Për krimet e kryera në Kosovës gjatë kohës së luftës Serbia ende nuk është dënuar.
Sot ka ndërruar jetë Bashkim Deliu, i cili ishte dëshmitar i masakrës së familjes Deliaj.
Ndërkaq, gjatë javës së kaluar, kanë ndërruar jetë edhe disa individë të tjerë që kanë vuajtur pasojat e luftës, si Zejnepe Gashi, Enver Duriqi dhe Bajram Qerkini.
Profesori Milazim Maraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se nuk po arrihet të nxirret Serbia si shtet kriminel para gjyqit për krimet e kryera në Kosovë.
“Vitet po kalojnë, dhe njerëzit po vdesin. Po shuhen dëshmitarët që përjetuan masakra të papara në botë. Askush më mirë se këta që përjetuan masakrimin e familjeve të veta nuk di të dëshmoj, e tani për ditë edhe më pak do të i kemi. Tani edhe pas 27 viteve të këtyre akteve, kriminale, antinjerëzore nuk po arrihet të nxirret shteti kriminel para gjyqit. Shqiptarët kanë shpresuar që shteti jonë do të nxjerr Serbinë para gjyqi për masakrat e viteve para luftës së fundit, ndërsa kjo nuk po ndodhë as për këto që kemi ende njerëz të gjallë. Plotë materiale, dëshmi, shënime, fotografi dhe deklarata nga shqiptarët dëshmitarë dhe këshillat për mbrojtje të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai e ka përmendur ikjen nga kjo botë të dëshmitarëve të krimeve serbe, duke treguar se cila është detyra e çdo Qeverie të Republikës së Kosovës.
“Këto ditë ikën nga kjo botë edhe dëshmitarët e gjallë që përjetuan masakrimin e familjeve të tyre: Zejnepe Gashi, Enver Duriqi, Bajram Qerkini e shumë të tjerë që vdiqën më herët. Kjo heshtje e Qeverisë së Kosovës, kjo paaftësi, kjo mungesë e guximit dhe vullnetit nuk arsyetohet dhe as nuk falet. Ndoshta kështu do të vazhdohet të pritet derisa të mos ketë më dëshmitarë të gjallë dhe pastaj të arsyetohen me justifikimin se "tani nuk kemi dëshmitarë"; ndërsa faji t'u hidhet qeverive të mëparshme. Por kjo nuk do ta arsyetojë asnjë qeveri. Ky është detyrim i çdo Qeverie të Republikës së Kosovës. Marrja me punë të imëta që nuk sjellin sukses është e pafalshme. Mosmarrja me këtë çështje solli shumë humbje në Kosovë, ndërsa përballja e Serbisë me Gjykatën për krime lufte është domosdoshmëri. Mos përballja e saj është jo vetëm gabim!”, ka potencuar ai.
Më tej, Maraj ka theksuar se Serbia tani bën pazare me Kosovën për trupat e pagjetur të shqiptarëve, si dhe nuk po luftohet që Serbia të marrë dënimin që e meriton.
“Serbia tani bën pazare me Kosovën për trupat e pagjetur të shqiptarëve, që vetë i vrau, sepse nuk u thirr në Gjykatë për Gjenocid dhe Krime ndaj Njerëzimit. Serbia tani e shfrytëzon këtë çështje dhe fiton përkrahje edhe për mbylljen e zyrave të spiunazhit serb e rus, degë të qendrës “Humanitare Ruse” në Nish. Kjo heshtje dhe paaftësi diplomatike e solli Kosovën nën sanksione, ndërsa shteti kriminel paraqitet si i dëmtuar, madje edhe si paqësor, që kinse interesohet për të drejtat e serbëve në Kosovë – ani pse serbët kanë më shumë të drejta në Kosovë sesa në Serbi. Kjo heshtje ogurzezë demotivon shqiptarët e Kosovës, të cilët ishin dhe janë të vendosur të mbrojnë vendin e tyre pa marrë parasysh pasojat. Po u vritet shpresa se shteti i tyre kujdeset dhe respekton ata që sakrifikuan shumë. Për këto familje është një zhgënjim i madh. Tani, as shteti për të cilin derdhën kaq shumë gjak dhe sakrifikuan kaq shumë familjarë – deri te familjet që u zhdukën fare – nuk bën asgjë. Ndërkohë, ata shohin përfaqësuesit e institucioneve të tyre duke jetuar me standarde të larta, kurse për zemrat e thyera të atyre që kontribuuan dhe humbën gjithçka, liria nuk ka kuptimin e plotë. Ata qëndrojnë në heshtje dhe nuk luftojnë që Serbia të marrë dënimin që e meriton.
“450 masakra, mbi 13.000 të vrarë, nga të cilët 1.432 fëmijë – ose 14% e të vrarëve – dhe sa e sa të tjerë të gjymtuar, fizikisht dhe psikologjikisht. Mbi 20.000 gra të dhunuara, dhe megjithatë, këta pa fije turpi apo dhimbjeje njerëzore kërkojnë të vizitojnë Kosovën dhe të krekosen para viktimave, sepse njerëzit tanë të zgjedhur janë të dobët, të paaftë, të paguximshëm, të paarsyeshëm dhe të pafalënderues.
Me një pushtet të tillë, këta kriminelë guxojnë edhe të sulmojnë përsëri për të krijuar viktima të reja, sepse kanë përvojë shumëvjeçare dhe e dinë se për vrasjen e shqiptarëve serbët nuk përgjigjen, nuk ndëshkohen. Të mendojmë: si do ta mobilizojmë popullin nëse ka nevojë? Si do të kërkojmë ndihmë nga aleatët nëse ka nevojë? Apo do ta bindim botën se nuk dimë të bëjmë shtet? Në çfarë arsyesh do të mbështetemi? Ky është vetëposhtërim i rëndë, për të cilin nuk mund ta fajësojmë askënd. "Kur ka vullnet, gjithmonë hapen rrugë", ka përfunduar Maraj.