Partia Demokratike e Kosovës ani pse doli e dyta në zgjedhjet e shkurtit, tregoi se shtrirjen e saj dhe numrin më të madh të votave e ka në dy komuna, atë të Skenderajt dhe Drenasit. Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ashtu si në të kaluarën, numrin më të madh të votave e mori në Deçan.
E kjo sipas analistit politik, Gani Qarri, jep mesazhin e qartë se sa të izoluara janë këto dy parti në Kosovë.
“Andaj vet përjashtimi i PDK-së dhe AAK-së nga pjesët tjera të Kosovës, dhe marrja e mbështetjes vetëm në zonat e tyre arkaike, si PDK në Drenicën e mbyllur hermetikisht nga konkurrenca dhe mënyra e votimit ndryshe, progresi bashkëkohor dhe sistemi i votimit shumëpartiak dhe të AAK-së vetëm në Dukagjin, tregon qartë, se sa të lokalizuara dhe pa-perspektivë ngelen akoma këto dy parti të inkriminuara, që nga rënia katastrofale në opozitë dhe humbja e tmerrshme e mbështetjes në mbarë vendin, për shkak të veprave të ndryshme korruptive e kriminale, ku vend të parë zë pasurimi marramendës i kundërligjshëm i vet udhëheqësve kryesor të këtyre partive”, shprehet Qarri për “Bota sot”.
Sipas tij, zgjedhjet e 9 shkurtit treguan edhe njëherë se humbësi më i madh vazhdon të jetë lideri i AAK-së.
“Ramush Haradinaj, duke parë mbështetjen gjithnjë e më të kufizuar, për shkak të sharlatanizmit të tij, të pashembullt politik, fyerjeve të ulëta e të paprecedent në Kosovën e pasluftës, mashtrimit në mënyrën më primitive të shqiptarëve se nuk do ta dorëzojë Kullën, Zhlebin e Çakorrin, por me të ardhur në pushtet, për karrigen e kryeministrit në mandat të kufizuar kohor, i fali të gjitha, në mënyrën dhe formën më renegate të mundshme, me përdorimin e slloganit të turpshëm se nëse vijmë në pushtet, ne do ta formojmë edhe "zajednicën" serbe, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, përveçse të dilte humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve”, thekson Qarri.

“Në fakt korrupsioni galopant e krimi i organizuar masiv si dhe pazaret konspirative e publike edhe me tokat e Kosovës, ku pas faljes nga PDK, AAK, Nisma etj, të 2500 hektarëve në Debëllde të Kosovës, FYROM-it, Ramush Haradinaj, për të mbajtur vetëm disa muaj karrigen e kryeministrit ia fali edhe Kullën, Zhlebin e Çakorrin me 8200 hektarë tjerë tokë autoktone të larë me gjakun e shqiptarëve, Malit të Zi, dhe pa u skuqur as turpëruar fare, gjatë gjithë fushatës parazgjedhore, fjali të parë, nga më skandalozet, kishte formimin e "zajednicës" kundërkushtetuese një etnike serbe”, shton Qarri.
Për fund, Qarri deklaron se PDK dhe AAK ranë në humnerën që e përgaditen vet.
‘Dhe pikërisht këto ishin aktet më të rëndat renegate, në historinë më të re të Kosovës, të cilat bënë që partitë e inkriminuara renegate, të bien kryengulthi, në humnerën e merituar për to, megjithëse kishin krijuar bindjen false edhe te votuesit e tyre, se nuk do zhyten kurrë aq thellë në humnerën e përgatitur vet për mese dy dekada me korrupsion, krim të organizuar, tradhti të hapur dhe mashtrime perfide”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.