Çështja e bashkimit kombëtarë është ndër të parat me të cilën njihet Lëvizja Vetëvendosje. Ata janë thirrur rreth bashkimit edhe kur dikur ishin në opozitë. Madje kur morën pushtetin në zgjedhjet e vitit 2021, opozita vazhdimisht ia përkujtonte kwtw kauzw dhe i kërkonte që Vetëvendosje të mos linte anash.
Vetëvendosje sërish arriti të fitoj zgjedhjet që u mbajtën më pak se një muaj më parë.
Vetëvendosje u mor me shumë ҫështje të rëndësishme rreth Kosovës, duke sjellë sovranitetin në veri të vendit, duke luftuar grupet kriminale serbe, e ndaluar veprimtaritë e jashtëligjshme dhe kriminale serbe, në këtë pjesë të vendit.
Vetëvendosje është zotuar se edhe këtë mandat do të vazhdojë veprimtaritë sikur në mandatin e parë. Mirëpo, a pritet që të ketë hapa drejtë bashkimit kombëtar?
Lidhur me këtë ҫështje, njohësit e politikës kanë thënë se, bashkimi kombëtar është një preokupim i gjithë shqiptarëve për një kohë të gjatë.
Kështu, publicisti Skender Zogaj thekson se ҫështja e bashkimit kombëtar është një preokupim i bartur në ndërdijën e të gjithë shqiptarëve, mirëpo, kushtet dhe rrethanat tepër të rënda zhvillimore nëpër të cilat kanë kaluar, nuk ua ka ofruar as më të voglën mundësi për ta realizuar këtë të drejtë historike dhe etnike territoriale, kur dihet saktë, se Kosova dhe Shqipëria, janë dy pjesë të ndara të një tërësie.
Zogaj: Fakti që Vetëvendosja e ka shprehur më zëshëm nuk e ka favorizuar për marrjen e pushtetit

“Premtimi i aleancës partizane që pas LNÇ të gjithë popujt do të jetonin të lirë dhe gjithkush në tokën, nuk realizohet, sepse Jugosllavia e Titos e tradhton Shqipërinë Londinese të Enver Hoxhën, duke ia aneksuar me forcë Kosovën. Që atëherë ky akt është përligjur nga Bashkësia ndërkombëtare, prandaj, që nga viti 1948 e këtej, deri sot, gjithçka që është thënë ka qenë "dëshirë në erë" e pamundshme që të realizohet! Mendoj pamundësinë e realizimit e ka ditur saktë Vetëvendosjes që nga fillimi, mirëpo, e ka shprehu, sepse, është një çështje që duhet të thuhet, që hapur të bëhet e ditur se, shqiptarët nuk kanë hequr dorë nga kauza e drejtë për bashkim kombëtar”, vlerëson Zogaj.
Ai thotë se, fakti që Vetëvendosja e ka shprehur më zëshëm nuk e ka favorizuar për marrjen e pushtetit, sepse, dihet që, bashkimi kombëtar, pos dëshirës së Kosovarëve është i kushtëzuar edhe nga vullneti i Shqipërisë si dhe bashkëveprimi me faktorin ndërkombëtar.
“Prandaj, bashkimi kombëtar është çështje e komplikuar që nuk mund të realizohet me vullnete të pjesërishme të shqiptarëve, sidomos para se kjo çështje të jetë e miratuar nga dy shtetet shqiptare Kosova dhe Shqipëria”, thekson analisti Zogaj për ‘Bota sot’.
Mehazi: Bashkimi i shqiptarëve mund të bëhet me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kosovës në BE, për ndryshe teza e bashkimit do mbetet "pusto" dëshirë

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe profesori dhe njohësi i politikës nga Maqedonia e Veriut, Sulejman Mehazi. Ai thotë se, bashkimi kombëtar ka mbetur vetëm dëshirë e kamotshme për shqiptarët dhe partitë që nuk mund të realizohet.
“Themi kështu për shkak se rrjedhat politike e gjeostrategjike të fuqive të mëdha nuk lejojnë këtë dëshirë të madhe të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Edhe pse LVV-ja dhe Kurti gjatë mandatit të parë qeverisës erdhi në pushtet duke propaganduar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por kur e mori në dorë qeverisjen i doli përpara pengesa e madhe e Marrëveshjes së Dejtonit, se SHBA-të dhe BE-ja nuk janë për bashkimin kombëtar, por për krijimin e një shteti të ri të Kosovës”, thotë ai.
Sipas profesor Mehazit, heshtja e Albin Kurtit për bashkim kombëtar nuk është e rastësishme, ai me siguri e ka nuhatur se NATO tog me SHBA-të nuk e sulmuan Serbinë për të bashkuar trojet shqiptare, por për të çliruar Kosovën nga terrori vrastar gjenocidial i Millosheviqit ndaj qytetarëve shqiptar të Kosovës.
“Shumë më mirë për shqiptarë është që në Ballkanin Perëndimor të kenë dy shtete, dy qeveri, dy ushtri e diplomaci sesa të bashkuar në një shtet, pra realja e shqiptarëve është Shqipëria shtet më vete, Kosova shtet më vete, kurse dëshira tona për bashkim kanë mbetur iluzione të parealizuara. Amerikanët marrëveshjen historike të Dejtonit nuk mund ta hedhin e ta zhbëjnë për pusto dëshirat tona kombëtare. SHBA-të dhe BE-ja në Dejton ua bëri me dije shqiptarëve, se Shqipëria dhe Kosova do jetojnë si dy vëllezërit që kanë lindur nga një nënë, por jetojnë të ndarë me familjet e tyre”, thotë ai.
Po ashtu, Mehazi thotë se, bashkimi i shqiptarëve mund të bëhet me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kosovës në BE, për ndryshe teza e bashkimit do mbetet "pusto" dëshirë.
“Bashkimi kombëtar nuk bëhet më kokë më vete të Kurtit e LVV-së, por në koordinim me SHBA-të BE, NATO, ku do të pyetet edhe kundërshtari i Kurtit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që është kundër bashkimit me Kosovën”, vlerëson profesor Mehazi për ‘Bota sot’.