Rezultatet e fundit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, zyrtarisht nuk janë shpallur ende nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Votat e diaspores ende janë në numërim dhe rezultatet e deri tanishme e kanë nxjerrë sërish fituese Lëvizjen Vetëvendosje.
Vetëvendosje ishte deklaruar që para zgjedhjeve se gara në zgjedhje do të mbahet për vendin e dytë. Nga rezultatet aktuale, Vetëvendosjes i duhen edhe disa deputetë nga partitë tjera për ta formuar qeverinë e re.
Mirëpo, në këtë pikë që jemi, tashmë kanë nisur diskutimet e para rreth qeverisjes së re, koalicioneve të mundshme e çështjeve që do të trajtohen.
Një ndër to, është ajo se si pritet të jetë marrëdhënia Kosovë-Shqipëri gjatë mandatit të qeverisë Kurti 3. A do të ndikojnë zgjedhjet në Shqipëri për t’i rregulluar raportet mes dy shteteve, sidomos në qëndrimet e Shqipërisë që lidhen me Kosovën dhe dialogun me Serbinë?
Prof. Dr. Berisha: Nëse pas zgjedhjeve Shqipëria do të ketë një qeveri të re, ka gjasa që Tirana të ndryshojë qëndrim ndaj disa çështjeve kyçe që lidhen me Kosovën

Lidhur me këtë temë ka folur për ‘Bota sot’, Prof. Dr. Fejzulla Berisha. Ai thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë gjatë mandatit të tretë të Qeverisë Kurti do të varen nga disa faktorë kyç: dinamika e brendshme politike në Kosovë, rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri dhe zhvillimet rajonale, veçanërisht dialogu me Serbinë.
“Gjatë mandateve të mëparshme të Albin Kurtit si kryeministër, marrëdhëniet me qeverinë e Edi Ramës kanë qenë të tensionuara. Këto tensione kanë pasur disa shkaqe kryesore: Qasja e ndryshme ndaj dialogut me Serbinë – Rama ka përkrahur një qasje më fleksibile dhe ka mbështetur nisma që Kurti i ka kundërshtuar, si “Ballkani i Hapur”. Mungesa e bashkëpunimit strategjik – Megjithëse janë mbajtur mbledhje të përbashkëta qeveritare, implementimi i marrëveshjeve ka qenë i kufizuar. Përplasje politike dhe personale – Shkëmbimet e ashpra publike mes dy liderëve kanë ulur nivelin e bashkëpunimit institucional mes dy vendeve. Nëse Kurti siguron një mandat të tretë, ai pritet të vazhdojë me një politikë të pavarur nga Tirana, duke mos e ndjekur automatikisht linjën e qeverisë shqiptare. Në këtë rast, bashkëpunimi do të jetë më shumë teknik sesa politik dhe do të varet nga pragmatizmi i të dyja palëve”, vlerëson ai.
Por, se a do të ndikojnë zgjedhjet në Shqipëri, në këtë drejtim, profesor Berisha thotë se rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri do të jetë një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e raporteve mes dy shteteve.
“Nëse Edi Rama rizgjidhet, marrëdhëniet ka gjasa të mbeten të tensionuara, me një bashkëpunim të kufizuar dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme mbi çështje kyçe, si dialogu me Serbinë dhe nismat rajonale. Nëse në pushtet vjen opozita, mund të ndodhë një ndryshim në qasjen ndaj Kosovës, duke krijuar një mundësi për një bashkëpunim më të balancuar dhe më të harmonizuar në nivel diplomatik”, tha ai.
Ai thotë më tutje se, nëse pas zgjedhjeve Shqipëria do të ketë një qeveri të re, ka gjasa që Tirana të ndryshojë qëndrim ndaj disa çështjeve kyçe që lidhen me Kosovën.
“Një qeveri e re mund të shmangë përfshirjen e drejtpërdrejtë në procesin e dialogut, duke mos mbështetur iniciativa që bien ndesh me interesat e Kosovës. Një qeveri më bashkëpunuese në Tiranë mund të ndihmojë Kosovën në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në sigurimin e njohjeve nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Një qeveri e re mund të ndryshojë qasjen ndaj këtij projekti dhe të fokusohet më shumë në një bashkëpunim dypalësh të qëndrueshëm me Kosovën”, vlerëson Berisha.
Ai thotë po ashtu se, nëse Kurti siguron një mandat të tretë dhe Edi Rama mbetet kryeministër i Shqipërisë, marrëdhëniet mes dy vendeve do të vazhdojnë të jenë të tensionuara në nivel politik, por me një bashkëpunim teknik të detyruar për interesa të përbashkëta.
“Nga ana tjetër, nëse në Shqipëri vjen në pushtet një qeveri e re, ka gjasa që raportet të përmirësohen dhe të krijohet një koordinim më i mirë në çështjet kombëtare dhe diplomatike. Për Kosovën, sfida kryesore mbetet shmangia e një diplomacie pasive dhe ndërtimi i një strategjie të qartë për bashkëpunimin me Shqipërinë, duke e parë atë si një partner strategjik dhe jo si një faktor i jashtëm me të cilin mund të ketë përplasje të vazhdueshme” thotë profesor Berisha për ‘Bota sot”.
Qarri: Shqipëria do duhej medoemos ta marrë shembull këtë kulturë të mirë të organizimit dhe mbarëvajtjes së votimit, nga Kosova
Po ashtu, për këtë çështje ka folur edhe publicisti dhe analisti politik, Gani Qarri. Ai thotë se, në zgjedhjet e 9 shkurtit, në të cilat Republika e Kosovës për herë të parë, që nga pavarësia e vendit, edhe qytetarëve të saj në diasporë, ua ka mundësuar të votojnë qoftë në përfaqësitë e veta diplomatike nëpër botë, apo edhe me postë dhe ku sipas të dhënave zyrtare, mbi 40 për qind e qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë, por fatmirësisht si ditën e votimit, as më parë dhe as më vonë, nuk u regjistrua asnjë incident serioz, edhe Shqipëria do duhej medoemos ta marrë shembull këtë kulturë të mirë të organizimit dhe mbarëvajtjes së votimit, nga Kosova, jo vetëm për mundësinë e votimit të diasporës shqiptare, të cilën tanimë e ka përvetësuar, por dhe të mos ndodhin përsëri vrasje, plagë e kacafytje, përgjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve, as në Shqipëri.

“Duke pasur parasysh se lufta e kryeministrit Kurti është e përqendruar fort në mbrojtjen e kufijve dhe forcimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës, që nga qytetarët vlerësohet si tema më pozitive dhe të një Kosove ku nuk ka as dyshimet më të vogla për frikësimin e gazetarëve, shprehjen e mendimit, mbytjen e fjalës së lirë dhe as presionin ndaj mediave të pavarura, gjë që nuk është kështu edhe në Shqipëri, bëhet edhe më e qartë se vetëm nëse në zgjedhjet e reja, të cilat edhe janë një formë testi për qeverisjen e deritanishme të Edi Ramës në Shqipëri, ndodhë njëjtë si në Kosovë, që të gjithë aktorët pjesëmarrës, pa dallim partie a segmenti dhe grupimi politik, pranojnë edhe votën e lirë dhe legjitimitetin e rezultatit të zgjedhjeve demokratike, përfshi Edi Ramën, lë të shpresohet se zgjedhjet në Shqipëri, do të ndikojnë për t'ë mirë edhe në rregullimin e raporteve mes dy shteteve dhe mund të konsiderohet si nismë për një fillim të mbarë edhe të një qëndrimi ndoshta më demokratik të Shqipërisë ndaj Kosovës”, vlerëson Qarri për ‘Bota sot’.
AI thotë se, nëse një udhëheqës i një partie dhe përfaqësuese të “gardës së vjetër politike” e cila është kritikuar në vazhdimësi për dështimin serioz në reformat e brendshme dhe demokratizimin e vendit të sunduar nga një sistem me perceptimi publik si nga më të korruptuarit dhe të paaftit në Ballkan, për reformim dhe alternativë demokratike, poqe se nuk respekton votën e lirë, rivalët politik dhe demokracinë as në vet Shqipërinë, që në fakt, Kosova jo vetëm në krahasim me Shqipërinë por me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat datojnë shumë kohë më parë, si shtete të lira, po dëshmon me krenari konsolidimin e shpejtë të saj si shtet i pavarur dhe ndërtimin e një demokracie të mirëfilltë e vërtetë të shëndosh, madje shumë më të mirëfilltë dhe demokratike, se në gjithë Ballkanin Perëndimor, nuk mund të pritet qëndrim demokratik e miqësor i Edi Ramës, as ndaj Kosovës.
“E derisa nga një kryeministër si Edi Rama, të lidhur ngushtë me personalitete kontroverse, si Aleksandër Vuçiqi i Serbisë i cili aktualisht po përballet me akuza të fuqishme, nga protestat shumë mujore në mbarë Serbinë, respekti i ndërsjellë dhe qëndrimi demokratik, nuk gjen vend as në Shqipëri, cinizmi, megalomania dhe agresiviteti evident i Edvin Kristaq Ramës, i cili nëse fiton edhe mandatin e radhës, për të barrikaduar "qëndrueshmërinë" e tij politike edhe nën këtë sfond, ai ka mundësi të ndihet mbiqiellor dhe ta humbë fare kuptimin e realitetit dhe të jetuarit tokësor, të bëhet edhe më agravues e jomiqësor me Kosovën dhe të tregohet edhe më vëllazëror me Serbinë dhe kriminelin Aleksandër Vuçiq, veçanërisht nëse Trump e dërgon serish Grenellin, të merret me bisedimet Kosovë-Serbi, i cili për dallim nga pajtimi që kishte marrë nga Thaçi, do ta ketë të pamundur, ta detyrojë edhe kryeministrin Albin Kurti ta pranojë planin e Grenellit, për ndarjen e Kosovës, të cilin Edi Rama, për habi, qysh mandatin e kaluar me plot cinizëm ishte munduar, ta bënte mision të vetin, për t`ia plotësuar orekset kriminelit Vuçiq me tokat më jetike të Republikës së Kosovës”, thekson ai.
Qarri ndër të tjera thotë se, edhe sikur mos të ekzistonin fare fenomenet e lartcekura, as serviliteti i sikletshëm i Thaçit & Co për të falur tokat e Kosovës, me arsyetimin e pajustifikueshëm, të ruajtjes së marrëdhënieve me Grenellin, vet sistemi paqësor i qeverisjes dhe zhvillimi vërtet demokratik i të jetuarit në Kosovë, është një pengesë e madhe dhe sfidë e pa-kapërdishme për Edi Ramën.
“Për të mos thënë edhe armike e sundimit të tij arbitrar, që gjatë mandatit të kaluar, u bë edhe shkas i heshtur, i ftohjes së marrëdhënieve ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe Edi Ramës, duke kaluar disa episode me tensione, ndaj pas zgjedhjeve, ai mund të bëhet edhe më agresiv, për ta luftuar me cinizëm dhe agresivitet të shtuar, depërtimin e frymës demokratike kosovare, në mënyrë që të mos ndodhin ndryshime të njëmendta demokratike edhe në shtetin amë të shqiptarëve, që nënkupton edhe mbajtjen gjallë dhe agravimin e luftës aktive ndaj Albin Kurtit, nga rreziku i drejtpërdrejtë që fryma demokratike e shtetit të Kosovës, mund ti shkaktonte sistemit mafioz dhe autoritar të Edi Ramës në Shqipëri, e cila edhe mbi 30 vite pas ndryshimit të sistemeve, mbetet shtet autoritar, i mbytur nga burokracia, korrupsioni galopant, droga, narkotikët e krimi i organizuar dhe nuk po arrin në asnjë formë, ta konsolidojë demokracinë e njëmendtë në Shqipëri, duke mbetur edhe pas komunizmit, shtet me sjellje dhe mendësinë e diktaturës, prej të cilit nëse nuk ndodhin ndryshime politike edhe atje, nga Edi Rama nuk mund të shpresohet fort, as ndryshimi i raporteve me Kosovën edhe sa i takon dialogut me Serbinë”, thotë Qarri.