Rezultatet dhe “fati” i zgjedhjeve, opinionisti zbërthen skenarët – ka këtë mesazh

Politika

Rezultatet dhe “fati” i zgjedhjeve, opinionisti zbërthen skenarët – ka këtë mesazh

Nga: A.M. Më: 4 mars 2025 Në ora: 13:32
Foto ilustrim

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, morën vëmendje të madhe, por edhe u cilësuan si demokratike dhe të lira.

Megjithatë, Komisioni Zgjedhor i Kosovës u përball me disa probleme të cilat ngritën më pas pikëpyetje të ndryshme.

Rënia e serverit dhe e ueb-faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, telashet me blerjen e kamerave dhe mostrajtimi i duhur i stafit, janë vetëm disa prej problemeve që kanë dalë gjatë rrugës.

E në lidhje me mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor, për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.

Së pari, ai zgjedhjet e fundit ai i cilësoi mjaft të mira, ku tha se qytetarët e Kosovës, e kanë dhënë rezultatin e fatit të tyre.

“Zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, janë ndër matjet më të mira deri me tani, që me barometrin e vet qytetarët e Kosovës, e kanë dhënë rezultatin e fatit të tyre, edhe pse me pakëz vonesë, por me kujdes dhe përkushtim, duke e nxjerr të mundshmen dhe një informim të përgjithshëm se cili subjekt politik do përcaktohet në qeverisjen e ardhshme të vendit”.

Krahas kësaj, Preqi u kthye pas në kohë dhe kujtoi zgjedhjet e para kur filloi organizimi dhe rindërtimi i shtetit.

Image
Dedë Preqi.

Në këtë pikë, ai përmendi edhe keqpërdorimet e mëdha që ndodhën me pushtetin, e për këtë tha se kishte disa fajtorë.

“Ky zhvillim i zgjedhjeve, duke u nisur që nga zgjedhjet e para të organizuara në vendin tonë, kishte një ecuri tjetër, mu atëherë kur filloi organizimi dhe rindërtimi i shtetit të ri, që krijohet me formën dhe funksionin që përcaktuan zgjedhjet e para demokratike të pasluftës, të udhëhequr nga krahu i luftës.

Mirëpo, udhëheqja e krahut të luftës, si fillim i organizimit të shtetit të ri, mund ta merrnim si normale, apo jo normale, për deri sa atyre iu besua lufta dhe çlirimi i vendit, mirëpo kush do ta besonte se një pjesë e madhe e këtyre njerëzve të luftës me marrjen e pushtetit, sikur e eskaluan çdo normë me keqpërdorime dhe keq menaxhimin e pushteteve të tyre, të cilët për një kohë të shkurtër u bënë edhe milionerë në kurriz të popullit dhe në emër të  UÇK-së, përmes veprimeve jo të ndershme apo korrupsionit.

Dhe, çka mund t’i shtojmë kësaj situate, kur për udhëheqjen e tyre flasin më mirë reagimet e qytetarëve të vendit, ku gjendja sociale e rënduar nuk do të ishte vetëm e llojit të thjeshtë, që populli i këtij vendi nuk e ka merituar një gjendje të tillë, që ti kthehet nga pushtetarët e vet”, nënvizoi ai.

Më tej, opinionisti tha se duhet bërë më shumë për shtetin, ndonëse vlerësoi se është bërë pak më shumë në qeverisjen e fundit.

“Po ashtu, do të ishte një fakt i dhimbshëm, nëse projektin e shtet formimit do përpiqemi do ta rrënojmë vet, dhe kjo platformë do ta rëndonte këtë vend edhe më shumë, edhe pse përditë janë kërkesat e ndryshme për të gjetur ndonjë kompromis tjetër, apo më të mirë të funksionimit shtetëror në mes këtyre rrethanave të vështira.

Prandaj, një gjendje e tillë që nuk lakmohet për të mirë edhe pse duket se është bërë pakëz më shumë në qeverisjen e fundit në krye me kryeministrin Kurti, në realitet do duhej bërë më shumë në veçanti për rininë e vendit, e cila në këto kushte ndjehet e pa perspektivë”.

Në fund, shtoi se populli është barometri më i besuar në përcatkimin e subjektit qeverisës, ku për këtë tha se duhet një qeveri pa vota te vjedhura e pa keqpërdorime të mundshme.

“Duke ndodhur në një situatë jo aq të lakmueshme, ku populli kërkon zgjidhje më të mirë, duke u pajtuar me krijimin e një qeverie të re, jo me vota të vjedhura dhe keqpërdorime të mundshme, por me vota të lira të qytetarëve të vendit dhe atyre jashtë vendit në mërgatë, e cila po bënë të pamundurën për të realizuar të drejtën e votës së tyre në atdhe dhe për të sanuar gjendjen e këtij vendi.

Përndryshe, populli do jetë barometri më i besuar, duke e përcaktuar subjektin politik që e meriton udhëheqjen e vendit me ndershmëri dhe përkushtim, si dhe për t’ia kthyer më me përkushtim dinjitetin këtij vendi, njëherazi vota e lirë e qytetarëve të këtij vendi të jetë vendimtare, që do ua caktojë vendin edhe dështakëve dhe gjithë atyre, që abuzuan me lirinë dhe gjakun e bijave dhe bijve të këtij vendi”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat