Kur kanë kaluar gati një muaj që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka përfunduar zyrtarisht numërimi i të gjitha votave.
Por edhe pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë, po paralajmërohet një sfidë e rëndë për formimin e qeverisë së Kosovës. Krejt kjo për shkak të rezultatit zgjedhor, ku asnjëra nga partitë politike nuk e mori shumicën për ta formuar e vetme qeverinë, gjë të cilën Vetëvendosje e kishte arritur gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.
Se Kosova do të përballet me probleme për formimin e qeverisë së re, po paralajmëron analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.

“Natyrisht se formimi i qeverisë së re të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe rezultatin që prodhuan, do të jetë sfidë e rëndë në vete, për shkak se partia që doli e para në këto zgjedhje siç është LVV-ja, nuk i ka numrat e mjaftueshëm që ta bëjë e vetme qeverinë e re”, shprehet Haziri, i cili fajtor për këtë e bën kryeministrin e tanishëm, Albin Kurtin.
“Dhe kjo nuk është e vetmja, por këtë sfidë e rëndon akoma edhe polarizimi i skajshëm i skenës politike në Kosovë, e për të cilën ka kontribuar kryeministri në detyrë njeherit edhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, i cili gjatë tërë fushatës në vend se të ofronte program politik dhe të prezantonte të arriturat e qeverisë së tij katër vjeçare, u mor vetëm më fyerje dhe të shara në adresë të kundërshtarëve politikë, duke mos lënë asnjë mundësi komunikimi me partitë e tjera pas procesit të zgjedhjeve”, shton Haziri për “Bota sot”.
“Andaj kur tani në gjeopolitikën ndërkombëtare, kemi zhvillime interesante dhe të shpejta, ku rendi i ri botëror më nuk është konspiracion, por një realitet në ardhje, siç shihet në Kosovë askujt nuk po i bëhet vonë, e sidomos Kurtit që me organizatën e tij politike ka marrë më së shumti vota në zgjedhje, dhe kjo do të jetë me pasoja për Kosovën”, thekson analisti Haziri,
Për fund, Haziri thotë se Kurti duhet të jetë i gatshëm që ta formojë Qeverinë e re, por nëse dështon ta bëjë një gjë të tillë, atëherë këtë duhet ta bëjë partia që doli e dyta në Kosovë.
“Andaj do të duhej që Kurti të vepronte shpejtë në përgatitjen për formimin e qeverisë dhe në rast të dështimit, kjo t’i kalonte partisë së dytë, pasi Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe para vetes ka procese mjaftë të vështira që do ta determinojnë përfundimisht të ardhmen e saj”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri.