se, me 2 prill do të dëshmojë dëshmitari i fundit, kurse 4 prilli është data e fundit kur definitivisht përmbyllen dëshmitë, kurse deri me 15 prill 2025 Prokuroria Speciale do t’i dorëzojë mocionet e fundit me shkrim, fotografitë, videot dhe provat tjera, që trupi gjykues do t’i vlerësojë gjatë marrjes së vendimit përfundimtar.
Po ashtu, me propozim të Prokurorisë Speciale, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, me 14 Shkurt 2025, konform rregullës 153, kanë marrë vendim t’i pranojnë si prova materiale dëshmitë me shkrim të 9 dëshmitarëve, për çka mbrojtja pas disa vërejtjeve është dakorduar, e që po ashtu kontribuon në shkurtimin e kohëzgjatjes së procesit gjyqësor.
Pas përfundimit të prezentimit të dëshmive nga Prokuroria Speciale, vjen faza e dëshmitarëve të mbrojtjes, respektivisht ekipet e avokatëve të katër të akuzuarve do t’i paraqesin provat dhe dëshmitarët e tyre, dhe mvarësisht nga numri i dëshmitarëve, procesi gjyqësor mund të zgjasë mbase edhe për disa muaj. Meqenë se të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, ata në këtë fazë i kanë të gjitha mundësitë që përmes provave dhe dëshmitarëve t’a vërtetojnë pafajësinë e tyre. Pas mbylljes edhe të kësaj faze, Trupi Gjykues, pas vlerësimit të të gjitha materialeve, dëshmive dhe provave të Prokurorisë Speciale dhe mbrojtjes, merr Aktgjykim, i cili mund të jetë fajësues ose shfajësues, dhe këtu mbaron gjykimi në shkallën e parë”.
Në fund, juristi nga Belgjika shtoi se aktgjykimi mbi këtë rast mund të merret në fillim të vitit 2026.
“Mirëpo, me kaq nuk merr fund procesi gjyqësor, mbase procedurat do të vazhdojnë, sepse nëse aktgjykimi është fajësues, të akuzuarit përmes avokatëve sigurisht se do të ushtrojnë ankesë, ose nëse aktgjykimi është shfajsues, atëherë Prokuroria do të ushtrojë ankesë, dhe kështu mund të shkojë në Appel, Supreme deri në Gjykatën Kushtetuese, deri sa të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike respektivisht aktgjykimi t’a merr formës e prerë, që do të merr kohë të konsiderueshme.
Sa i takon aktgjykimit në shkallën e parë, konsideroj se ai mund të merret në pjesën e parë të vitit 2026”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.