Sot kanë nisur manifestimet për 27 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht rënies heroike të familjes Jashari me në krye komandantin Legjendar Adem Jashari.
Por, emërimi si Epope e UÇK-së nuk po konsiderohet i përshtatshëm për publicistin dhe veprimtarin nga diaspora Fatmir Bajraj.
Në një prononcim për gazetën "Bota Sot", Bajraj ka theksuar se Epopeja e Familjes Jashari, një ngjarje e lavdishme që përbën një nga momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës, nuk duhet të ngatërrohet dhe as të abuzohet me emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai ka theksuar se kjo epope ka një rëndësi të veçantë, të veçuar dhe të pandarë nga historia e luftës çlirimtare, duke vënë në dukje se familja Jashari, me liderët e saj legjendarë si Adem Jashari, Hamza dhe Shaban Jashari, ishin pionierët e luftës për liri dhe pavarësi, e jo thjesht pjesë e strukturave të UÇK-së.
“Jo, Epopeja e UÇK-së, por Epopeja e Familjës së Shaban Jasharit me të bijtë; Hamzën e Ademin, dajën e tyre, Osman Geci, si dhe i madh e i vogël i kësaj familjeje emblematike dhe lapidare!
Sot, 27 vjet më parë, nga qëndresa heroike e Familjes emblematike të Shaban Jasharit nga Prekazi legjendar kundër armikut shekullor serbo-sllav, në një përballje epike; dhëmb për dhëmb deri në frymën e fundit dhe rënien sublime në altarin e lirisë.
Duhet theksuar se:
Lëvizja jonë nacionale për liri dhe pavarësi, në krye me presidentin historik Rugova, ishte ngjizje binomike e të dy krahëve të lëvizjes sonë politike-kombëtare kundër pushtuesit të egër serbo-sllav:
Rezistenca aktive paqësore, dhe
Rezistenca e armatosur, si vazhdim i politikës me mjete të dhunës, por imediate.
Familja Jashari ishte dhe mbetet një familje me një histori të ndritur dhe me taban kombëtar në luftë kundër pushtuesve të huaj në të gjitha periudhat e rënda dhe të errëta për kombin dhe atdheun e robëruar, dhe e tillë mbeti sot e gjithë ditën, duke dhënë prova bindëse në ndjenjën e atdhedashurisë dhe sakrificës sublime, vlera këto të trashëguara e të përcjella breza pas brezi!
Komandanti legjendar, Adem Jashari, babai i tij, Shabani, si dhe vëllai Hamza, ishin institucionalistë, me ideologji dhe bindje të djathta politike, dhe vetëkuptohet, ishin kundër ideve majtiste-komuniste, dëmet e së cilës i kishte vuajtur populli shqiptar në ish-Jugosllavinë titiste dhe, me theks të veçantë, Serbisë Rankoviqiste dhe Millosheviqiane.
Adem Jashari, sikurse edhe Hamza e babai Shabani, ishin ushtarë të Republikës së Kosovës, pra ushtarë të atdheut me Komandant Suprem, Presidentin e Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, të cilin jo vetëm e respektonin, por edhe e vlerësuan dhe e çmonin deri në admirim!
Rënia e Ademit pasoi rënien e Zahirit dhe i parapriu asaj të Saliut, tre këta themelues dhe themeltarë të rezistencës së armatosur në kuadër të lëvizjes sonë nacionale për liri dhe pavarësi, tani heronj të Kosovës!
Të thuhet troç:
Ademi është Komandant Legjendar, është dhe Hero, por jo Komandant i UÇK-së, kur s'kishte të tillë para rënies së Tij, kur ky emër iu amputua nga LPK-ja, rezistencës së armatosur kundër Serbisë, fillet e së cilës janë në fillim të viteve '90, dhe Ademi ishte nga themeluesit”, ka thënë Bajraj.
Ai ka theksuar se Adem Jashari kurrë nuk ishte anëtar i LPK-së dhe as i UÇK-së.
“Pra kurrë nuk kishte në uniformën e tij emblemë të UÇK-së, të dizajnuar nga ata të cilët abuzuan me rënien e Ademit dhe familjes, ata të cilët e sabotuan dhe i ndaluan edhe fondet e destinuara për rezistencë dhe, në fund, abuzuan duke e quajtur Komandant legjendar të UÇK-së, për të përvetësuar dhe keqpërdorur rezistencën, meritat dhe emrin e Tij dhe të familjes së Tij zulmëmadhe!
Komandanti legjendar, Adem Jashari, kurrë nuk ishte pjesë e strukturave "politike dhe luftarake" të LPK-së, dhe aq më pak i subordinuar hierarkisë së strukturave të tilla klandestine, të cilat nuk njihnin Republikën e Kosovës, institucionet dhe as presidentin e Republikës së Kosovës për Komandant Suprem të Forcave të Armatosura, konform Kushtetutës së Republikës së Kaçanikut, siç quhej Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dhe nga ky fakt, nuk ishte ushtar dhe as Komandant legjendar i formacioneve të tyre "ushtarake"!
Zatën, në Prekazin legjendar, kemi:
Epopenë e Familjës Jashari dhe jo Epope të "UÇK"-së!
Lëvizja e armatosur e Republikës së Kosovës, e Komandantëve: Sali Çekaj, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, nuk quhej UÇK, por krahu ushtarak i lëvizjes nacionale të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi, në krye me Presidentin Rugova, ka thënë ai.
27 vjet nga rënia e familjes Jashari, përkatësisht; rënia për t’mos vdekur kurrë e Shaban Jasharit me Hamzën, Ademin dhe gati e gjithë familja e Bacë Shabanit, dhe kësaj sakrifice sublime të kësaj familjeje, tani emblemë të shqiptarisë, i vishen një "epitet", duke vënë në lajthitje në mënyrë abuzive me qëllim përvetësimi të meritave të kësaj familjeje, përkatësisht; rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij”, është shprehur ai.
Për Fatmir Bajrajn, epopeja e kësaj familjeje me nam, nuk i rri dhe nuk i shkon epiteti "Epope e UÇK-së", ngase, siç shprehet ai, nuk i rri mirë dhe s’i ka hije mashtrimi, gënjeshtra dhe përvetësimi hileqar nga ana e matrapazëve politikë të cilët synonin pushtetin mbi të gjitha!
“Ademi, Hamza dhe bashkëluftëtarët e Tij, s'ishin pjesëtarë të UÇK-së, ngase të tillë s'kishte, dhe këtë fakt e dinë gjithë shqiptarët bashkëkohës të kësaj familjeje, sikurse e dinë edhe bashkëluftëtarët e Ademit dhe Hamzës dhe vetë Baca Rifat.
S’ka kuptim, s’ka logjikë:
Ata që Ademin pas rënies, e quajtën "Komandant Legjendar të UÇK-së", e kishin me hile dhe me hile e kanë edhe tani, 27 vjet nga rënia dhe sakrifica sublime e familjes së Shaban Jasharit.
Ata që mashtrojnë kur thonë se Ademin Jasharin e njihnin si Komandant të UÇK-së, atëherë nuk e ndihmuan, përkundrazi, e dekonspiruan, ia vodhën fondet dhe në fund e tradhtuan duke e lënë vetëm në betejë dhe në përballje me armikun!
Të tillëve, Ademi, bashkëluftëtarët e Tij dhe as Kosova, kurrë s'ua panë hajrin, përkundrazi!”, ka potencuar ai.
Sipas Bajrajt, historia e rrejshme nuk i shërben askujt, nuk i shërben dhe as s'i bëjnë nder, as Familjes Jashari, dhe s'na nderon as neve si komb dhe atdhe.
“Përfundimisht është koha të thuhet e vërteta lakuriq, sepse vetëm atëherë prehen të qetë në altarin e lirisë, dëshmorët e kombit dhe vetë Kryetrimi - Heroi, Adem Jashari.
Lavdi e nderime të përjetshme, Familjës së Shaban Jasharit!
Lavdi Komandantit Legjendar, Adem Jashari!”, ka përfunduar ai.