Rreziku nga spiunët/ E “zbulon” profesori: Ja si u vendosën ish shërbëtorët e regjimit serbomadh në çdo strukturë të shtetit!

Politika

Rreziku nga spiunët/ E “zbulon” profesori: Ja si u vendosën ish shërbëtorët e regjimit serbomadh në çdo strukturë të shtetit!

Nga: A.SH. Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 20:05
Foto ilustrim

Më 19 shkurt 2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.

Juristi dhe profesori, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ky është një problem shumë i madh i Kosovës, dhe se vendi jonë duhet të pastrohet nga ta.

Sipas tij, me ardhjen e UNMIK-ut në çdo strukturë të shtetit u vendosën ish shërbëtorët e regjimit serbomadh.

“Çështja e punëtorëve të UDB-së, sot të BIA-së serbe, është një problem i madh i Republikes së Kosovës.

Vendi i ynë nuk është pastruar nga elementet spiun të regjimit serb. Para dhe gjatë luftës ka me qindra veprimtar të regjimit. UDB-a ka funksionuar kryesisht me elemente shqiptare në Kosovë.

Këta i kanë shërbyer me devotshmëri regjimit serbo-jugosllav. Ka me mijëra krime të bëra ndaj popullit shqiptar. Dhe askush nga ata kriminelë të regjimit fashistoid të Serbisë në Kosovë pas luftës nuk është marrë në përgjegjësi. Përkundërazi.

Me të ardhur UNMK-u në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, në çdo strukturë të shtetit u vendosën ish-shërbëtorët e regjimit serbomadh nga UNMIK.

Në gjykata, në prokurori, në administratë dhe në polici, e ku jo, u futën ish- punëtorët e regjimit.

Këtë e bënte UNMIK”, thotë ai.

Derisa, për rasti në fjalë, ai thotë se flitet që ka edhe të tjerë por që institucuionet përkatëse duhet të merren me ta, të kapen dhe të dënohen.

“Tash kapja dhe akuza si spiun ndaj dy qyterarëve të Kosovës nuk e zgjidhë çështjen e punëtoreve të BIA-së serbe në Kosovë.

Nuk kemi të dhëna se sa dhe si veprojnë këta spiun. Flitet se janë me dhjetëra. Disa të tjerë thojnë se ka spiun me qindra. Nuk ka të dhëna konkrete.

Por, me siguri se në Kosovë kemi punëtorë të vjetër dhe të rinjë të rekrutuar nga BIA serbe.

I takon organeve të Kosovës të hetohet spiunët dhe të kapen e dënohen. Rreziku nga spiunët serb është i madh. Republika Kosovës nuk i duron këto vegla të armikut. Ata e kanë vendin në burg”, përmbyll ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat