Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në Kosovë/ Driton Tali: Kjo do të ishte këshilla për udhëheqësit të cilët do ta takojnë Rutte

Politika

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në Kosovë/ Driton Tali: Kjo do të ishte këshilla për udhëheqësit të cilët do ta takojnë Rutte

Nga: A.SH. Më: 6 mars 2025 Në ora: 16:04
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars për herë të parë që kur e mori këtë post. Këtë e ka mësuar REL-i nga burimet diplomatike.

Një ditë më herët shefi i NATO-s do ta vizitojë Bosnjë dhe Hercegovinën.

Ndërkaq, gjatë vizitës në Kosovë pritet që Rutte të jetë i shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Ai pritet të takohet edhe me liderët e vendit tonë.

Analisti Driton Tali, në një prononconim për “Bota sot”, shprehet se Rutte duhet t’i kërkohet që të armatoset FSK-ja.

Image
Driton Tali

Tutje, Tali thekson faktin se duke parë edhe situatën në botë, armatosja e FSK-së duhet të jetë prioritet pa marrë parasysh fatin e NATO-s – KFOR-it, që mund ta ketë në të ardhmen e afërt.

Ardhja e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duhet shikuar nga perspektiva e kësaj atmosfere globale të krijuar tashti këto muajt e fundit, me ardhjen e z Trump si President i 47'të i ShBA-së.

Këshilla ime (në realitet insistimi im) për udhëheqësit tanë, të cilët do të takojnë z.Rutte, të bisedojnë thuktë lidhur me mundësitë e armatosjes së FSK-së sepse armatosja e saj në këto rrethana është paramont dhe urgjente. Armatosja e FSK-së duhet të jetë prioritet pa marrë parasysh fatin e NATO-s – KFOR-it, që mund ta ketë në të ardhmen e afërt, duke i patur parasysh zërat që avokojnë se ShBA mund të tërhiqet nga NATO me çka edhe ajo do të zhbëhet. Ndonëse personalisht nuk besoj se një gjë e tillë do të ndodhë por sido që të jetë FSK duhet armatosur.

Unë jam i bindur që sekretari Mark Rutte, si një politikan i rryer (ishte kryeministër i Holandës) dhe njohës i mirë i rajonit, e mik i Kosovës, do të ketë mirëkuptim për këtë kërkesë”, përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat