Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka disa ditë që ka përmbyllur procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike, ndërsa mbeten për t’u numëruar votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me aftësi të veçanta.
E gjatë ditës së djeshme është bërë me dije që sot (Të mërkurën) do të fillojë numërimi i votave të diasporës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se më 26 shkurt (sot) do të nisë numërimi i votave të qytetarëve që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës nëpër botë.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së u tha se numërimi i këtyre votave pritet të nisë pasditen e së mërkurës.
Kujtojmë që më 9 shkurt, për herë të parë Kosova organizoi votimin fizik të pjesëtarëve të diasporës në përfaqësitë diplomatike të shtetit nëpër botë. Votimet u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Pjesëmarrja ishte 73.56 për qind, përkatësisht nga 20.324 persona të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike, 15.552 prej tyre e shfrytëzuan këtë të drejtë.
E të gjendur në këtë situatë a pritet që këto vota ta ndryshojnë apo të kenë sadopak ndikim në rezultatin zgjedhor?
Mehazi: Do t'i shtohen vota VV-së
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Ai thotë se votat e diasporës nuk do të ndryshojnë rezultatin përfundimtar, përveç që do i shtohen disa vota LVV-së dhe jo opozitës.
Sipas tij, votat e fundit të numëruara do forcojnë dhe më shume partinë fituese të Kurtit LVV-në me më shumë deputetë.
“Votat e qytetarëve jashtë Kosovës nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës në botë nuk do ndryshojnë, nuk do ndikojnë në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Është e qartë se fituese është LVV-ja, se shpresat e më shumë se 15 mijë votave jashtë Kosovës do jenë në favor të partisë së Kurtit sesa të opozitës. Gjatë numërimit të votave LVV-së mund t'i shtohet dhe plus dy deputetë, se shpresat e partive opozitare janë vetëm dëshira për shkak se KQZ-së i kanë mbetur të numërojnë vetëm 15 mijë votat e fundit, kështu që gjatë numërimit të votave jashtë Kosovës jo që opozitës mund t'i shtohen deputetë, përkundrazi votat e fundit të numëruara do forcojnë dhe më shume partinë fituese të Kurtit LVV-në me më shumë deputetë”, u shpreh ai.
Profesori më tej thekson që shumica e qytetarëve në diasporë kanë votuar LVV-në.
“Pasqyra e rezultateve të votave në Kosovë argumenton se në diasporë opozita është votuar vetëm nga qytetarët e Drenlcës dhe Dukagjinit që jetojnë jashtë Kosovës, gjersa shumica e qytetarëve shqiptarë të diasporës kanë votuar për LVV-në”, foli Mehazi për “Bota sot”.
Mehmeti: Opozita s’ka çfarë pret nga këto vota
Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, është i mendimit që votat e diasporës do të kenë ndikim vetëm tek LVV dhe jo tek partitë e tjera politike.

“Nuk besoj se do të ketë shumë ndikim të madh në përqindjen aktuale tek partitë politike. Por mund të ketë tek numri i deputetëve, eventualisht VV mund të marr 2 ose tre deputetë nga të gjitha votat në ambasada, me postë nga diaspora, votat me kusht dhe nga personat me nevoja të veçanta”, thotë ai.
Në fund, analisti përmend partitë politike që mund të kenë ndikim negativë votat e diasporës.
Duke nënvizuar ai ka disa kritika edhe për KQZ.
“Kjo mund të ketë ndikim vetëm tek VV e cila në rast se merr tre deputetë më shumë mund të jenë përcaktues për ndërtimin e koalicionet me minoritete jo serbe. Derisa, opozita s’ka çfarë pret nga këto vota, eventualisht AAK mund të humbas ndonjë një deputetët dhe LDK po ashtu, PDK do mbetet njëjtë derisa VV siç thash do të jetë përfituese e gjithë këtyre votave. Por është e tmerrshme se të zgjasë kaq gjatë numërimi i votave, KQZ duhet të reformohet në mënyrë që kurrë më mos të zgjasë kaq shumë procesi i numërimit të votave”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.