Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka folur në lidhje me sanksionet që Bashkimi Evropian ia ka vendosur Kosovës, tash e sa muaj, ku tha se këto masa janë të padrejta.
Madje, Biserko u shpreh se ‘ledhatimi’ që po i bëhet shtetit serb është një padrejtësi për të gjitha shtetet fqinje të saj.
“Vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës ishte e padrejtë që në fillim, dhe qetësimi i Serbisë ka qenë i padrejtë për të gjithë fqinjët e saj. Ndërsa Serbia është gjeografikisht në qendër të Ballkanit, ajo nuk funksionon si një ‘lojtar kyç’, por si një objekt i ndikimeve konkurruese. Dështimi i BE-së për të mobilizuar në mënyrë efektive integrimin e Ballkanit, ka çuar në praninë e aktorëve të shumtë me interesa konfliktuale në rajon”, shpjegoi ajo.
Krahas kësaj, Biserko përmendi edhe dialogun, ku tha se BE duhet ta trajtojë Kosovën ndaras, pasi që regjimi serb ka dëshmuar se nuk është gati për marrëveshje dhe paqe.
“Unë gjithashtu besoj se dialogu ka ngecur dhe se BE-ja duhet të vazhdojë të trajtojë Kosovën dhe Serbinë ndaras. Kjo qasje mund të sigurojë një rrugë më të shpejtë përpara për të dy vendet. Regjimi aktual në Serbi nuk ka treguar gatishmëri për t'u përfshirë në dialog të drejtë dhe vazhdon t'i portretizojë shqiptarët me armiqësi dhe poshtërim”.
Në fund, ajo dha sinjale se Sorenson mund t’i ndryshojë gjërat, pasi njeh dinamikën e politikave të shteteve të Ballkanit.
“Emisari i ri i dialogut, z. Sorenson, është njohës i mirë i Ballkanit dhe mund të ndryshojë dinamikën. Megjithatë, unë mendoj se një ndryshim në qasje është ende i nevojshëm”, përmbylli Sonja Biserko për “Bota sot”.