Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi në një prononcim për “Bota sot” foli në lidhje me zhvillimet gjeopolitike dhe çështjet e sigurisë të cilat po ndikojnë edhe në shtetin tonë.
Ai kërkoi nga Kosova të angazhohet dhe të koordinohet me SHBA-në për të gjitha politikat, pasi shteti serb do synojë të krijojë raporte më të afërta më aleatin më të madh të shqiptarëve, kjo për përfitime të saj.
“Duhet ta theksoj faktin se Kosova duhet ta ketë parasysh që një shtet si Serbia, me një politikë mjaft të koncentrume, me kapacitete, qoftë financiare, qoftë kadrovike, në aspektin politik mund të ushtrojë ndikimin e saj për të krijuar marrëdhëniet më të mira me SHBA-në. Andaj, ne si Kosovë duke marrë parasysh gjithë këto përpjekje dhe angazhime, duhet që realisht të veprojmë me një politikë ndryshe duke koordinuar aktivitetet tona me SHBA-në, në mënyrë që interesat e Shteteve Bashkuara të Amerikës në Ballkan të realizohen përmes bashkëpunimit me Kosovën dhe jo të sigurojnë apo krijojnë kanale të tjera, edhe në këtë rast duke i bërë nder edhe Serbisë”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Elezi theksoi se është e rëndësishme të koordiohen politikat e ushtrisë me SHBA-në.
Madje, dukë parë zhvillimet e fundit në aspektin e sigurisë, kërkoi që institucionet e shtetit tonë të angazhohen seriozisht në çështjen e furnizimeve me armatimet e rënda për Ushtrinë e Kosovës.

“Çdo dështim i Kosovës për koordinu aktivitetet e saj, qofshin politikës, të ushtrisë dhe çështjeve të tjera me SHBA-në është një sfidim, një sfidë që ia shkaktojmë Serbisë dhe një fitore në aspektin politik dhe gjeopolitik. Sepse ne e dimë që në raste të caktuara pa mbështetjen e SHBA-së, nuk kemi arritur që të fitojmë edhe mbështetje nga shtetet e Bashkimit Evropian.
Kosova duhet të gjithashtu të ketë parasysh zhvillimet e fundit në gjithë globin, sa i përket josigurisë dhe njëkohësisht të mendojë seriozisht për angazhimin e saj në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, e posaçërisht në çështjen e furnizimeve me armatimet e rënda për Ushtrinë e Republikës së Kosovës”.
Ndër të tjera, eksperti përmendi faktin se të gjitha shtetet e rajonit tonë po investojnë në ushtri, për këtë edhe ne duhet të punojmë dhe të shpenzojmë fuqishëm në këtë fushë, sa i përket armatimeve të rënda.
“Ne e kemi parë që në këto kohë kur shtetet përreth mund të themi investojnë në ushtri, në armatimet e reja edhe Kosova duhet të punojë fuqishëm, duhet të rrisë shpenzimin apo investimin në pjesën e ushtrisë, kapacitetet ushtarake, përfshirë edhe sigurimin dhe posedimin e armatimeve të rënda, sidomos ato që janë kundërrajror. Kjo në mënyrë që të jemi mund të themi në njëfarë forme pjesë e çdo angazhimi në këto zhvillime që janë në shtetet Ballkanike apo evropiane. Prandaj, Kosova duhet që të marrë të gjitha masat për të kriju kushte dhe rrethana që Kosova të jetë një vend, e cila minimalisht do të ishte në interes të vendeve të fuqishme për të performu në Kosovë sa i përket çështjeve të sigurisë”, përfundoi Bedri Elezi për “Bota sot”.