Qeveria e re, dialog i ‘vjetër’/ Zbardhet mesazhi i Sarrazin për negociatat Kosovë-Serbi

Politika

Qeveria e re, dialog i ‘vjetër’/ Zbardhet mesazhi i Sarrazin për negociatat Kosovë-Serbi

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 8 mars 2025 Në ora: 21:30
Manuel Sarrazin

Gjatë një interviste për DW, Manuel Sarrazin, përfaqësuesi i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, ka theksuar rëndësinë e formimit të shpejtë të qeverisë në Kosovë për të mundësuar një angazhim të mëtejshëm në dialogun me Serbinë.

“Ne duhet të presim dhe të shohim se si do të zhvillohet situata politike në Republikën e Kosovës. Do të ishte e dëshirueshme që qeveria të formohej sa më shpejt dhe të përfshihej në dialog. Kjo, sigurisht, pritet edhe nga Serbia. Megjithatë, nuk është në duar tona të vendosim se si do të zhvillohet procesi i formimit të qeverisë në Republikën e Kosovës, kjo është një vendim që e merr vetë Kosova”, tha Sarrazin gjatë intervistës së tij.

Ai theksoi se ka ardhur koha për të intensifikuar përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve konkrete dhe se Peter Sorensen, dërguari i ri special i BE-së, është personi i duhur për të udhëhequr këtë proces.

Me Peter Sorensenin, dërguarin e ri special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kemi një person të ri që do të vazhdojë të udhëheqë këtë proces në emër të BE-së. Bisedat e para që kemi zhvilluar kanë lënë një përshtypje shumë të mirë për të si individ. Ai do të sigurojë që të vendoset një theks i ri në dialog, duke u përpjekur, në të njëjtën kohë, të bëjë përparim përmes punës së thelluar në afrimin e dy shteteve”, theksoi Sarrazin.

Sarrazin u shpreh se dialogu mes dy vendeve ka mbetur i vonuar për shkak të sfidave të tjera në rajon, por shtoi se Gjermania dhe BE-ja do të vazhdojnë të mbështesin punën e institucioneve evropiane dhe negociatorëve.

Mirëpo, ende nuk dihet se çfarë pritet të ndodhë me dialogun deri në procesin e formimit të qeverisë së re dhe si do ndikojë i gjithë ky proces.

Shabani: Një ndër progreset që i ndihmon shumë Kosovës drejt rrugëtimit euroatlantik është progresi në raportet me Serbinë

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani.

Ai u shpreh se kërkesa për formim sa më të shpejt të qeverisë është e duhur, ku përveç dialogut, institucionet e Kosovës duhet të përkushtohen edhe në disa fusha të tjera.

Image
Amir Shabani.

“Kërkesa e formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës është e duhur, pasiqë zhvillimi apo angazhimi me proceset e ngecura duhet vazhduar sa më parë. Përveç përshpejtimit të formimit të qeverisë së re, autoritetet e Kosovës duhet të përkushtohen ta intensifikojnë përpjekien për ta forcuar sundimin e ligjit, administratën publike dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mediave”.

Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Në këtë rast, përmendi edhe skenarin e mundshëm se si mund ta formojë Kurti, qeverinë e re.

“Një ndër progreset që i ndihmon shumë Kosovës drejt rrugëtimit euroatlantik është progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe respektimi i marrëveshjeve.

Deklaratat e kryeministrit Kurti rreth zotimit të formimit të qeverisë i vetëm si VV, duket të jetë e vështirë. Ai ka siguruar 48 ulëse nga 61-shi dhe gjasat janë se ai përgatit skenarin e formimit të qeverisë me minoritetet joserbe që i kanë dhjetë ulëse dhe ndoshta në transferet e disa deputetëve nga opozita aktuale”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.

Hertica: Partitë politike të Kosovës duhet të reflektojnë thellë në lidhje me dialogun me Serbinë

Kurse, opinionisti Ali Hertica në një prononcim për “Bota sot” theksoi faktin se dialogu tash e një kohë është “problem” i qeverisë së Kosovës.

Ai kërkoi ndryshim të qasjes ndaj këtyre negocitave me Serbinë, pasi tha se ndërvite kjo qasje e deri tashme nuk ka sjellë rezultate.

Image
Ali Hertica

“Që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi, e veçanërisht kohëve të fundit, partitë politike në Kosovë kanë qenë të çorientuara në lidhje me dialogun me Serbinë. Qeveria e re përmes dokumentit të publikuar rishtazi, e cila as për së afërmi nuk është një platformë, nuk ka bërë tjetër vetëm se e ka ricikluar konceptin e vjetër të bisedimeve, thelbi i të cilave është kompromise ndaj pakicës serbe në favor të integrimeve ndërkombëtare. Kjo qasje ndaj bisedimeve jo vetëm që nuk ka zgjidhur asgjë, por ka shkuar duke i komplikuar e duke i vështirësuar gjërat. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje që nga fillimi nuk e ka pasur të qartë se çka vërtet i duhet Kosovës të bëjë në këto bisedime. LVV fillimisht ka dalë me qëndrimin kategorik kundër bisedimeve, me sloganin “Jo negociata, vetëvendosje!”, pastaj me 10 kushtet për bisedime, më vonë me konceptin se nuk duhet të bisedojmë me Serbinë, por vetëm me serbët e Kosovës dhe së fundi me tri faza paraprake për bisedime me Serbinë, e që çuditërisht njëra nga fazat parasheh edhe zbatueshmërinë e marrëveshjeve të deritanishme”.

Po ashtu, Hertica foli për mesazhin e Sarrazin, ku vlerësoi se të gjitha subjeketet politike në vend duhet të hartojnë një platformë të përbashkët për bisedimet për Serbinë.

Sipas tij, qeveria e re, por edhe të gjitha partitë tjera pa dallime, duhet të jenë të gatshme për kompromise dhe për pajtime politike me shtetin serb.

“E gjithë kjo tregon qartazi se partitë politike të Kosovës duhet të reflektojnë thellë në lidhje me këtë çështje. Ato duhet doemos të ulen e ta hartojnë një platformë të përbashkët politike për këto bisedime, në qendër të së cilës do të duhej të ishte reciprociteti në të drejta në mes të shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe serbëve që jetojnë në Kosovë, si rregullatori më i mirë i raporteve ndërshtetërore. Sarrazin përmendi arritjen e rezultateve “konkrete” për njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe se për këtë nevojiten kompromise në prag të Procesit të Berlinit, në Gjermani. Por, për këtë kemi nevojë për kompromise dhe nganjëherë madje edhe gatishmëri për koncesione për t’u pajtuar për çështje politike të cilat nuk janë lehta as për Serbinë e as për Kosovën. Kosova dhe Serbia kanë shumë mospajtime dhe dialogu mes tyre për normalizimin e marrëdhënieve, i nisur qysh më 2011, ka ngecur në kohët e fundit dhe palët në vazhdimësi fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve ekzistuese apo për dështim të dialogut, ndërkaq BE-ja thotë se ka mungesë të vullnetit politik për zbatimin e marrëveshjeve”, nënvizoi ai.

Në fund, opinionisti komentoi edhe procesin e formimit të qeverisë, ku tha se cilado parti që vjen në pushtet do përballet sërish me Asociacionin.

“Kabineti duhet t'i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë. Por, ndonëse ata kanë pikëvështrime të ndryshme lidhur me shpeshtimin e përdorimit të fjalës “kompromis” nga këta aktorë, në formulimet e qëndrimeve të tyre të shprehura në publik, megjithatë, që të dy shprehin bindjen se kur bëhet fjalë për kompromisin, ajo ndërlidhet me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, përmbylli Ali Hertica për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat