Dje, (e mërkurë) përfundoi procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Ju njoftoj se në orën 21:00 është përmbyllur procesi i numërimit të më shumë se 15 mijë e 500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të cilat njëkohësisht janë fletëvotimet e fundit që numërohen dhe që i takojnë procesit zgjedhor të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025”, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Ai po ashtu njoftoi se KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa të enjten, me 4 vota për, 3 abstenime u refuzua rekomandimi i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që kishte rekomanduar KQZ-në që të vendosë për hapjen e të gjitha kutive të votimit përmes postës, me qëllim që të rivlerësohen dhe të numërohen të gjitha fletëvotimet që janë shpallur të pavlefshme, në përputhje me vendimin e PZAP-së, ku të njëjtat pastaj, do të hyjnë në rezultate për subjektet politike dhe për kandidatët.
Por, për hapjen e të gjitha kutive të votimit përmes postës ka dalë Vetëvendosje. Sami Kurteshi madje ka ftuar prokurorinë të merret edhe me raste të tjera të dyshimta.
Kurse, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për votat e pavlefshme të ardhura me postë nga diaspora.
Në këtë mënyrë PZAP ka rekomanduar Sekretariatit të KQZ-së që të numërohen përsëri votat e pavlefshme të ardhura me postë nga diaspora.
Në rekomandimin që e ka siguruar media, thuhet që fletëvotimet në fjalë të vlerësohen si të vlefshme dhe të njëjtat të përfshihen në rezultatin përfundimtar.
Por, pas përmbylljes së këtij procesi si do të jenë procedurat deri tek formimi i qeverisë së re?
Në lidhje me këtë, për gazetën “Bota sot” folën njohësit e çështjeve juridike.
Burjani: Deri tani ka ekzistuar një precedent jashtë kushtetues

Juristi Blerim Burjani në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se pas të përfundojnë të gjitha procedurat, atëherë puna bie te presidentja, e cila ka për detyrë të ftojë partinë fituese për të dhënë emrin e kryeministrit dhe që nga ajo ditë fillon afati kushtetues për formimin e qeverisë.
“Duhet të përfundojnë përgjigjet në ankesa në PZAP dhe Gjykatë Supreme, pastaj KQZ ME 2/3 i certifikon zgjedhjet. Pastaj, mbahet një konferencë shtypi ku jepen rezultatet përfundimtare për daljen e qytetarëve në zgjedhje dhe rezultatet për parti në detaje po sikur për kandidatë, më pastaj presidentja duhet ta thërras partinë fituese për të dhënë emrin e kryeministrit, prej asaj dite fillon afati kushtetues për formimin e qeverisë. Ky afat është 15 ditë prej ditës kur presidentja thërret partinë fituese”, tregon procedurat Burjani.
Tutje, ai thotë se nëse partia e parë nuk arrin të formojë qeverinë, atëherë Presidentja e thërret sërish partinë fituese për të propozuar një mandatar të ri, por nëse edhe kjo dështon Presidentja i fton të gjitha partitë për të gjetur një zgjidhje kushtetuese.
“Nëse kandidati i parë nuk arrin të formojë qeverinë, me të njëjtën procedurë, Presidentja e thërret sërish partinë fituese për të propozuar një mandatar të ri, dhe afati për këtë është 10 ditë.
Nëse edhe ky proces dështon, atëherë Presidentja i fton të gjitha partitë për të gjetur një zgjidhje kushtetuese. Duhet theksuar se deri më tani ka ekzistuar një precedent jashtë kushtetues, ku mandati i është dhënë partisë që mund të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë”, shpjegon detajisht Burjani.
Kelmendi: Qeveria ndërtohet mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve

Edhe juristi tjetër, Muhamet Kelmendi thotë se është procedura e njëjtë, dhe se është e përcaktuar me Kushtetutë, gjë që subjekti që ka dalë i pari në zgjedhjet merr mandatin për të formuar qeverinë.
“Çështja e formimit të Qeverisë është e përcaktuar qartë me Kushtetutë. Subjekti që ka dalur në zgjedhje i pari e merr mandatin për të formuar Qeverinë. Ky subjekt kërkohet që të dërgoi mandatarin tek Presidenti/ja. Ky/jo e dekreton mandatarin dhe nga ky çast rrjedh afati kushtetues prej 15 ditëve. Nëse ky subjekt si VV nuk arrin t'i siguroj votat prej 61 deputetëve si të domosdoshme për Qeveri ngarkohet nga Presidenti/ja kandidati tjetër i cili mund të bëjë Qeverinë. Kjo bëhet nga Presidenti/ia brenda 10 ditëve. Edhe ky i ka 15 ditë për t'i siguruar 61 vota në Kuvend për ndërtimin e Qeverisë”, shprehet ai.
Tutje, ai thotë se nëse me herën e tretë nuk arrihet të formohet qeveria, atëherë shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
“Nëse as tash nuk ka vota te mjaftueshme shkohet në zgjedhje të reja parlamentare. I takon VV në rundin e parë të kujdeset për shumicën e votave prej 61 deputetëve në Kuvend.
Natyrisht, se në ruandin e dytë nuk do me thënë të ngarkohet dikush nga VV. Për mandatar vjen subjekti që mendohet se i siguron 61 deputetë në Kuvend. Kjo varet nga Presidenti/ia që mendon se i mandatuari mund të siguron 61 vota. Nëse as tash nuk sigurohen votat shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare”, përmbyll ai.