Tashmë procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të nëntë shkurtit ka përfunduar. Nga rezultati i këtyre zgjedhjeve kemi mësuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidati i tyre për kryeministër, Albin Kurti, ka dalë fitues.
Përkundër kësaj fitoreje, Kurti nuk do të mund ta krijojë Qeverinë e re vetëm. Ai do të duhet të bëjë koalicion paszgjedhor për formimin e kësaj të fundit.
Shumica e partive politike i kanë vënë "vija të kuqe" koalicionit me LVV.
Por, për të mos shkaktuar ndonjë krizë institucionale, a mund të ketë ndonjë presion të jashtëm, siç ka ndodhur në disa nga qeveritë e kaluara?
Një gjë e tillë është aluduar edhe nga takime të njëpasnjëshme që kanë zhvilluar krerët e opozitës së fundmi me ambasadorët e QUINT-it. Tema kryesore e këtyre takimeve ishte formimi sa më shpejtë i institucioneve të reja.
Zogaj: Takimet e ambasadorëve të QUINT-it tregojnë shqetësim për formimin e Qeverisë
Analisti politik Skender Zogaj, në një prononcim për 'Bota Sot', ka shpjeguar pasojat që do të ndodhin pas formimit të qeverisë së re.

“Disponimi ndërpartiak i të gjitha partive politike gjatë fushatës parazgjedhore ka qenë shumë i pakëndshëm, madje edhe tepër agresiv, dhe tash pasojat do të ndihen edhe në formimin e qeverisë së re, duke qenë se as partia fituese nuk i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë, ndërsa siç po shihet, mungon vullneti i partive opozitare për bashkëpunim në konstituimin e Qeverisë, e cila për rrethanat aktuale që i ka Kosova, është e rëndësisë jetike për shtetësinë, sidomos në planin ndërkombëtar, që mund të 'hidhërohet' dhe ta ballafaqojë vendin tonë me vendime të pakëndshme, e ndoshta edhe fatale!”, ka thënë ai.
Sipas tij, situata është mjaft dramatike dhe partitë duhet të kërkojnë zgjidhje konstruktive për shtetin.
“Prandaj duhet të konstatojmë se situata është mjaft dramatike dhe se të gjitha partitë duhet të çelin mirë sytë dhe të mos eksperimentojnë shumë, nga etja për pushtet, por të kërkojnë zgjidhje konstruktive për shtetin!
Domosdoshmërisht më e rëndësishmja duhet të jetë Vetëvendosja, sepse ka përgjegjësinë e përfaqësimit të gjysmës së elektoratit dhe duhet të veprojë me kujdes të madh, sepse vendimet janë të rëndësisë historike, më shumë se kurdoherë!
Gjithashtu, edhe partitë e tjera duhet ta kenë parasysh se duhet të jenë të qarta dhe të vendosura, në mënyrë që të mos zhagohet procesi kotas!”, ka potencuar ai.
Më tej, Zogaj i sheh takimet mes partive politike dhe ambasadorëve të QUINT-it si një shenjë shqetësimi nga ana e vendeve të tyre.
“Aktiviteti i shtuar me takime të njëpasnjëshme të ambasadorëve të QUINT-it, është shenjë e shqetësimit të vendeve të tyre. Vizitat nuk janë të protokollit të zakonshëm, por takime për formimin dhe funksionimin sa më të shpejtë të institucioneve! A ka filluar presioni? Nuk mund të them, por nëse nuk ndodh ecja, padyshim që presione do të ketë, sepse kanë skaduar të gjitha afatet e realizimit të obligimeve që klasa politike e Kosovës i ka marrë dhe nuk i ka realizuar. Unë mendoj se, nëse kuptohet drejt momenti aktual i interesave të Kosovës, zgjidhja për formimin e qeverisë nuk është aspak e vështirë”, ka deklaruar Zogaj.
Preqi: U krye numërimi i votave, po fillon formimi i qeverisë

Ndërsa, opinionisti Dedë Preqi ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, duhet t’i vazhdojë negociatat për ndonjë koalicion të mundshëm.
“Tani, pas numërimit të votave të fundit, duhet të fillojnë negociatat për formimin e qeverisë së re, por për të përgjigjur në mënyrë të qartë këtij procesi, do duhej të shqyrtohej gjithë situata e kësaj maratone, e cila zgjati më shumë se do duhej.
Por sa del në skenë nevoja e ngutshme për formimin e qeverisë, padyshim procesi duhet të bazohet në rezultatet përfundimtare, edhe pse LVV, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti, nuk do ta ketë shumicën e deputetëve për ta formuar qeverinë e vetme dhe mbetet të vazhdojnë negociatat për ndonjë koalicion të mundshëm.
Nëse kjo gjë do të ndodhte, verejmë se duhet të formohet një pozitë e fuqishme, edhe pse thuhet se, në këto rrethana, do të jetë e paqëndrueshme, kur asnjëra parti opozitare, siç janë PDK, LDK dhe AAK, nuk kanë vullnet të krijojnë një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka theksuar ai.
Po ashtu, ai ka bërë disa supozime se si do të ishte Qeveria Kurti me parti si LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA.
“Të kemi parasysh se, po e parafytyrojmë LVV, në koalicion me LDK, dhe kjo strukturë të realizohet si një qeveri e ardhshme, të cilën do ta dëshironte një masë e madhe e popullit, por sa do të zgjaste ky mandat i këtij koalicioni për të vijuar më tej, kur asnjëra nuk përputhet në ndonjë pikë të përbashkët, sikur që kishte ndodhur edhe më herët.
Pastaj, supozojmë se PDK, ndoshta nuk ka vija të kuqe për një koalicion të mundshëm me LVV, nëse do të ndodhte kjo, do të krijonte një qeveri të frytshme, që nuk do t’i mungonte as tipari organik i plotë, që do t’i plotësonte të gjitha kriteret e një qeverie të efektshme. Por kur e shohim se, sa është i përgatitur terreni për një koalicion të tillë, situata bëhet e ndërlikuar, sepse lakmia për të marrë rolin e kryeministrit do të ishte shkaktari kryesor i prishjes mes tyre.
Ndërsa me AAK, nuk mund të shohim premisa që do t’i afronte këto dy subjekte politike në mes vete, po ashtu edhe për NISMA, e cila e shpreh vullnetin e saj, në krye me Fatmir Limën, që t’i bashkangjitet LVV, për të krijuar Qeverinë Kurti 3, së bashku me minoritetet jo serbe”, ka deklaruar Preqi.
Sa i përket asaj se a mund të ketë presion nga ambasadorët e QUINT-it për formimin e Qeverisë së re, ai shprehet se do të ishte e pakuptimtë një ndërhyrje e tillë.
“Dhe çka mbetet tjetër, krerët e opozitës i takojnë ambasadorëve të QUINT-it, të cilët bëjnë presion për të formuar sa më parë institucionet dhe qeverinë e re, dhe një gjë e tillë do të ishte e mundur dhe ka energji që merr mbi vete përgjegjësinë, siç është LVV, së bashku me ‘Guxo’ dhe ‘Alternativën’, që veprojnë në kuadrin e jo vetëm të domosdoshmërisë, por edhe të ligjshmërisë.
Do të ishte e pakuptimtë, nëse kërkohet, apo duhet ndërhyrja e QUINT-it për formimin e qeverisë së ardhshme, edhe pse ne mendojmë se përmes tyre do të kemi një stimulim dhe shtyrje të proceseve, por duhet ta marrim parasysh se populli e ka dhënë verdiktin e vet dhe e ka përcaktuar fituesin për të formuar qeverinë e ardhshme, siç është LVV, në krye me Albin Kurti”, ka përfunduar Preqi për ‘Bota Sot’.