Kosova, duket se ka pasur individë brenda shtetit që iu kanë shërbyer shërbimeve të huaja në dëm të interesave të vendit të tyre. Dy prej tyre janë Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, ndaj të cilëve tashmë është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Më 19 shkurt 2025, PSRK ngriti aktakuzë kundër Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, duke i ngarkuar se kanë mbledhur dhe dërguar informacione dhe dokumente tek BIA serbe në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët dhe pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje dhe objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.
PSRK thotë se, përmes këtyre veprimeve, synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, krijimi i një narrativi të pavërtetë lidhur me Spitalin Ushtarak të UÇK-së për trafikim organesh dhe vënia në dyshim e vërtetësisë së masakrës, siç thuhet në aktakuzën e siguruar nga "Betimi për Drejtësi".
Aktakuza ngarkon Muharremin dhe Qerimin për spiunazh, ndërsa Qerimi akuzohet gjithashtu për armëmbajtje pa leje.
Tahiraj: Lajm shpresëdhënës se diçka po lëvizë

Lidhur me këtë temë, veprimtari Saim Tahiraj për “Bota sot”, ka thënë se kjo aktakuzë është shpresëdhënëse se diçka ka filluar të lëvizë në këtë drejtim.
“Një aktakuzë e tillë kundër këtyre dy personave që janë marrë me spiunazh, është shpresëdhënëse se më në fund diçka ka filluar të lëvizë. Nëse kjo aktakuzë vërtetohet dhe gjykata përkatëse japë dënimin e merituar, është një lajm i mirë i cili përçon mesazhin se institucionet e sigurisë po veprojnë dhe të gjithë ata/ato që merren me shërbime të tilla spiunazhi do i pret dënimi për tradhti kombëtare.
Kaluan 17 vite të shtetësisë së Kosovës dhe shërbime të huaja spiunazhi, nga shtetet armike të Kosovës, e sidomos nga Serbia vepruan dhe po vazhdojnë të veprojnë për shkatërrimin e shtetit tonë. Teritori i Kosovës u bë arenë e favorshme për këto veprime spiunazhi dhe lufta të ndryshme speciale që për qëllim kanë minimin e shtetësisë së Kosovës”, thotë ai.
Tutje, ai të gjitha këto i lidh edhe me fuqizimin e islamit politik, duke thënë se është fuqizuar shumë dhe po përçan shqiptarët mes vete.
“Institucionet tona të brishta, të një shteti të ri, nuk kishin përgatitjet profesionale përkatëse dhe fuqishëm t’i luftonin ato agjentura. Nuk janë rastësi të gjitha këto ngecje, dështime, dhe mos suksese në të gjitha fushat e jetës së popullit tonë. Arsimi, shëndetësia, ekonomia në fund të pusit. Marrja hov e fuqizimit e Islamit Politik i cili aq dëm po i sjellë shtetit, si në organizimin e brendshëm e po ashtu në politikën e jashtme. Po shkatërron rininë tonë me shpëlarje të trurit nga identiteti kombëtar dhe duke mbjellur atë fetare, ideologji tipike politike armiqësore që për qëllim ka shkatërrimin e çdo gjëje që është shqiptare. Mbjellja e përçarjes, mosbesimit në shtet, humbja e atdhedashurisë, shpresa se vetëm jashtë Kosovës mund të jetë dhe prespektivë, paraqitja se në Kosovë është çdo gjë vetëm zi, janë rezultat i punës dhe veprimtarisë së shërbimeve të huaja anti shqiptare, e në veçanti të atij serb.
Ky lajm i mirë i Prokurorisë Speciale është një shpresë se diçka e mirë po fillon. Urojmë dhe kërkojmë nga të gjitha institucionet tona të sigurisë, të punojnë dhe të veprojnë fuqishëm në këtë drejtim, sepse është në pyetje siguria dhe e ardhmja popullit tonë, është vetegzistenca e shtetit tonë që me aq mundë dhe sakrifica e fituam”, deklaron ai.
Haziri: Lufta ndaj spiunazhit, është një luftë permanente

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri, thotë se kjo është një luftë që kërkon angazhim maksimal, por që sipas tij për rastin në fjalë duhet të presim se çfarë po vendosin tani institucionet e drejtësisë.
“Lufta ndaj spiunazhit, është një luftë permanente që kërkon institucione të përgatitura mirë profesionalisht, dhe ne si Kosovë kemi nje fat të mirë që kemi institucione të sigurisë siç është AKI dhe policia e Kosovës, të cilat janë kredibile, të përgatitura dhe profesionale më të mirat në Ballkan por edhe më gjerë, rastit që ju i referoheni duhet presim se çfarë po vendosin tani institucionet e drejtësisë, por them edhe një herë jo vetëm në këtë rast por edhe në raste të tjera duhet përgëzuar punën e AKI-së”.
Haziri thotë se kësi rastesh do të kemi jo vetëm të BIA-s serbe por edhe shërbime të tjera të inteligjencës nga shtete të tjera kundër interesave të Kosovës.
“Edhe në të ardhmen ne do të kemi aktivitete jo vetëm të BIA-s serbe por edhe shërbime të tjera të inteligjencës nga shtete të tjera kundër interesave të Kosovës dhe kjo paraqet nevojën imediate për shtim të punës dhe aktiviteteve të AKI-së, për të parandaluar çdo sulm që vijnë nga këto shërbime armiqësore ndaj interesave, sigurisë dhe stabilitetit politik të vendit tonë”, përfundon ai për “Bota sot”.
Kujtojmë, se dy të dyshuarit për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA), ishin arrestuar në qershor të vitit të kaluar në një operacion të Drejtorisë për Krime të Rënda të Policisë së Kosovës.