Zyrtarët e BE-së paralajmërojnë vizita në Kosovë, analistët “zbardhin” qëllimet: Heqja e sanksioneve...

Politika

Zyrtarët e BE-së paralajmërojnë vizita në Kosovë, analistët “zbardhin” qëllimet: Heqja e sanksioneve...

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 6 mars 2025 Në ora: 09:57
Foto ilustrim

Vizitat e ndërkombëtarëve gjithmonë luajnë një rol të rëndësishëm për vendin tonë, duke forcuar kështu lidhjet mes shteteve edhe më shumë.

E së fundmi është bërë me dije që Kosova do të presë për vizitë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian (BE).

Ky njoftim u dha gjatë kohës që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të hënën shefin e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, ku ndër të tjera është folur për zgjedhjet në Kosovë, dhe për “një sërë vizitash” që pritet t’i kenë zyrtarët evropianë gjatë javëve e muajve në vijim.

“Në takim u diskutua gjithashtu për një sërë vizitash të zyrtarëve të lartë të BE-së, të cilët pritet ta vizitojnë Kosovën në javët dhe muajt në vijim. Këto vizita do të jenë një mundësi e mirë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe BE-së, veçanërisht në fushat kyçe të zhvillimit dhe integrimit evropian”, thuhet në njoftim.

Për këto vizita të ardhshme nuk u dhanë shumë detaje,  mirëpo gjasat janë që të diskutohet edhe për heqjen e masave të BE-së të vendosura ndaj Kosovës, kërkesë kjo e parashtruar në vazhdimësi nga institucionet tona.

Kujtojmë që Presidentja Osmani, ka theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të çuar përpara prioritetet strategjike, me fokus të veçantë në forcimin e institucioneve demokratike dhe përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Kosovës.

Gashi: Kosova nuk dëshiron të paraqitet me arrogancë ndaj BE-së dhe partnerëve të saj perëndimorë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve politike, Eduard Gashi.

Ai thotë se vizitat e ndërkombëtarëve janë një zhvillim i rëndësishëm për raportet e Kosovës dhe BE-së.

Mirëpo sipas tij, Kosova duhet të di që SHBA mbetet partneri kyç dhe mbrojtësi i palëkundur i pavarësisë dhe integritetit të Kosovës dhe se BE po kalon një periudhë ristrukturimi dhe përpjekjeje për ta forcuar veten politikisht dhe gjeopolitikisht.

“Vizitat e zyrtarëve të lartë të BE-së në Kosovë janë një zhvillim i rëndësishëm në një moment kur raportet mes Kosovës dhe BE-së po kalojnë një periudhë tensioni të shkaktuar nga sanksionet e vendosura pas ngjarjeve në veri. Pyetja kryesore që shtrohet tani është: a do të kemi më në fund një lëvizje pozitive drejt heqjes së këtyre sanksioneve? Dhe si ndikojnë zhvillimet gjeopolitike në këtë proces?

Kosova duhet të jetë e vetëdijshme për dy realitete strategjike: Së pari, SHBA mbetet partneri kyç dhe mbrojtësi i palëkundur i pavarësisë dhe integritetit të Kosovës. Së dyti, BE po kalon një periudhë ristrukturimi dhe përpjekjeje për ta forcuar veten politikisht dhe gjeopolitikisht. Këto vizita duhet të shihen në këtë kontekst”, u shpreh ai.

Më tej, Gashi thotë që është koha që BE të ndërmarr hapa konkret ndaj Kosovës në raport me dialogun me Serbinë dhe të mos anshmëri.

Gjithashtu, ai përmend zhvillimet e fundit ndërkombëtare duke thënë që Perëndimi është në një moment vendimtar dhe ka nevojë për partnerë të qëndrueshëm.

Image
Eduard Gashi

“Kosova ka bërë tashmë kompromiset e nevojshme, dhe kjo duhet të thuhet qartë. Marrëveshjet janë nënshkruar, hapa janë ndërmarrë dhe angazhimi i Kosovës për dialog dhe stabilitet ka qenë i qartë. Tani është radha e BE-së që të tregojë me vepra se politika nuk është vetëm një mjet për të kërkuar lëshime të pafundme nga pala më e vogël, por një proces ku angazhimi i sinqertë shpërblehet me hapa konkretë. Besimi te politika rikthehet vetëm kur fjalët dhe veprimet përputhen.

Në këtë kontekst, zhvillimet e fundit ndërkombëtare, veçanërisht lufta në Ukrainë dhe dinamika SHBA-Europë, krijojnë një situatë ku Kosova mund dhe duhet të pozicionohet me qartësi. Perëndimi është në një moment vendimtar dhe ka nevojë për partnerë të qëndrueshëm, për vende që demonstrojnë vlera demokratike dhe stabilitet. Kosova ka qenë dhe mbetet një faktor pro-perëndimor, dhe kjo duhet të kapitalizohet në këto takime”, shpjegon ai.

Analisti tutje kërkon nga BE që të largohen sanksionet ndaj Kosovës që të kemi stabilitet dhe drejtësi.

“Mesazhi që duhet të dërgohet në këto bisedime është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: Kosova është për integrim evropian dhe për paqe, por nuk mund të jetë gjithmonë ajo që bën lëshime pa fund. Nëse BE-ja dëshiron të forcojë rolin e saj në Ballkan dhe të ndërtojë besueshmëri si një aktor serioz politik, atëherë tani është koha për veprim. Heqja e sanksioneve nuk është një favor për Kosovën, por një hap i domosdoshëm për drejtësi dhe për stabilitet afatgjatë.

Në të njëjtën kohë, Kosova nuk dëshiron të paraqitet me arrogancë ndaj BE-së dhe partnerëve të saj perëndimorë, por me mirënjohje për mbështetjen e dhënë deri më tani. Kjo partneritet në baza të barabarta nuk do të thotë që Kosova e sheh veten si një partner të përfunduar. Përkundrazi, është një synim, një rrugë që duhet ndjekur – por gjithmonë me vetëdijen se Kosova historikisht dhe aktualisht u ka shumë borxh partnerëve të saj evropianë dhe transatlantikë”, thotë analisti.

Ndër të tjera Gashi përmend partneritetin që Kosova ka me BE dhe SHBA mirëpo thekson që është koha Serbia ta njoh Kosovën.

“Nga kjo mirënjohje lindin marrëdhënie të qëndrueshme dhe të besueshme, të cilat krijojnë një situatë ku të dyja palët përfitojnë. Kosova është një pjesë thelbësore e Evropës së bashkuar, por njëkohësisht mbetet e vetëdijshme se BE-ja, SHBA dhe partnerët e tjerë kanë qenë vendimtarë për ekzistencën dhe zhvillimin e saj. Ne e dimë shumë mirë se mbijetesa dhe përparimi ynë nuk do të ishin të mundur pa këtë ndihmë. Po ashtu, e vlerësojmë faktin që kjo mbështetje ka qenë gjithmonë e drejtë – asnjëherë e shfrytëzuar, por gjithmonë e udhëhequr nga qëllimi për të arritur më të mirën për të gjitha palët.

Megjithatë, tani ka ardhur koha që Serbia të mësojë nga historia e saj. Kosova ka dhënë kontributin e saj për stabilitet dhe mirëkuptim, dhe tani është koha që ajo të marrë një formë të drejtësisë historike. Një pjesë e drejtësisë, e cila nuk është vetëm një sinjal politik, por një njohje e asaj që Kosova tashmë ka bërë – për veten, për rajonin dhe për Evropën e bashkuar”, foli Gashi për “Bota sot”.

Haziri: Nuk besoj se vizita e zyrtarëve të BE-së në Kosovë mund të sjellë një rezultat që të çojë në heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa analisti tjetër politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet skeptik që këto vizita mund të sjellin rezultate në heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës, pasi nuk ka një konsensus të brendshëm mes shteteve anëtare të BE-së.

“Nuk besoj se vizita e zyrtarëve të BE-së në Kosovë mund të sjellë një rezultat që të çojë në heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës, as për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në raportet SHBA-Ukrainë. Arsyeja për këtë është se nuk ka një konsensus të brendshëm mes shteteve anëtare të BE-së për heqjen e këtyre sanksioneve”, thotë ai.

Në fund, analisti nënvzion bashkëbisedimin duke ngre pikëpyetje që sanksionet e BE-së mund të jenë të lidhura me formimin e Asociacionit.

“Po ashtu, kam frikë se këto sanksione janë tashmë të lidhura ngushtë me hapat konkret që kërkohen nga Kosova për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Unë pres që në këtë vizitë të zyrtarëve të BE-së të kërkohet formimi i shpejtë i qeverisë së re të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, fillimi i zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe finalizimi i saj në Ohër, që gjithashtu nënkupton hapa konkretë drejt formimit të AKS-së, siç e thashë edhe më parë”, përfundoi analisti Haziri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat