Qarri ka një mesazh për Fatmir Limajn dhe koalicionin me VV-në: Ik nga Ramush Haradinaj nëse...

Politika

Qarri ka një mesazh për Fatmir Limajn dhe koalicionin me VV-në: Ik nga Ramush Haradinaj nëse...

Nga: P. R. Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 12:01
Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, thotë së humbësi më i madh në zgjedhjet e 9 shkurtit, padyshim që është lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Madje sipas tij, po mos të ishte në koalicion me Nismën Socialdemokrate, AAK nuk do ta kalonte as pragun zgjedhor.

“Madje, po të mos ishte futur në koalicion me Fatmir Limajn, ai përfundimisht, do të shkonte edhe në theqafjen e merituar politike, për të mos u kthyer më kurrë në politikë as Kuvendin e shenjtë të Republikës së Kosovës. Mosvotimi i Pal Lekaj-t, e veçanërisht i pallavragjisë së bezdisshëm Besnik Tahiri që ishte edhe udhëheqës i grupit parlamentar të AAK-së, Xhavit Halitit, Ardian Kastrati, Hajdar Beçës të PDK-së, që përveç prepotencës politike ishin edhe nxitës skandaloz të urrejtjes dhe shkaktar të përleshjeve fizike edhe në parlamentin e Kosovës, si dhe dështimi i rëndë i vet Ramush Haradinaj-t, i cili fjalinë e parë në fushatë e kishte formimin e “zajednicës”, votuesi dhe sovrani i këtij vendi, dëshmoi publikisht se nuk toleron renegat, nxitës të urrejtjes e përçarës politik në Kuvendin e shtetit tonë, shembull shumë domethënës, që e njëjta mund tu ndodhë edhe partive politike në zgjedhjet e ardhshme”, shprehet Qarri për “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

Siç thotë Qarri, Limaj tashmë e ka kuptuar se duhet të ik nga koalicioni me Haradinajn.

“Votimet e 9 shkurtit, ishin një porosi e qartë e votuesit, dërguar të gjitha partive në Kuvend, se populli i Kosovës pret nga politikanët e të gjitha grupimeve, unitetin e tyre politik, në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës dhe këtë duket se Fatmir Limaj, e ka lexuar i pari dhe kuptuar mirë e në kohë optimale, ndaj dhe bënë mirë që të ikë sa më parë, nga hija e dyshimtë e Ramush Haradinajt dhe ombrella e shqyer e AAK-së, që Limajn do ta linte të lagur e të bërë qull, në çdo formë e mënyrë, njëjtë siç e tradhtoi Ramushi edhe Kosovën, duke ia hequr padrejtësisht edhe Kullën e Çakorrin.... E sikur mos të kishte mjaftuar shitja apo falja e Kullës dhe Çakorrit me 8200 hektar tokë autoktone të Kosovës, Malit të Zi, Ramushi fjali të parë gjatë gjithë fushatës kishte formimin e “zajednicës” kundërkushtetuese një etnike serbe, ndaj me shumë të drejtë, Limaj ka bërë hapin e duhur, ngase ati votat nuk ia fali as siguroi Haradinaj me sllooganin për formimin e "zajednicës"serbe, por votuesi i Kosovës dhe Limaj vetëm po respekton vullnetin e shumicës së votuesve të vendit duke u shprehur i hapur për një koalicion qeverisës me LVV-në, e cila nga votuesit shqiptar, ka marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re”, shton analisti Qarri.

Më tej, Qarri thotë se Limaj dhe Nisma vetëm me një koalicion zgjedhor me Vetëvendosjen do ta kenë të sigurte mbijetesën në skenën politike.

“Limaj vetëm me VV-në e ka të sigurt një post zyrtar në mandat të plotë, nëse nuk do të ndodhin lëvizje të reja politike, me rastin votimin e President-it/es, përndryshe ai e di mirë se me Haradinajn dhe musketarët e PDK-së, pas 1.5, apo dy vitesh në pushtet, do të shkohet serish në zgjedhje të parakohshme, me ç`rast, përveçse do ta humbas pozitën, ai nuk do ta ketë më të sigurt, as kalimin e pragut zgjedhor, e të mos flasim këtu edhe për poste ministrore, që ndoshta nuk do t`ia ofronte askush në qeverinë e radhës”.

“Kështu që Limaj, jo vetëm se nuk e ka tradhtuar as nuk po e tradhton Haradinajn, ngase kishte vetëm një koalicion parazgjedhor dhe nuk kishte vendosur kurorë martesore me Ramush Haradinajn, por ai u tregua edhe shpëtimtari i Haradinajt, se po të mos ishte Limaj, edhe vet Haradinaj nga 9 shkurti, do tu kishte hipur, skijave dhe tani mund të ishte në Kopaonik apo ndonjë vend tjetër në Serbi, duke vajtuar bashkë me Millan Radojçiqit për pamundësinë e krijimit të “zajednicës” të cilën gjatë gjithë fushatës parazgjedhore ia ka premtuar Vuçiqit dhe Millan Radojçiqit, jaraninë e vjetër me të cilin, duket se as pas rrëshqitjes marramendëse dhe rënies me theqafje në opozitë, ende nuk e ka harruar as përfunduar”, përfundon analisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Gani Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat