Kosova pas zgjedhjeve të 9 shkurtit: Komentohen vonesat në numërimin e votave dhe shqetësimet për krijimin e qeverisë së re

Politika

Kosova pas zgjedhjeve të 9 shkurtit: Komentohen vonesat në numërimin e votave dhe shqetësimet për krijimin e qeverisë së re

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 1 mars 2025 Në ora: 10:04
Foto ilustrim

Me 9 shkurt, Kosova mbajti zgjedhjet e reja parlamentare.

Vendi ynë, njihet për zgjedhje të lira, demokratike dhe pa incidentet apo ndërhyrje të ndryshme.

Pas përfundimit, të gjithë akterët e brendshëm politik, po ashtu edhe ata të jashtëm, përshëndetën këtë proces zgjedhor, të cilin e vlerësuan ligjor e demokratik.

Megjithatë, Komisioni Zgjedhor i Kosovës u përballë me disa probleme të cilat ngritën më pas pikëpyetje të ndryshme.

Rënia e serverit dhe e ueb-faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, telashet me blerjen e kamerave dhe mos-trajnimi i duhur i stafit, janë vetëm disa prej problemeve që kanë dalë gjatë rrugës.

KQZ-ja e ka arsyetuar nisjen me vonesë të numërimit të votave, duke thënë se procesi i ri i numërimit – siç e parasheh Ligji i ri për zgjedhjet – është kompleks dhe se institucioni është duke kaluar nëpër të për herë të parë.

Mirëpo, si po ndikon kjo vonesë e numërimit të votave në krijimin e qeverisë së re dhe a po u lejon hapësirë partive politike për mobilizime të mundshme të koalicioneve, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.

Preqi: Me rëndësi është dalja e rezultateve, që besojmë se nuk do të refuzohen nga asnjëra palë politike

Fillimisht, për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.

Image
Dedë Preqi

Ai tha se zgjedhjet ishin demokratike dhe në kuadër të normave ligjore, derisa tha se vonesa të ngjashme në numërim të votave ka pasur edhe në të kaluarën.

Zgjedhjet parlamentare u zhvilluan me 9 shkurt në Kosovë, të cilat do të ishin një ndër më të mirat deri më tani dhe të cilat lënë përshtypje edhe nga ndërkombëtarët, duke i cilësuar si demokratike dhe në përputhje me normat ligjore.

Edhe pse certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve do të ishte i vonuar deri më tani, nuk ka dyshim se hasen elemente se do të ndikojnë për dallim me materien apo në vonesën e krijimit të institucioneve, sepse edhe më herët kemi pasur vonesa të numërimit deri në 20 ditë, por dihet se qeveria ekziston dhe funksionon akoma deri në momentet e formimit të qeverisë së re”.

Gjithashtu, Preqi beson se të gjitha partitë politike do i pranojnë rezultatet dhe nuk do refuzohen ato.

Derisa, potencoi se KQZ e siguron se integriteti i votës nuk është cenuar në asnjë mënyrë dhe rezultatet do të jenë të sakta

“Para së gjithash, me rëndësi është dalja e rezultateve që besojmë se nuk do të refuzohet nga asnjëra palë politike, duke e kuptuar secila fuqinë e saj dhe secila duhet të dijë vet, se sa ka investuar deri këtu për të dhënë rezultatet e duhura, për deri sa vetë populli e ka vendosur të ia tregoi më mirë secilës vendin e vet.

Një përpjekje për të arritur përfundimin e numërimit të votave deri më tani, do të ishte e mundur nga KQZ-ja, sikur të mos ishin paraqitur disa pengesa në momentet e para zgjedhore, dhe pavarësisht dyshimeve të ngritura nga anash dhe opozita, KQZ e siguron se integriteti i votës nuk është cenuar në asnjë mënyrë dhe rezultatet do të jenë të sakta”, nënvizoi ai.

Më tej, opinionisti komentoi edhe manipulimet e mundshme të votave, derisa theksoi faktin që Prokuroria është e përfshirë dhe nuk lejon një gjë të tillë.

Dhe për dyshime të manipulimeve me votën e popullit përmes një skemë të organizuar në sistemin teknik, KQZ-ja, e ka bërë të qartë, duke e thirrur Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet e sigurisë, për të sqaruar situatën, duke vënë në dispozicion gjithë bashkëpunëtorët dhe akterët e vet deri në numërimin dhe verifikimin e fundit të secilës votë.

Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, tani po numërohen dhe po përfundojnë me votat e diasporës, të cilat ndoshta po e shënojnë dhe fundin e kësaj maratone, duke e përfunduar këtë proces zgjedhor me një sukses të cilësuar dhe me vlerën e tyre të dalluar për një kohë të gjatë.

Sakaq, kemi edhe informacionet e momenteve të fundit nga KQZ-ja, që japin rezultatet që bëjnë llogaritjet më me peshë të këtyre zgjedhjeve, që nuk e përjashtojnë LVV, që do të fitojë deri në 51-52 mandate së bashku me listën Guxo dhe Alternativa, duke realizuar në këtë mënyrë mundësinë e formimit të qeverisë”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Halimi: Shpresoj që shumë shpejt do të përfundojë kjo saga e tepruar e votave

Image
Jeton Halimi

Kurse, analisti politik, Jeton Halimi tha se janë absurde këto vonesa të gjata të numërimit të votave.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se janë dështim këto vonesa që po ndodhin në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.

Me 9 shkurt 2025 u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Kosovë, megjithatë KQZ ende nuk ka arritur të përfundojë numërimin e të gjitha votave.

Të gjitha këto vonesa janë absurditet dhe dështim total, nga institucioni ma kredibil ne vendin tonë siç është KQZ-ja, nuk e ka as edhe një justifikimin ma të vogël lidhur me procesin e numërimit të votave të gjithë ata punëtor/e, nga komisionarët e të gjitha partive politikë që kanë garuar këto zgjedhje parlamentare në vendin tone”, shpjegoi ai.

Po ashtu, analisti tha se këto vonesa po ndikojnë edhe në shtyrjen e formimit të qeverisë së re, ku në këtë pikë shpreson që numërimi të përfundojë sa më shpejt.

Kurse, në rast të keqpërdorimeve të mundshme, kërkoi që të merren organet ligjore të shtetit tonë.

“Paqartësitë gjatë procesit zgjedhor po ndikojnë shumë në mos krijimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Çdo zgjatje e mos certifikimit të zgjedhjeve nga ana KQZ-së, Kosovën e vonon shumë në mos krijimin e institucioneve dhe kemi marre kritika të mëdha, megjithatë shpresoj që shumë shpejt do të përfundojë kjo saga e tepruar e votave.

Të gjithë ata persona që kanë keqpërdor votën e qytetarit të Kosovës duhet të merren nga organet ligjore, policia, Prokuroria e shtetit dhe të marrin një dënim meritor për këto veprat penale, nëse dyshohen që ka pasur “tren bullgar””, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat