A mbeti jashtë Kuvendit të Kosovës, flet Pal Lekaj/ Ja çka thotë për Fatmir Limajn

Politika

A mbeti jashtë Kuvendit të Kosovës, flet Pal Lekaj/ Ja çka thotë për Fatmir Limajn

Nga: N.E Më: 1 mars 2025 Në ora: 09:58
Pal Lekaj

Kanë kaluar disa javë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ndërsa numërimi i tyre po vazhdon.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tani është duke numëruar votat të ardhura përmes postës dhe me përditësimin e fundit në faqen zyrtare që u bë mbrëmë në ora 23:25, tashmë janë numëruar 14.36% të votave.

Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka marrë 44.33 % të votave, ndërsa kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, ka 2520 vota.

E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës që deri më tani ka 33.55% të votave me postë, ndërsa kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka 1770 vota.

Në vend të tretë aktualisht qëndron koalicioni i AAK-së dhe Nismës me 9.68%, ndërsa kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka 539 vota. Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka 154 vota.

E katërta është Partia Demokratike e Kosovës me 6.48 %, ndërsa kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza, ka 365. Ndërkaq, kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka marrë 169 vota.

KQZ mbrëmë tha se po vazhdon numërimi i votave me postë se procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.

Të gjithë shtetasit e Kosovës, që gjatë regjistrimit u përcaktuan individualisht për të votuar përmes postës, mund të dërgonin pakon e tyre me fletëvotim në adresë të ndonjërës nga kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të hapura në shtete të ndryshme.

Numri i pakove të supozuara me fletëvotime dhe që janë aprovuar nga KQZ, pas procesit të vlerësimit, është më shumë se 63 mijë sosh.

Gjithashtu, ende nuk ka përfunduar numërimi i votave të përfaqësive diplomatike me 95.35% të votave të numëruara deri më tani.

Duke qenë se po vazhdon numërimi, po vazhdon edhe “shpresa” e disa ish- deputetëve për t’i siguruar votat për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Një prej tyre është Pal Lekaj, sipas numërimit aktual ai nuk arriti të bëhet deputet për shkak se fitoi 7,845 vota, vota këto të pamjaftueshme për të siguruar ulësen.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Lekaj thotë se rezultatet mund të ndryshojnë.

Mirëpo, sipas tij, edhe në rast të mos ndryshimit atëherë është i kënaqur që i ka shërbyer vendit në mandatet e kaluara.

“Nuk është bërë numërimi i plotë i votave, jemi duke pritur edhe numërimin e votave nga diaspora, rezultatet mund të ndryshojnë. Sidoqoftë, edhe nëse nuk do të ketë ndryshim, nuk është problem, unë jam i kënaqur që i kam shërbyer vendit si deputet për katër mandate”, shprehet Lekaj.

I pyetur rreth raportimeve për një koalicion VV dhe Fatmir Limaj, ai heziton të përgjigjet, gjersa konsideron se edhe nëse formohet qeveria atëherë nuk do të jetë stabile.

“ Nuk mund të flas në emër të kreut të Nisma-s, Fatmir Limajn dhe raportimet që ai t’i bashkangjitet Albin Kurtit të formojë qeverinë, është zgjedhja e tij. Ne si Aleancë, nuk pranojmë koalicion me LVV, kjo për arsyet që tashmë i kemi përmendur vazhdimisht për keqqeverisje e tyre. Kjo qeveri edhe nëse bëhet, nuk do të jetë qeveri stabile, do ta çojë vendin në kolaps dhe do të sjellë vetëm bllokadë dhe detyrimisht zgjedhje të reja në vitin 2026”, përfundon ish- deputeti i AAK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat