Nevoja për zgjidhjen e luftës në Ukrainë dhe vendosjen e paqes, kanë rikthyer opinionin publik drejt Kosovës dhe dialogut me Serbinë dhe proceset e tjera të rëndësishme.
Ulja në tavolinë për të diskutuar për paqe nga ana e amerikanëve dhe rusëve, por pa Ukrainën, sjellin pikëpyetje nëse mund të veprohet ngjashëm edhe në rastin e Kosovës dhe të jetë në tavolinë edhe rreziku për ndarjen e saj.
Analistë e profesor shohin ngjashmëri mes Kosovës dhe Ukrainës, por edhe dallime të mjaftueshme.
Sipas tyre, nëse ndonjë politikan i Kosovës pranon marrëveshje ku në të përmendet ndarja, atëherë është faji i Kosovës dhe jo i Trumpit.
Bytyçi: Kosova është e mbrojtur dhe do të jetë akoma më shumë në të ardhmen
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, konsideron se Kosova dhe Ukraina janë dy raste të ndryshme.
Ai përmend arsyet historike që vendet ndryshojnë nga njëra- tjetra.

“Kosova dhe Ukraina janë dy raste të ndryshme. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran që prej 17 shkurtit 2008, ndërsa Ukraina është shkëputur nga BRSS në vitin 1992. Të dyja në kufijtë që kishin trashëguar nga federatat ku bënin pjesë. Por Ukraina është njohur nga Këshilli i Sigurimit dhe OKB, ndërsa Kosova ende jo. Kjo ka ndodhur pasi që Rusia ka kundërshtuar ta votojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kosova u krijua si shtet pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Ukraina pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Por në Kosovë ndodhi një genocid serb kundër popullsisë së saj shumicë absolute, shqiptarëve. Në Ukrainë nuk kishte ndodhur kjo. Kosova është shtet i pavarur për shkak të shpërbërjes së Federatës Jugosllave me pavarësimin e Malit të Zi, Ukraina si produkt i shpërbërjes së BS. Por ndryshe nga Ukraina Kosova është pavarësuar edhe për shkak të gjenocidit serb. Mos harrojmë: - Gjenocidi i Hitlerit kundër Hebrejve çoi në krijimin e shtetit të Izraelit në një tokë të falur me vendim të KS të OKB-së. Kjo pati ndodhur në vitin 1948. Për pasojë gjenocidi serb do të çonte në krijimin e shtetit të Kosovës.
Me këto që thashë dua të shpjegoj se dhuna e terrori dhe krimet kundër njerëzimit janë shkak i mjaftueshëm për krijimin e një shteti, në rastin konkret të Kosovës. Dhe ky fakt vetëm sa e forcon identitetin e shtetit në fjalë”, shprehet Bytyçi.
Historia e Ukrainës dhe e Kosovës është sa e ngjashme, aq edhe e ndryshme, thotë Bytyçi, gjersa shton se Kosova është nën mbrojtjen e NATO-s dhe KFOR-it, ndërsa Ukraina ishte e pambrojtur.
Sipas tij, është momenti që luftës në Ukrainë t’i jepet fund dhe nëse ajo e ha presionin e Uashingtonit dhe Moskës, atëherë është vetë fajtore për zgjidhjen.
“Historia e Ukrainës dhe e Kosovës është sa e ngjashme, aq edhe e ndryshme. Por Ukraina ka në kufi një superfuqi atomike dhe ushtarake. Kosova ka në kufi ish-agresorin e saj gjenocidues, Serbinë, e cila është fuqia ushtarake e rajonit, por jo e papërballueshme nga ana e Kosovës dhe e shqiptarëve. Në Ukrainë nuk kishte në rastin e sulmit ushtarak të Rusisë ushtarë të NATO-s. Kosova është nën mbrojtjen e NATO-s dhe KFOR-it. Ukraina ishte e pambrojtur. Kosova është e mbrojtur dhe do të jetë akoma më shumë në të ardhmen. Megjithatë lufta e Ukrainës u bë model frymëzimi edhe për Kosovën. Sepse shqiptarët thanë “Kur ukrainasit përballuan kaq vite agresionin rus, atëherë pse shqiptarët nuk qenkan të zotët të përballojnë dhe zmbrapsin një sulm të mundshëm të Serbisë?!”
“Tani ka ardhur momenti që luftës në Ukrainë t’i jepet fund. Duket qartë se Donald Trump ka vendosur ta bëjë këtë në bisedime direkte me Vladimir Putin. A do të thotë kjo se ata të dy do të marrin një vendim kundër Ukrainës, pa e pyetur atë si viktimë?! A do të thotë kjo se presidenti Trump do t’i japë gjithçka, edhe territore të Ukrainës?! Unë mendoj se gjithçka që shohim të flitet e të bëhet është në kuadër të një presioni ndaj Ukrainës, si pala më e dobët e konfliktit. Vendimmarrja është një përgjegjësi shumë e madhe dhe që nuk ka të bëjë me këtë presion. Nëse Ukraina e ha presionin e Uashingtonit dhe Moskës, atëherë është vetë ajo fajtore për zgjidhjen. Por nëse ajo nuk e pranon një zgjidhje të padrejtë dhe të imponuar, atëherë askush nuk mund të imponojë një vendimmarrje për të. Sepse do të përgatitej një konflikt dhe luftë edhe më e madhe se kjo e sotmja”, shprehet profesori.
Nëse Trump ka projekt ndarjen e Kosovës dhe këtë e pranon një Hashim Thaçi tjetër pas tij, atëherë sipas Bytyçit, nuk është faji i presidentit amerikan, por i lidershipit të Kosovës.
“E njëjta gjë duhet thënë edhe për Kosovën. Nëse Trump ka në projekt ndarjen e Kosovës dhe këtë e pranon një Hashim Thaçi tjetër pas atij, atëherë nuk është faji i presidentit amerikan. Është faji i lidershipit të Kosovës. Nëse Trump thotë të ndahet Kosova, kjo nuk përbën tradhti për atë. Tradhti është kur lidershipi i Kosovës pajtohet me humbjen e territoreve dhe pasurve të vendit. Unë nuk besoj se presidenti amerikan do të intervenojë për ta dëmtuar shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Këtë frymë nuk e pashë në letrën e urimit që ai i drejtoi presidentes Osmani me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë së saj.
Por nëse do të tentohet kjo, pra nëse do të ketë përpjekje për t’i imponuar Kosovën një zgjidhje që cenon sovranitetin dhe shtetësinë, atëherë do të duhet që lidershipi i Kosovës të kundërshtojë çdo opsion të tillë. Por para se të ndodhë kjo, është e domosdoshme të ndërtohet një platformë e re me opsione të reja të zgjidhjes përfundimtare dhe njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës”, pohon profesori.
Ai variant më të keq e sheh përpjekjen për ndarjen e Kosovës, por sipas tij, këtë nuk duhet ta nënshkruajë asnjë politikan shqiptar.
“Politika e Trump është politikë e biznesit. Ndoshta përmes opsioneve në këtë fushë mund të neutralizohet çdo përpjekje për ta shkatërruar shtetin e Kosovës. Por le të supozojmë variantin më të keq, përpjekjen për ndarjen e Kosovës. Atëherë nuk duhet të gjendet asnjë politikan shqiptar që e nënshkruan këtë. Madje duhet paralajmëruar se Kosova do të mobilizohet të mbrojë territorin e saj me luftë. Ka dhe do të ketë fuqi evropiane që do të gjenden në krah të Kosovës. Dhe kjo do të bëjë që të mendohet shumë kushdo që beson se mund ta ndajë territorin e Kosovës. Fatmirësisht tashmë, pas Banjskës, askush në botë nuk mund të thotë se veriu i Kosovës “nuk mund të administrohet nga institucionet e Kosovës e nuk mund të mbrohet prej saj”! Lufta e Vlorës e shpëtoi Shqipërinë në vitin 1920 nga ri copëtimi, për t’ia dhënë jugun e saj Greqisë. Banjska e ka shpëtuar Kosovën nga ndarja e saj”, përfundon Bytyçi.
Gashi: Nëse një precedent i tillë pranohet nga Perëndimi, atëherë ky është një alarm për Kosovën

Ngjashmëri por edhe dallime kryesore mes Kosovës dhe Ukrainës, sheh edhe analisti Eduard Gashi.
Sipas tij, në rastin e Ukrainës, po diskutohet për kompromis territorial për hir të paqes dhe nëse një precedent i tillë pranohet nga Perëndimi, atëherë ky është një alarm për Kosovën, sepse hap rrugën për ide të rrezikshme si shkëmbimi i territoreve ose autonomi speciale për serbët e Kosovës.
“Nëse e analizojmë situatën e Ukrainës dhe mënyrën se si fuqitë e mëdha, veçanërisht SHBA dhe Rusia, po diskutojnë pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Kievit, atëherë ky është një sinjal i qartë se interesat gjeopolitike mbeten mbi vullnetin e shteteve të vogla. Për Kosovën, një situatë e tillë do të ishte tepër e rrezikshme dhe duhet shmangur me çdo kusht. Krahasimi mes Kosovës dhe Ukrainës Kosova dhe Ukraina kanë disa ngjashmëri, por edhe dallime thelbësore: 1. Ngjashmëritë: Të dyja janë vende që përballen me kërcënime nga shtete që nuk ua njohin sovranitetin (Serbia për Kosovën, Rusia për Ukrainën). Të dyja kanë mbështetje të fortë nga Perëndimi, por edhe rreziqe që vijnë nga realpolitika e fuqive të mëdha. 2. Dallimet: Ukraina është një shtet me potencial ekonomik, territor të madh dhe një rol të rëndësishëm strategjik për Evropën. Kosova është një shtet më i vogël, i pavarur, por ende i varur nga mbështetja ndërkombëtare dhe me status të papërfunduar në OKB. Në rastin e Ukrainës, po diskutohet për kompromis territorial për hir të paqes. Nëse një precedent i tillë pranohet nga Perëndimi, atëherë ky është një alarm për Kosovën, sepse hap rrugën për ide të rrezikshme si shkëmbimi i territoreve ose autonomi speciale për serbët e Kosovës”, shprehet Gashi.
Ai përmend “këshilla” që Kosova të shmang një skenar të ngjashëm.
Sipas tij, Kosova duhet të nxjerrë mësime nga Ukraina dhe të veprojë para se të jetë vonë.
“Çfarë duhet të bëjë Kosova për të shmangur një skenar të ngjashëm? 1. Forcimi i aleancave ndërkombëtare Kosova nuk mund të mbijetojë e vetme në skenën ndërkombëtare. Rruga e vetme është forcimi i lidhjeve me SHBA, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e tjerë kyç. Roli i Kosovës duhet të jetë aktiv dhe jo pasiv – diplomacia duhet të jetë agresive për të shmangur çdo bisedim për Kosovën pa Kosovën. 2. Rritja e fuqisë ushtarake dhe mbrojtjes Ukraina ka treguar se një ushtri e fortë është jetike për mbijetesën e një shteti të vogël përballë një agresori. Kosova duhet të vazhdojë investimet në FSK dhe të kërkojë mbështetje më të madhe nga NATO, me synimin për anëtarësim të plotë. 3. Harmonizimi i brendshëm politik Luhatjet e brendshme dhe ndasitë politike vetëm sa e dobësojnë Kosovën. Serbisë i intereson një Kosovë e përçarë, sepse kështu është më e lehtë të manovrohet në arenën ndërkombëtare. Prandaj, duhet një unifikim i qëndrimeve politike për çështjet madhore. 4. Përmirësimi i imazhit ndërkombëtar Kosova duhet të punojë për të ndërtuar një imazh të qëndrueshëm si një shtet serioz dhe i parashikueshëm. Kjo përfshin forcimin e institucioneve, eliminimin e korrupsionit dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme. Një shtet që shihet si i paqëndrueshëm është më i cenueshëm në tavolinat diplomatike. 5. Lidhjet me diasporën Shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Perëndim janë një aset i madh. Ata duhet të jenë pjesë e lobimit dhe diplomacisë publike për të siguruar që Kosova të mos mbetet e izoluar. Përfundim Kosova duhet të nxjerrë mësime nga Ukraina dhe të veprojë para se të jetë vonë. Nuk mund të presim që të tjerët të vendosin për ne, por nuk mund të mendojmë as se mund t’ia dalim vetëm. Kombinimi i një diplomacie të fortë, një mbrojtjeje të sigurt dhe një stabiliteti të brendshëm është rruga e vetme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, thekson analisti.
Realiteti sipas Gashit është që Kosova është shtet i pavarur, por i varur dhe pavarësia qëndron mbi themelet e mbështetjes perëndimore, kryesisht të SHBA-së dhe BE-së
“Kosova duhet të jetë e vetëdijshme se ndodhet në një pozitë gjeopolitike jashtëzakonisht të ndjeshme dhe nuk mund të mbijetojë pa aleatë të fuqishëm. Realiteti është ky: Kosova është një shtet i pavarur, por i varur. Pavarësia ekziston, por qëndron mbi themelet e mbështetjes perëndimore – kryesisht të SHBA-së dhe BE-së. Varësia gjeopolitike dhe rreziqet • Në aspektin e sigurisë: Pa KFOR-in, pa NATO-n, Kosova do të ishte e pambrojtur. Kjo është një e vërtetë e hidhur, por e pamohueshme. Rezoluta 1244 ende ekziston – nga njëra anë e ka larguar Serbinë nga Kosova, por nga ana tjetër vazhdon ta mbajë Kosovën të bllokuar. • Në aspektin diplomatik: Çdo iniciativë e re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të ishte një rrezik i paparashikueshëm, sepse Rusia dhe Kina do të punonin kundër Kosovës”.
“ • Në aspektin ekonomik: Kosova është ekonomikisht shumë e dobët për të mbijetuar e vetme. Varësia nga tregtia me BE-në është jetike, dhe kjo do të thotë se Kosova duhet të respektojë rregullat evropiane. Gabimi i shpresës së tepërt- Në të kaluarën, Kosova shpesh ka bërë gabimin duke menduar se mbështetja perëndimore është pa kushte. Por në politikën botërore, interesat janë më të rëndësishme se drejtësia. Ne duhet të kishim mësuar nga historia. Trojet shqiptare janë ndarë sepse fuqitë perëndimore kanë vendosur interesat e tyre mbi të drejtat tona kombëtare. E njëjta gjë mund të ndodhë përsëri, nëse Kosova nuk pozicionohet me mençuri. Rikthimi i besimit të humbur Nuk është sekret që disa partnerë perëndimorë e kanë humbur një pjesë të besimit ndaj Kosovës. Vendimet e gabuara, komunikimi i dobët, jostabiliteti politik – të gjitha këto e kanë bërë Kosovën të duket e pazëvendësueshme, por edhe e paqëndrueshme. Tani duket sikur Kosova po “kthehet me bisht ndër shalë” kur e kupton se nuk mund të mbijetojë e vetme. Kjo është një situatë e rrezikshme”, shton Gashi.
Koordinim të plotë me aleatët, pozicionimi provestik, të mos ketë iluzione për “ndihmë të pakushtëzua”, krjimi i stabilitetit politik të brendshëm, janë disa nga hapat që sipas Gashit, duhet t’i bëjë Kosova, sepse përndryshe rrezikon të shtypet nga real politika e re globale.
“ Çfarë duhet të bëjë Kosova: 1. Koordinim i plotë diplomatik me aleatët • Asnjë veprim i njëanshëm në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë. • Linjë e qartë komunikimi me SHBA-në dhe BE-në. 2. Pozicionimi provestik nuk duhet vetëm të thuhet, por të vërtetohet • Retorika nuk mjafton më. Kosova duhet të dëshmojë se është një partner i besueshëm, jo vetëm një përfitues i ndihmës perëndimore. 3. Të mos ketë më iluzione për “ndihmë të pakushtëzuar” • Politika botërore është e pamëshirshme. Edhe aleatët më të fortë ndihmojnë vetëm kur u intereson. 4. Krijimi i stabilitetit politik të brendshëm • Një qeveri e përçarë e bën Kosovën edhe më të dobët. • Duhet një kurs i qartë për të ruajtur besueshmërinë. Përfundim Kosova duhet të veprojë më me zgjuarsi se kurrë më parë. Nuk mund të mbështetet në drejtësi ose në premtime të vjetra për shpëtim. Ajo që ka rëndësi janë interesat. Dhe Kosova duhet të pozicionohet në mënyrë të tillë që të mbetet e dobishme për aleatët e saj. Përndryshe, rrezikon të shtypet nga realpolitika e re globale. Kush beson se Kosova do të mund të zhvillohej në këto 26 vite në një fuqi të pavarur, gabon rëndë, ashtu siç shihet edhe me shembullin e Ukrainës”, përfundon Gashi.