Policia e Kosovës tha përmes një njoftimi mëngjesin e 21 shkurtit se kishte kryer kontrolle të objekteve të Qendrës për Punë Sociale edhe në Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, pasi dyshohej se aty ishin kryer veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor, përkatësisht për “falsifikim të dokumenteve”.
Aksion i policisë në veri rezultoi me mbylljen e dy qendrave ilegale, ku dyshohet se përmes tyre qytetarët u kushtëzuan të votonin një parti politike.
E në lidhje me këto mbyllje ka reaguar së fundmi Ambasada e Gjermanisë duke thënë se ekzistenca e institucioneve të financuara nga Serbia, ndër të tjera në fushën e arsimit dhe shëndetësisë është thellësisht e lidhur me krijimin e asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Mbylljen e institucioneve të tilla, ambasada gjermane tha se e shohin të lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Ambasada gjermane beson fuqishëm se ekzistenca e institucioneve të financuara nga Serbia, ndër të tjera në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, është thellësisht e lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASMM)”.
“Kosova u zotua që në vitin 2013 të zbatojë ASMM-në, e cila do të sigurojë kornizën e duhur ligjore dhe institucionale për funksionimin efektiv të këtyre institucioneve. Në këtë drejtim, mbylljen e institucioneve të tilla e shohim të lidhur me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Gjithashtu, kundër veprimit të Ministrisë së Brendshme ka reaguar thuajse i gjithë faktori ndërkombëtar.
E të gjendur në këtë situatë a do të jetë Asociacioni “pika” që duhet ta pranojë Kosova që të kemi rezultate pozitive nga dialogu?
Ahmeti: Dialogu duhet të vazhdojë, por Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë qasjen në dialog
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Ai thotë se Asociacioni mund të formohet mirëpo nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë qasjen në dialog.
“Asociacioni mund të formohet, por nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Çdo tejkalim i kuadrit kushtetues dhe ligjor do të krijonte mundësinë për përfitim të pushtetit të tretë, i cili do të kërkonte gjithashtu ndryshime kushtetuese.
Dialogu duhet të vazhdojë, por Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë qasjen në dialog dhe të heqë dorë nga logjika e standardeve të dyfishta, pasi deri tani kjo ka bërë që dialogu të mos jetë efektiv”, u shpreh ai.
Më tej, analisti përmend edhe një mundësi që mund të ndodhë mirëpo që nuk përkon me profesionalizëm.
“Nëse tentohen që Gjykata Kushtetuese të instrumentalizohet dhe të tejkalojë kompetencat dhe profesionalizmin e saj, mund të ndodhë diçka e “papritur” në vlerësimin e kushtetutshmërisë së draftit për krijimin e Asociacionit, duke e maskuar vlerësimin e kushtetutshmërisë””, foli Ahmeti për “Bota sot”.
Duhanaj: Çdo Qeveri duhet të trajtoj miq të vërte qofshin shtetet e QUINT-it, apo edhe ShBA
Ndërsa analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që është në interes të Kosovës që të kemi integrim të komunitet serb.

Analisti pastaj thotë që çdo qeveri duhet të i trajtoj ndërkombëtarët miq të vërtetë të Kosovës.
“Është në interesin e Kosovës, që komuniteti serb në veri, të integrohet dhe, në ketë kontekst është vepruar deri me ardhjen e Qeverisë Kurti.
Për ta arritur integrimin, duhet nganjëherë të bëjmë lëvizje të mençura, tolerante, në mënyrë që ta kemi me të lehtë mbajtjen nën kontroll të gjerave dhe, përafrimi i harmonisë dhe zgjidhjeve.
Gjithashtu çdo Qeveri duhet të trajtoj miq të vërtet qofshin shtetet e QUINT-it, apo edhe ShBA “, thotë ai.
Në fund, analisti përmend rastin e Ukrainës duke thënë që Kosova është një shtet i tillë që nuk ka forcë të garantoj sigurinë e vetë.
“Ne po e shohim në rasti Ukrainës, se raporti njerëzor dhe raporte është më se i rëndësishëm dhe se slogani i shumë i përmendur, se Amerika ka hyrë në Luftë me Jugosllavisë për i ta çliruar Kosovën, për interesa të veta ekonomike.
Por siç po e demonstron Presidenti Trump, interesi amerikan mbrohet edhe pa pajtueshmëri, apo edhe pa pasur nevojën apo "mëshirën", apo mbështetjen, nga shtete dhe qeveri që edhe ashtu, janë në luftë për ekzistencë.
Kosova është një shtet i tillë, i cili nuk ka forcë të garantoj për sigurinë e vetë, prandaj çdo qeveri që udhëheq me Kosovën, duhet ta ketë parasysh këtë fakt”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.