Zeqiraj tregon se si ia shtuan votat Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje sulmet e PAN-it

Politika

Zeqiraj tregon se si ia shtuan votat Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje sulmet e PAN-it

Nga: A.M. Më: 9 mars 2025 Në ora: 20:35
Idriz Zeqiraj

Më 9 shkurt 2025, u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, doli fituese.

Megjithatë, rruga për këtë fitore nuk ishte e lehtë, pasi partia kaloi nëpër një fushatë të ashpër.

Opinionisti Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot” ka kritikuar mënyrën si u zhvillua fushata, duke theksuar se ka pasur shkelje ligjore gjatë periudhës tre mujore.

 “Procesi zgjedhor dhe numërimi i votave, tashmë, ka mbaruar. Fushata ka qenë korrekte, por me shkelje ligjore në kohëzgjatje prej tre muajsh! Kjo anomali nuk duhej lejuar nga KQZ, sepse dëmet ishin të dukshme: ditë pune të humbura panevojshëm; shpenzime në lëvizje individuale e grupore, në shoqërim të kryepartiakëve në tubime të bujshme; reklama, banderola, fotografi të formateve enorme, të kushtueshme. E gjithë kjo ishte një maskaradë, përpjekje, gadi e dhunshme, për mbushamendje të vjeljes të votave.

Kosova me një zonë zgjedhore, nuk ka sjellur as cilësi dhe as përgjegjësi parlamentare. Një komunë e vogël, ka dhënë më shumë deputetë, se sa një komunë shumëfish më e madhe. Janë provuar se përveç zhurmës boshe e degradim, asnjë të mirë nuk i kanë sjellur Parlamentit. Zgjedhja e ricikluar e tyre, në mandatin vijues, është barrë për jetën parlamentare”, ka thënë ai.

Po ashtu, Zeqirja ka hedhur akuza ndaj partive të PAN-it  për keqpërdorim të pushtetit dhe punësim të militantëve të tyre në pozita kyçe në TMK (Forcat e Sigurisë së Kosovës), Policinë e Kosovës dhe Sistemin e Drejtësisë.

“Partitë-banda të PAN-it, kanë dalë nga Lëvizja Popullore e Kosovës, (LPK). Edhe pse të mangët në asimim, ishin të etshëm për pozita. Kaq shumë u degradua hierarkia ushtarake, sa që profesionistët ushtarakë hapnin llogore, nën komandën e ushtarit, të vetëshpallur "komandant", madje edhe "gjeneral" profan. Struktura profane "ushtarake", e emëruar nga agjenti i shumëfishtë, Hashim Thaçi, me bandën e tij, dëmtoi shumë luftën, të cilët nuk arritën të organizonin asnjë betejë ballore kundër pushtuesit, as shmangien e asnjë masakre. Përkundrazi, kanë urdhëruar ushtarët të zënë prita me kallash, në rrugë rajonale dhe një sulm me tanke i armikut, i vrau të gjithë. Megjithatë, askush nuk dha llogari, madje në festën e çlirimit, këta "komandantë" krekosën për komandimin "taktik e strategjik" të jashtëzakonshëm.

                                  

Krerët e partive të PAN-it, nxituan t`i punësonin militantët e tyre në TMK, Policinë e Kosovës, në Sistemin e Drejtësisë. Kjo përzgjedhje ishte fatale për organet vitale të Kosovës. Është përcaktimi mallkues proverbial i Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës: "Nuk ka krim vrastar politik, hajni zyrtare e krim ordinier, ku nuk janë pjesëmarrës anëtarë të TMK-së dhe të Policisë të Kosovës!" Fushata anatemuese, deri në poshtërsi, e komplet PAN-it, të prirë nga argati i shumëfishtë, i Shërbimeve Informative të shteteve armike të Kosovës, me këshilltar i tre zotërinjve, Baton Haxhiun: Hashim Thaçit, Edvin Ramës, Aleksandër Vuçiqit, kundër Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje të tij, u është kthyer në Bumerang subjekteve politike, të diskriditura dhe krejt  të pareformuara: PDK-AAK-NISMA”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, janë bërë sulme “brutale” kundër disa figurave si Fatos Peci, Donikë Gërvalla, dhe Mimoza Kusari-Lila.

“Hafija i hershëm, Baton Haxhiu, u dërgua nga Tirana, së bashku me këklyshërinë e tij lehaqene, fytyra të urryera zëçjerrëse, me zhargon pezhorativ e rrugaçëror, tërësisht shpifës, u vetëdiskridituan, madje bënë efekt të kundërt. Sulmet brutale, "alla batonçe", kundër Fatos Pecit, Donikë Gërvallës, Mimoza Kusari-Lila dhe të tjerëve, qenë aq të pabesueshme, saqë ua dyfishuan, madje trefishuan votat e elektoratit për ata. Duke lënë modestinë, me një anë, personalisht, në disa shkrime radhazi, i kam bërë thirrje PAN-it, madje jo vetëm atij, t`i lënë shpifjet, sepse do t`u bëhen Bumerang. Dhe, ashtu ndodhi”, ka theksuar Zeqiraj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat