Zhvillimet gjeopolitike dhe siguria në Kosovë – flasin ekspertët

Politika

Zhvillimet gjeopolitike dhe siguria në Kosovë – flasin ekspertët

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 shkurt 2025 Në ora: 16:03
Foto ilustrim

Gjeopolitika botërore po përballet me ndryshime të shumta, të cilat kryesisht po përfshijnë aspektet e sigurisë, luftërat dhe konfliktet e ndryshme.

Kësisoj, një raport tjetër me tensione dhe provokime të vazhdueshme është ai ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku kjo e fundit shpesh merr vendime dhe bën deklarata kërcënuese.

Vlen të theksohet se, shteti serb po vazhdon të përforcohet me armatim.

Madje, kohë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, njoftoi se Beogradi do të përshpejtonte armatosjen e tij.

Serbia do të shpenzojë më shumë për armatim se kurrë më parë, premtoi Vuçiq, duke paralajmëruar dy paketa të tjera me vlerë mbi gjysmë miliardë euro, përveç buxhetit vjetor të mbrojtjes prej 360 milionë eurosh.

E në lidhje me atë se a është e kërcënuar Kosova nga kjo armatosje e Serbisë, apo se si duhet të veprohet nga qeveria e re, folën ekspertët.

Bilalli: 10 fakte se çka duhet të ndërmarrim

Eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bialli në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli në lidhje me atë se si duhet të veprojë Kosova në raport me ndryshimet gjeostrategjike.

“Ç’të bëj Kosova në vorbullën e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike dhe gjeostrategjike!

"Realitetet e qarta strategjike e bëjnë të pamundur që Shtetet e Bashkuara të jenë garantuesi kryesor i sigurisë në Evropë”, tha sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth në Bruksel!”.

Për këtë, Bilalli përmendi disa gjëra që duhet të ndërmarrë Kosova në raport me këto zhvillime.

Image
Lutfi Bilalli

Kësisoj, në një nga gjërat që duhet bërë është që presidentja dhe kreu i qeverisë të marrin garancione nga SHBA për aspektet e sigurisë dhe fillimin e Planit të Veprimit për anëtarësim të Kosovës në NATO.

“10 fakte se çka duhet të ndërrmarrim!

Si duhet të lexojë Kosova këto realitete që po ndodhin në politikën e sigurisë në Evropë dhe botë:

E para të krijohen politika urgjente sa i përket sigurisë kombëtare në përputhje me rrethanat e reja në gjeopolitikën botërore.

E dyta; të krijohen me urgjencë projekte konkrete për të hyrë në negociate me partnerë serioz për furnizim me armatim të nivelit adekuat që i përgjigjet raporteve të agresorit në pikëpamje kualitative.

E treta; të krijohet me urgjencë baza ligjore për futjen obligative të shërbimit ushtarak.

E katërta; të rritet së paku dyfish buxheti për nevoja të ushtrisë.

E pesta; Presidentja dhe kreu i qeverisë të kërkojnë dhe përmes shkresës zyrtare që të luten SHBA për të marrë garancione nga ta për aspektet e sigurisë dhe fillimin e Planit të Veprimit për anëtarësim të Kosovës në NATO.

E gjashta; të bëhet kërkesë zyrtare SHBA-ve dhe Republikës së Turqisë, për "partneritet strategjik në fushën e mbrojtjës".

E shtata; të arrihet marrëveshje bashkëpunimi, koordinimi dhe furnizimi në partneriteti të ngushtë dhe vëllazëror me Republiken e Shqipërisë (pakt të mbrojtjes së përbashkët në rast të kërcnimi dhe sulmi nga një vend i tretë).

E teta; të neutralizohet dhe të goditet me ngulem lufta speciale-lufta hibride e Serbisë dhe segmenteve ruse ndaj Kosovës.

E nënta; Kosova të ofroj në institucionet shtetërore dhe sidomos ato të segmentit të sigurisë (gjeopolitikës, gjeostrategjisë dhe inteligjencës) kuadrot e zotët jashtë inateve politike dhe largohuni nga kuadrot amatoreske të "kotillës pariake dhe ilakeve”.

E dhjeta; Kosova ka nevojë për qeveri stabile dhe të unitetit dhe me shpejtësi të kalojë nga "cirku i etheve të votave dhe luftës për pushteti në ethet dhe brengat për kombin dhe shtetin"!” – përmbylli Lutfi Bilalli për “Bota sot”.

Hoxha: Të aftësohemi si shoqëri si të veprojmë në raste të luftës

Kurse, ish-ushtaraku, Hafir Hoxha u shpreh se Kosova duhet të forcohet me mjete luftarake.

Duke parë zhvillimet e fundit, kërkoi që si shtet të bëhemi gati dhe të marrim përgjegjësit për mbrojtjen e territorit.

Image
Hafir Hoxha

“Duhet patjetër të pajisemi me pajisje luftarake mbrojtëse, duhet të edukohemi, të aftësohemi si shoqëri si të veprojmë në raste të luftës dhe duhet secili qytetarë të jetë në evidencë dhe ta di detyrën e tij në rast të luftës.

Ne duhet të bëhemi gati të marrim përgjegjësinë tonë si shtet, të mbrojmë integritetin dhe sovranitetin territorial sa më parë, në bashkëpunim konkret me Shqipërinë”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Krahas kësaj, ish-ushtaraku theksoi se detyrë kryesore është mbrojtja e vendit, për këtë kërkoi që të merren disa hapa dhe të ketë angazhim të shtuar.

Ndryshimet globale nuk mundemi me i ndalu, por mbrojtjen e vendit e kemi detyrë kryesore.

Ne si qytetarë duhet secili personalisht të kërkojmë nga organet kompetente në komunat tona të na tregojnë ku do të jetë vendi dhe detyra jonë në rast të konfliktit, në këtë mënyrë t’i zgjojmë nga gjumi dhe t’i detyrojmë ata njerëz që paguhen për këto punë që ta bëjnë punën e tyre.

Të kërkojmë broshura, doracakë, udhëzime në bazë të cilave ne krijojmë njohuri dhe bëhemi gati që në ato raste, të funksionojë mbrojtja gjithëpërfshirëse sa më lehtë dhe më mire”, përfundoi Hafir Hoxha për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat