“Për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, asnjë shqiptar nuk mban pozitat kryesore në ushtrinë e Maqedonisë së Veriut”, kështu kanë thënë nga BDI, pas heqjes së gjeneralit të vetëm shqiptar nga Komanda Operative.
Sipas tyre, këto zhvillime sugjerojnë një prirje drejt udhëheqjes anti-NATO, pro-serbe dhe pro-ruse në Armatë. Integristët i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht NATO-s, të ndërhyjë për të adresuar, siç theksojnë ata “përjashtimin sistematik të shqiptarëve”.
“Për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, asnjë shqiptar nuk mban pozitat kryesore në ushtrinë e Maqedonisë së Veriut. Heqja e gjeneralit të vetëm shqiptar nga Komanda Operative ka lënë shqiptarët pa përfaqësim në katër pozitat më të larta ushtarake. Për më tepër, emërimi i gjeneralëve Orce Jordev dhe Mirce Gjorgevski, të cilët kanë marrë përgjigje negative nga NATO për certifikatat e sigurisë, ngre shqetësime serioze mbi orientimin strategjik të vendit tonë. Për herë të parë, Agjencia e Inteligjencës, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia Ushtarake nuk kanë asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse. Ky përjashtim i qëllimshëm i shqiptarëve nga institucionet kyçe të sigurisë përbën një kërcënim serioz për sigurinë e shtetit dhe ngre pyetje mbi qëllimet pas këtij spastrim etnik në sistemin e sigurisë”, thonë nga BDI.
Ndërkohë, sipas njoftimit të kabinetit të presidentes Silanovska-Davkova, me dekretet e nënshkruara, shefi i shtabit në Komandën e Operacioneve, gjeneral Mirce Gjorgoski, është emëruar komandant i Komandës së Operacioneve në Shtatmadhorinë e Ushtrisë, ndërsa gjeneral Orce Jordevi është emëruar drejtor i Shtatmadhorisë së Ushtrisë.
"Gjenerali i brigadës, Simeon Trajkovski, drejtori aktual i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, është emëruar këshilltar i shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë për trajnim, ushtrime dhe mësime të mësuara", thuhet në njoftim.
Kurse nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës – akuzuan se gjenerali Jordev, ka lidhje me strukturat ruse.
"Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, ndërsa Jordev nuk mori certifikatën e NATO-s katër vjet më parë, sepse ishte i lidhur me strukturat ruse përmes ‘Ujqërve të Natës’, thanë nga ASH – Sela.
Ndërkohë, Besnik Emini, i cili deri tani ishte komandant në Komandën e Operacioneve në Shtatmadhorinë e Ushtrisë, është emëruar këshilltar shtetëror për politikë dhe planifikim në Drejtorinë për Politikë dhe Planifikim, menaxhimin e krizave dhe bashkëpunimin civilo-ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes.
Nga BDI thanë se zhvendosja e gjeneralit Emini nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve, pozitë që sipas partisë përfshin rreth 80% të kapaciteteve operative të ushtrisë, drejt një pozite administrative në Ministrinë e Mbrojtjes, përbën "goditje serioze ndaj rolit të shqiptarëve në ushtri".
Partia i bëri thirrje NATO-s dhe aleatëve ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj këtyre veprimeve dhe të sigurojnë që Maqedonia e Veriut të mbetet e angazhuar ndaj vlerave demokratike dhe partneriteteve strategjike.
Nga kabineti i Silanovska-Davkovas nuk kanë komentuar këto pretendime, por në njoftimin për emërimet thuhet se dekretet hyjnë në fuqi menjëherë dhe se emërimet janë bërë në përputhje me dispozitat e Ligjit të Mbrojtjes.
Po ashtu, nga Zyra e presidentes maqedonase informuan se kolonel Lulzim Nuredini është emëruar komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës dhe me dekret të Presidentit është ngritur në gradën gjeneral brigade.
Sulimani: Shqiptarët asnjëherë s’kanë qenë të diskriminuar sikur në kohën e Nikolla Gruevskit

Analisti Xhenis Sulimani, nuk shpreh habi për veprimet qoftë edhe diskriminuese ndaj shqiptarëve.
Kjo për shkak se në pushtet është njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Gruevskit, ish- sekretari i VMRO- DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
“Shqiptarët asnjëherë s'kanë qenë të diskriminuar sikur në kohën e Nikolla Gruevskit, ish kryeministër. Sot, 7 vite pas qeverisjes së LSDM-së, dhe rrëzimit të regjjmit të Nikolla Gruevskit, në pushtet është njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Gruevskit, ish sekretari i VMRO-DPMNE-së, sot kryetar i saj, Hristijan Mickoski. Duke qenë dëshmitar i ish- regjimit gruevskian, sot s'më habit asnjë veprim i VMRO-së aktuale. Bash, asnjë veprim, qoftë diskriminues ndaj shqiptarëve. Pse? Sepse është e pritshme dhe e paralajmëruar qysh para zgjedhjeve”, shprehet Sulimani.
Sipas tij, fitorja e VMRO-së dëshmon se Maqedonia është e tyre me dozë të madhe të patriokracisë- dominimit absolut të një partie.
“VMRO fitoi zgjedhjet me slloganin "Maqedonia përsëri e jotja". Hynë dhe fituan zgjedhjet, sipas tyre, për t'ua kthyer dinjitetin maqedonasve. Ata qeverisjen e LSDM-së, e vlerësuan si të tjetërsuar, sepse gjysma e pushtetit ishte në duart e shqiptarëve. VMRO e konsideron Maqedoninë vetëm të veten. Prandaj, fitoi zgjedhjet dhe ja edhe demonstrativisht, po dëshmon, se Maqedonia është e tyre me dozë të madhe të partiokracisë- dominimit absolut të një partie”, shton analisti.
Mehazi: Deklarata e BDI-së është në stilin e partive opozitare, për një qëllim, vetëm për të kritikuar e poshtëruar VLEN-in para qytetarëve

Ndërsa, analisti Sulejman Mehazi, deklarimet e BDI-së i konsideron në stilin e partive opozitare.
Ai thotë se mashtrohen njerëzit nëse mendojnë se ushtria e RMV-së është e maqedonasve dhe e shqiptarëve, kjo pasi sipas tij, ajo është një forcë mbrojtëse e NATO-s në RMV.
“Deklarata e BDI-së është në stilin e partive opozitare, për një qëllim, vetëm për të kritikuar e poshtëruar VLEN-in para qytetarëve, gjoja se aq janë të pa aftë saqë shqiptarët kanë humbur të gjitha pozitat udhëheqëse e kryesore në ushtrinë e RMV-së. Dihet se Maqedonia Veriore është anëtare e NATO-s dhe se Agjencia e Inteligjencës, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia Ushtarake e kësaj republike nuk është as nën komandën e maqedonasve, por nën komandën e NATO-s. Mashtrohemi rëndë nëse mendojmë se ushtria e RMV është e maqedonasve pasi nuk ekziston as ushtri e maqedonasve, as ushtri shqiptarëve, por është një forcë mbrojtëse e NATO-s në RMV”, pohon Mehazi.
Ai konsideron se po bëhet luftë politike propaganduese, gjersa shton se të kota janë zëniet e zhurmshme të dy partive shqiptare.
“Këtu vetëm se bëhet një luftë politike propaganduese BDI-VLENI, për poena politike. BDI-ja thotë se ushtria e RMV-së ka mbetur pa gjeneral, në anën tjetër VLENI thotë se për së pari herë në RMV janë avancuar tre gjeneralë shqiptarë. Pra, këto vetëm janë deklarata boshe kundërshtuese BDI-VLEN, asgjë më tepër. Në RMV ekziston ushtria e NATO-s, qartë dhe pikë. Të kota janë zëniet e zhurmshme të dy partive shqiptare, VLEN-BDI, për ekzistencën e gjeneralëve udhëheqës në ushtrinë e RMV-së, pasi gjatë paqes Ministria e Mbrojtjes e ka kuptimin e Ministrisë së Pensionerëve, e cila aktivizohet gjatë luftës. Të gjitha ushtritë e shteteve në botë gjatë paqes janë në gjumë të thellë zgjohen vetëm atëherë kur rrezikohen kufijtë shtetërore”, përfundon Mehazi.