Të mërkurën ka përfunduar procesi i numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, që njëherësh ishin edhe votat e fundit që kishin mbetur pa u numëruar.
Lista e Vetëvendosjes së bashku me Guxo dhe Alternativën ka fituar bindshëm më së shumti vota në këto zgjedhje, me 42.28% të votave. Kjo parti ka siguruar 48 mandate.
Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.96%. Kjo parti do të ketë 24 mandate në Parlament.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e treta me 18.43%, që do të thotë se ajo do të ketë 20 mandate.
Ndërsa koalicioni AAK/Nisma ka fituar 7.08% të votave, që atyre u siguron 8 mandate në Parlamentin e Kosovës.
Pesë prej tyre do t'i ketë AAK, ndërsa tre deputetë do të ketë Nisma.
Gjatë kësaj jave, ka përfunduar edhe numërimi i votave nga diaspora, votat nga përfaqësitë diplomatike dhe votat me postë.
Lëvizja Vetëvendosje edhe në këto vota ka prirë duke fituar 44 mijë e 224 vota. Nga votimi nëpër përfaqësi diplomatike, VV ka marrë 12 mijë e 261 vota e nga votimi përmes postës 31 mijë e 963 vota.
Mërgata edhe në zgjedhjet e kaluara, të mbajtura në vitin 2021 ka nxjerrë të parën Lëvizjen Vetëvendosje, në atë kohë me 44 mijë e 252 vota.
Analisti politik Zejnullah Jakupi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka treguar arsyet pse mërgimtarët e kanë votuar VV-në, që sipas tij, kjo parti për herë të parë ua ka mundësuar që të votojnë përmes postës, pranë ambasadave dhe konsullatave në shtete Perëndimore dhe më gjerë.
“Po votohet LVV dhe Albin Kurti sepse LVV është parti me orientim socialdemokrat, kjo do të thotë se i intereson dhe ka bërë shumë dhe po bën për të përmirësuar mirëqenien e qytetareve pa dallim partie politike, religjioni, etnie etj.
Dhe siç e dimë partitë me orientim social-demokrat janë kritike dhe në rend të parë vendosin njeriun, mirëqenien e tij, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e institucioneve dhe forcimin e shtetit dhe natyrisht kur jemi tek Diaspora ,LVV dhe partnerët e koalicionit GUXO dhe ALTERNATIVA kanë qenë gjithmonë me sy e vesh e zemër kah Diaspora, mërgatën tonë dhe kanë mundësuar për herë të parë që të votohet, përpos me postë, edhe pran ambasadave dhe konsullatave në shtete Perëndimore dhe më gjerë, në çdo vend i cili ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, deklaron Jakupi.
Qeveritë dhe partitë e deritanishme nuk kanë bërë asgjë ose fare pak për diasporën, thotë Jakupi, dhe kjo sipas tij, ka bërë që ata ta votojnë Albin Kurtin.
Ai shton se qeveritë e deritanishme e kanë përçarë diasporën.
“Diaspora e voton Albin Kurtin dhe koalicionin sepse qeveritë dhe partitë e deritanishme nuk kanë bëre asgjë ose fare pak për Diasporën, madje e kanë anashkaluar si subjekt politik, pra në rezervimin e vendeve në kuvend e që në të ardhmen mund të shtrohet si temë, nëse 2/3 janë të pajtimit. Qeveritë e deritanishme e kanë përçarë diasporën duke i përkrahur dhe ndihmuar vetëm votuesit e tyre, militantët politik dhe natyrisht edhe tenderët dhe vendet e punës në institucione i kanë rezervuar vetëm për ta, ndërsa qeveria Albin Kurti bëri ndryshimin rrënjësor. Sot në shumë ministri punojnë edhe nën punës që nuk kanë votuar LVV dhe koalicionin por Albin Kurti nuk i nxjerrë nga puna. Pra e votojnë Albin Kurtin se kryeministri ynë dëshiron ta bëjë Kosovën me mirëqenie si përafërsisht shtetet skandinave , por natyrisht për këtë duhet shumë punë dhe përkushtim që deprivatizohen institucionet siç janë bërë deri tani”, thekson analisti.

Në fund, ai konsideron se diaspora po vendos për qeverisjen dhe se ajo e mban gjallë Kosovën e shtetin.
“Pas numërimit të plotë do shpallet fituesi dhe në këtë rast edhe në këto zgjedhje Diaspora po vendos për qeverisjen, formimin e qeverisë dhe ky ka qenë halli i kundërshtarëve politik se diaspora nuk duhet të votojë. Por kjo thirrje është kundërligjore dhe thirrje e dënueshme, pavarësisht se kush e thotë. Diaspora është pjesë e Kosovës dhe arteria kryesore që mban gjallë Kosovën dhe shtetin tone”, përfundon Jakupi.
Pas Lëvizjes Vetëvendosje, partia që është votuar e dyta nga mërgimtarët është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila krahasuar me vitin 2021 që kishte fituar 4 mijë e 287 vota, në zgjedhjet e këtij viti ka fituar 15 mijë e 748 vota nga mërgata.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2021 kishte fituar 5 mijë e 32 vota, ndërsa këtë vit 7 mijë e 53 vota, ndërsa AAK në vitin 2021 kishte 1112 vota, ndërsa këtë vit ka shtuar 746 vota më shumë .