Kryeministri Albin Kurti, nuk iu përgjigj urdhrit të Gjykatës Themelore për të dhënë dëshmi të martën në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore.
Kurti, që në vend se të shkonte në Prokurori, shkoi në Gjilan për të vendosur gurthemelin e çerdhes së re në Gjilan, tha se nëse Prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë e tij do të duhej të shkonte tek ai në Zyrë të Kryeministrit.
Këtë situatë e ka komentuar për gazetën “Bota sot” publicisti Gezim Mekuli. Ai ka theksuar se ftesa e Prokurorisë Speciale për intervistimin e Kryeministrit Albin Kurti në cilësinë e dëshmitarit është një veprim me prapavijë politike, dhe jo një thirrje e zakonshme për dhënien e një dëshmie.

“Pse Prokuroria Speciale po kërkon me ngulm që Kryeministri Albin Kurti të paraqitet në cilësi të dëshmitarit? A ka kjo ftesë nuanca politike?
Ftesa e Prokurorisë Speciale për intervistimin e Kryeministrit Albin Kurti në cilësinë e dëshmitarit është qartazi një veprim me prapavijë politike. Kjo nuk është një thirrje e zakonshme për dhënien e një dëshmie, por një përpjekje e mirëmenduar për të ndikuar në skenën politike të Kosovës, veçanërisht në një moment kritik. Mos të harrojmë se ftesa u dërgua gjatë fushatës parazgjedhore.
A mund të besohet se një sistem i drejtësisë, i cili për më shumë se dy dekada ka dështuar të trajtojë korrupsionin dhe krimin e organizuar të pushteteve të mëparshme, papritmas është bërë kaq i zellshëm për të hetuar një çështje të tillë, pikërisht kur Albin Kurti është në pushtet dhe në një gjendje të rëndë poltike në Kosovë, në rajon e në Europë? Nëse ky nuk është një skenar i qartë politik, atëherë çfarë është?”, ka thënë Mekuli për gazetën “Bota sot”.
Sipas Mekulit, ky akt duket si një përpjekje e koordinuar për të ndikuar në skenën politike të Kosovës, veçanërisht në një moment kaq të rëndësishëm dhe kritik për vendin. Ai ka shtuar se ftesa është dërguar gjatë periudhës parazgjedhore, çka ngre dyshime të forta mbi motivet e këtij veprimi.
“Për më tepër, ky marifet mafioz është shpallur gjatë fushatës zgjedhore, me një qëllim të vetëm: të dëmtojë figurën e pakorruptuar të Kryeministrit Kurti dhe të ndihmojë rivalët politikë të cilët për dekada e kanë zhytur Kosovën në korrupsion. A mund t’i besohet vërtet një gjykate që, për 20 vjet, nuk ka hetuar asnjë nga ata që kanë përvetësuar pasuritë e Kosovës, por tani kërkon me ngulm të intervistojë Kurtin? Kjo të kujton edhe ftesat e gjykatës së ish – Jugoslavisë (Serbisë) që ju dërgoheshin studentëv, intelektualëve, patriotëve dhe akademikëve shqiptarë; vetëm e vetëm t’i frikësonin, t’i kërcënonin e t’i demotivonin për veprimtaritë e tyre kombëtare e humane. Apo jo?” Konfirmimi i Gjykatës dhe qëllimet prapa tij
Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, e ka obliguar Kryeministrin të paraqitet për intervistim më 4 mars. Ky nxitim për të thirrur një Kryeministër aktiv në një çështje që mund të zgjidhej lehtësisht nëpërmjet procedurave të tjera institucionale, është një tjetër dëshmi se kemi të bëjmë me një lojë të qartë e të pistë politike.
Si ka mundësi që kjo Prokurori, e cila për vite me radhë ka qenë e verbër ndaj korrupsionit të elitave të vjetra politike, papritur po bëhet kaq e vendosur për të hetuar një çështje që prek qeverinë aktuale? A nuk është ky një sinjal i qartë se drejtësia në Kosovë është kapur nga strukturat e vjetra dhe tani po vepron si një mjet për të mbajtur status quo-në e korrupsionit?, pyet Mekuli,
Reagimi i Qeverisë dhe kundërshtimi i këtij "skenari"
Për Mekulin refuzimi i Kurtit për të shkuar në Prokurori është një përpjekje për të shmangur një spektakël të panevojshëm politik dhe mediatik.
Mekuli po ashtu, ka pyetur se si mund të besojmë që një sistem drejtësie, i cili për më shumë se dy dekada ka dështuar të merret me korrupsionin dhe krimin e organizuar të pushteteve të mëparshme, papritmas është bërë kaq i zellshëm për të hetuar një çështje të tillë, dhe kjo pikërisht kur Albin Kurti është në pushtet.
“Zyra e Kryeministrit ka kërkuar që dëshmia e Kurtit të merret në ambientet e qeverisë, duke e argumentuar këtë kërkesë me angazhimet e tij të shumta. Ky nuk është refuzim i bashkëpunimit me drejtësinë, por një përpjekje për të shmangur një spektakël të panevojshëm politik dhe mediatik, e që aq fort e me padurim po e presin porositësit e këtij teatri politik; Beogradi, opozita e Kosovës dhe Rama në Tiranë.
Qeveria e ka bërë të qartë se kjo thirrje është një përpjekje e pastër për të ndikuar në zgjedhjet e 2025-ës. Përparim Kryeziu, zëdhënësi i qeverisë, ka theksuar se ka dyshime të forta për motivet politike të kësaj thirrjeje. Dhe me të drejtë: përse një rast i tillë po merr urgjencë të paprecedentë, ndërkohë që skandalet e shumta të pushteteve të mëparshme vazhdojnë të mbeten të paprekura?”, është shprehur ai.
Ai ka theksuar gjithashtu se ky akt mund të ketë për qëllim të dëmtojë figurën e Kryeministrit Kurti, i cili është njohur për luftën e tij kundër korrupsionit, dhe të ndihmojë rivalët politikë që kanë udhëhequr Kosovën për dekada me korrupsion.
Mekuli tërheq paralele: “Falcone përballë mafias dhe Prokuroria e Kosovës që luan tango me krimin”
Publicisti ka rikujtuar historinë e Giovanni Falcone, prokurorit italian që luftoi kundër mafias në Sicili dhe pagoi me jetën e tij, është një dëshmi e vërtetë e një drejtësie të guximshme dhe të pavarur.
“Ai nuk u ndal para askujt dhe çoi para drejtësisë kriminelët më të rrezikshëm të Italisë”, shprehet ai.
Në anën tjetër, sipas tij, Prokuroria e Kosovës nuk ka treguar asnjëherë guxim për t'u përballur me krimin dhe korrupsionin që ka plaçkitur vendin për dy dekada.
“Përkundrazi, ajo ka zgjedhur të sulmojë figurën e Kryeministrit, ndërkohë që banditët e vjetër vazhdojnë të shijojnë pasuritë e paligjshme që kanë grumbulluar. Shikoni përshembull mediat!
Si ka mundësi që kjo gjykatë nuk po i fton për hetim ata që kanë grumbulluar miliona euro nga fondet publike, ata që kanë ndërtuar vila luksoze, që posedojnë vetura super të shtrenjta, ora dhe diamante? Ku i morën këto pasuri? Pse nuk po shohim të njëjtin zell të Prokurorisë për të hetuar këta individë?
Kjo nuk është drejtësi; kjo është mafiozitet institucional! Dhe kjo që po i bëhet Kryeministrit është skandaloze!”, ka potencuar ai.
Në fund, gjithë këtë situatë publicisti Mekuli e ka konsideruar si “lojë të Serbisë përmes drejtësisë së Kosovës”.
“Albin Kurti ka qenë viktimë e represionit serb. Ai është rrëmbyer nga forcat serbe, është torturuar dhe është dënuar padrejtësisht nga një gjykatë e korruptuar e fashiste serbe. Dhe sot, po tentohet të vihet në të njëjtën pozitë nga një sistem drejtësie që duhet të ishte në shërbim të qytetarëve, e jo në shërbim të lojërave politike të ish-pushtetarëve të korruptuar dhe agjendave të huaja destabilizuese; fillimisht të Serbisë!”, ka përfunduar ai.