Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalimit në akademinë përkujtimore për Epopenë e UÇK-së, ka thënë se, luftërat nuk i takojnë veç të kaluarës, dhe ato janë rikthyer në këtë shekull në kontinentin evropian. Ai ka thënë se rreziku i një agresioni ushtarak s’është larg kufijve të Kosovës.
“Në kohën kur shtetet e kontinentit tonë, po investojmë më shumë në pajisje dhe përgatitje ushtarake, edhe ne në Kosovë, që luftën e përjetuam, e mbijetuam në të shkuarën e afërt dhe që rrezikun e një agresioni të hapur ushtarak e kemi jo larg kufijve tanë, po punojmë për pajisjen e FSK-së me armatim modern dhe stërvitjen e saj, sipas artit bashkëkohor ushtarak. Në 4 vitet e fundit e kemi përmbushur kërkesën e NATO-s për dedikimin e së paku 2 për qind të bruto produktit vendor për mbrojtjen. Kemi investuar 319 milion euro për armatim bashkëkohor siç janë dronët “Bayraktar”, sistemet antitank “Javelin”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë po ashtu se përpjekja për sigurinë dhe paqen do të vazhdojë me investimet në siguri, me aleancën e palëkundur me vendet demokratike, SHBA-në, vendet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë, Kanadanë e të tjera, e me bashkëpunimin, sidomos me Shqipërinë.
Ekspertët folën për atë se si mund të ndikojnë në Kosovë, gjithë këto zhvillime gjeopolitike dhe si mund të mbrohet shteti ynë nga një agresion i mundshëm ushtarak.
Bilalli: Gjeopolitika dhe gjeostrategjia botërore po ndryshon me ritme të papara
Së pari, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli.
Ai këtë e ndërlidhi me zvillimet gjeopolitike botërore dhe rreziqet e mundshme që i kanosen Kosovës nga Serbia.

“Këto deklarata te KM Kurti vijnë në kohën kur gjeopolitika botërore ka ndryshuar me të madhe e aq më tepër siguria në kontinentin evropian po përballet me rreziqe të mëdha në aspektin e ombrellës së sigurisë (lufta në Ukrainë, angazhmani amerikanë për arritjen e një plani paqe me Rusinë dhe anashkalimi i Evropës, krijimi i ushtrisë evropiane etj). Të gjitha këto ndryshime kanë ndikim të padiskutueshëm edhe në gjeopolitikën dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit. Në aspektin e sigurisë dhe kërcënimit Kosovës rreziku i vije nga Serbia e cila në çdo kohë varësisht nga ndryshimet në gjeopolitikën botërore mundet të provokoj dhe kërcënojë Kosovën. Pra, varësisht nga dinamika e situatës dhe turbulencave në rrafshin ndërkombëtar, politika serbe tenton të destabilizojë dhe kërcënoj Kosovën”.
Po ashtu, Bilalli nënvizoi rëndësinë e ndryshimit të strategjisë ushtarake nga Kosova, kjo duke krijuar politike në raport me aleatët tanë, BE-në dhe SHBA-në.
“Strategjia e Kosovës në rrafshin ushtarak duhet me tempo të shpejtuar të ndryshojë, ngase forcat e armatosura të R. së Kosovës duhet të modernizohen në nivelin e duhur. Por, politika e jonë duhet të krijojë politika për partneritet strategjikë me dy aleatët më të besuar: SHBA-në dhe Republikën e Turqisë. Të gjitha këto raporte duhet të inicohen (kërkohen) zyrtarisht nga ana e jonë për të arritur një marrëveshje bilaterale strategjike në fushën e mbrojtjes me dy vendet mike”, shpjegoi ai.
Ndonëse, eksperti potencoi faktin se shteti serb e ka shumë të vështirë të hyjë në konflikt ushtarak me Kosovën, e kjo për dy shkaqe.
“Tani për tani, Serbia e ka të vështirë të hy në një konflikt ushtarak apo thënë troq të bëjë agresion klasik mbi Republikën e Kosovës dhe këtë për dy arsye:
1.Vendet anëtare të NATO-s kanë trupat e tyre në kuadër të KFOR-it (përmbi 4000 trupa) të cilat janë të mandatuar të sigurojnë integritetin territorial të Kosovës, që me automatizëm do nënkuptonte në përleshje - luftë mes NATO-s dhe forcave serbe.
2.Serbia sot është e ballafaquar me probleme serioze në politikën e brendshme me protestat masive në Serbi. Ky destabilitet dhe kaosi politikë në Serbi nuk e lejon Serbinë që të marrë aktivitete provokuese në kufijtë e Kosovës, hë për hë, rreziku është i reduktuar për momentin, por nuk do thotë se me ndryshimet në qeverisjen e "re" në Serbi nuk do vijë në pushtet një garnitur e cila mund të jetë edhe më destruktive në raport me Kosovën!”.
Ndër të tjera, ai kërkoi nga qeveria të jetë koordinuese dhe në kontakt të vazhdueshëm me strukturat ushtarake dhe të inteligjencës së KFOR-it.
“Qeveria dhe komponenta e sigurisë së Republikës së Kosovës duhet të jetë koperuse, koordinuese dhe në kontakt të përhershëm me komandantin dhe strukturat ushtarake dhe të inteligjencës së KFOR-it. Është me rëndësi të veçant dhënia dhe marrja e informacioneve mes Qeverisë dhe komandantit të trupave të KFOR-it në Kosovë.
Gjeopolitika dhe gjeostrategjia botërore po ndryshon me ritme të papara, kjo tregon që kemi hyrë në një fazë të paparashikushëme për sigurinë nacionale qoftë në konturat globale, por edhe në ato rajonale”, përfundoi Lutfi Bilalli për “Bota sot”.
Gecaj: BE dhe SHBA kanë dhënë sinjale të qarta se një konflikt i hapur nuk do të tolerohej
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj u shpreh se deklarata e kryeministrit Kurti për rrezikun e një agresioni të hapur, vjen pas tensioneve të vazhdueshme në rajon.

“Deklarata e Kryeministrit Albin Kurti për rrezikun e një agresioni të hapur ushtarak ndaj Kosovës duhet parë në kontekstin e tensioneve të vazhdueshme në rajon, veçanërisht në raport me Serbinë dhe mbështetjen që kjo e fundit merr nga Rusia”.
Gjithashtu, Gecaj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” paralajmëroi se agresioni i hapur ushtarak nuk duhet të përjashtohet, megjithatë ai varet nga disa faktorë, të cilët i shtjelloi më tej.
“A ka rrezik për agresion ushtarak?
Rreziku i një agresioni të hapur ushtarak nuk mund të përjashtohet plotësisht, por ai varet nga disa faktorë:
1. Qëndrimi i Serbisë – Serbia ka rritur ndjeshëm buxhetin për ushtrinë dhe ka zhvilluar stërvitje ushtarake të shpeshta pranë kufirit me Kosovën. Incidenti i Banjskës më 24 shtator 2023 tregoi se grupet e armatosura mund të përdoren për destabilizim.
2.Ndikimi i Rusisë – Përmes Serbisë, Rusia mund të kërkojë të krijojë tensione në Ballkan për të shpërqendruar vëmendjen nga lufta në Ukrainë.
3.Faktorët ndërkombëtarë – BE dhe SHBA kanë dhënë sinjale të qarta se një konflikt i hapur nuk do të tolerohej, dhe KFOR-i mbetet garantues i sigurisë”, nënvizoi ai.
Tutje, eksperti foli mbi rëndësinë e koordinimit të KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Ai dha edhe disa arsye pse ky bashkëpunim është kaq i domosdoshëm.
“Sa është i rëndësishëm bashkëveprimi me KFOR-in?
Bashkëveprimi me KFOR-in është jetik për sigurinë e Kosovës. Ky mision i udhëhequr nga NATO garanton stabilitet dhe është një pengesë kryesore kundër një agresioni të mundshëm serb. Disa arsye pse ky bashkëpunim është i domosdoshëm:
• KFOR-i ka mandat ndërkombëtar për të mbrojtur paqen në Kosovë dhe është forcë e NATO-s.
• Ai siguron një mekanizëm parandalimi ndaj ndërhyrjeve të jashtme, duke u koordinuar me FSK-në.
• Pjesëmarrja e SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë në këtë mision e bën çdo agresion të Serbisë një rrezik diplomatik dhe ushtarak për Beogradin”.
Në fund, ai përmbledhi konkluzionet e tij në lidhje me këtë çështje.
“Përfundim
Kosova nuk përballet me një kërcënim të menjëhershëm të agresionit klasik ushtarak, por rreziku i provokimeve dhe akteve hibride të destabilizimit është real. Në këtë situatë, forcimi i FSK-së, koordinimi i ngushtë me KFOR-in dhe bashkëpunimi me aleatët perëndimorë janë thelbësore për të ruajtur sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.