“Mos të vonohet krijimi i qeverisë”, vjen paralajmërimi për Kosovën – lidhet me dialogun me Serbinë!

Politika

“Mos të vonohet krijimi i qeverisë”, vjen paralajmërimi për Kosovën – lidhet me dialogun me Serbinë!

Nga: A.M. Më: 10 mars 2025 Në ora: 10:20
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuciq

Manuel Sarrazin, përfaqësuesi i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, gjatë një interviste të fundit ka theksuar rëndësinë e formimit të shpejtë të qeverisë në Kosovë për të mundësuar një angazhim të mëtejshëm në dialogun me Serbinë.

“Ne duhet të presim dhe të shohim se si do të zhvillohet situata politike në Republikën e Kosovës. Do të ishte e dëshirueshme që qeveria të formohej sa më shpejt dhe të përfshihej në dialog. Kjo, sigurisht, pritet edhe nga Serbia. Megjithatë, nuk është në duar tona të vendosim se si do të zhvillohet procesi i formimit të qeverisë në Republikën e Kosovës, kjo është një vendim që e merr vetë Kosova”, tha Sarrazin gjatë intervistës së tij.

Ai theksoi se ka ardhur koha për të intensifikuar përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve konkrete dhe se Peter Sorensen, dërguari i ri special i BE-së, është personi i duhur për të udhëhequr këtë proces.

E në lidhje me këtë deklaratë të përfaqësuesit gjerman, për “Bota sot” ka folur Sylë Ukshini, ish-shef i misionit diplomatik në Tiranë dhe njohës i rrethanave politike.

Si fillim, ai mbështeti mendimin e Sarrazin në lidhje me krijimin sa më të shpejt të qeverisë së re, pasi duhet të forcohet pozicioni i Kosovës në Bruksel e SHBA.

“Manuel Sarrazin, i ngarkuari i posaçëm i qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor në intervistë për DË, në fakt flet nga pozicioni Berlinit zyrtar, i cili ka interes për qëndrueshmëri dhe stabilitet në Evropën Juglindore. Edhe vetë Gjermania dhe kandidati për kancelar Fridrich Merz pas zgjedhjeve federale në Gjermani bëri ftesë për formimin e shpejtë të qeverisë gjermane, duke u nisur nga fakti i zhvillimeve dinmaike transatlantike dhe luftës në Ukrainë.

Shikura nga kjo perspektivë, edhe unë e ndajë mendimin se edhe Kosova duhet të mos vonohet në krijimin e qeverisë së re, pse duhet ndërtuar një pozicion sa më të fuqishëm në Bruksel dhe qendrat tjera evropiane dhe sidomos në Uashington. Madje, unë mendoj se turbulencat politike në Serbi janë moment kur Kosova duhet të fokusohet në ndërtimin e një komunikimi intensiv në SHBA dhe në BE. Në mënyrë që kur të rinisi procesi i dialogut të kapin hapim dhe momentumin e duhur. Unë mendoj se tani më shumë se agjendat partiake, duhet ndjekur agjendën shtetërore të Kosovës sepse zhvillimet ndërkombëtare janë shumë dinamike dhe Kosova duhet të lëvizi shpejt dhe në drejtimin e duhur”.

Image
Sylë Ukshini, ish-shef i misionit diplomatik në Tiranë

Krahas kësaj, ai foli edhe për mbarëvajtjen e procesit te dialogut.

Ukshini foli edhe për largimin e Lajçakut dhe e cilësoi sinjal të mirë ardhjen e Sorensen, megjithëse, tha se nuk mund të pritemn ndryshime nëse dialogu zhvillohet me qasjen e deritanishme.

“Është mirë kur një i dërguar i dialogut të BE-së e ka përkrahjen e Berlinit, por në fakt edhe pa një përkrahje të tillë edhe nuk mund të zgjidhen. Është e vërtetë se i dërguari i Peter Sorensen ka një eksperiencë të gjatë me Ballkanin dhe kjo është pozitive dhe mbi të gjitha nuk është një profil si Lajçak, i cili vinte nga një vend mosnjohës dhe që ishte i angazhuar kundër shtetësisë së Kosovës. Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia nuk shënuan asnjë progres në dialogun për normalizim, edhe pse në Ohër, dy vite më parë, ato kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, e cila mbeti e pa implementuar deri më sot edhe për fajin e BE-së.

Edhe pse Peter Sörensen, i ngarkuari i ri posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, synon të çojë përpara këtë proces mes Kosovës dhe Serbisë, ky dialog mendoj se nuk mund të ecën përpara për aq kohë sa dialogu zhvillohet në shinat e deritanishëm. Në rend të parë, unë mendoj se duhet të ndryshojë qasja e BE-së së dialogut, si në përmbajtje ashtu edhe në aspektin kohor. Nëse mbështetemi në përvojën e bisedimeve në Rambuje dhe në procesin e Vjenës (2006-2007), atëherë e kuptojmë se qëllimi i Serbisë në këto bisedime asnjëherë nuk ka qenë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Por, vetëm blerja e kohës dhe vonesa e Kosovës dhe pengimi i saj për integrim në sistemin ndërkombëtar. Mendoj se vendet si Gjermani, Franca dhe Italia bënë gabim fatal kur e ndihmuan pozicionin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE). Ky veprim e ka vrarë dhe e ka trimëruar pozicionin zvarritës dhe sabotues të Serbisë si dhe i ka dhënë pronësi Serbisë për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Sikur të pranohej Kosova në KiE, dialogu do të fitonte dinamik të re, sikur Kosova të pranohej në KiE, Kosova nuk do të hiqej kërkesa e saj agjenda kërkesa për t’u bërë mysafire speciale në Asamblenë e KiE-së”, shtjelloi ai.

Tutje, ish-shef i misionit diplomatik në Tiranë kritikoi ashpër BE-në për qasjen që deri tash ka pas ndaj Kosovës, duke thënë se po ia nënshtrohet pesë vende mosnjëhëse të shtetit tonë.

“Nëse nuk ndryshon kjo qasje, atëherë edhe Soren Petersen nuk ka çfarë të bëjë sepse problemi kyç është BE-ja e cila i nënshtrohet qëndrimit të pesë vendeve mosnjohëse, të cilat që nga viti 2007 kanë ndjekur linjën dhe qëndrimin rus dhe serb dhe ajo atë amerikan dhe të Brukselit. Në këtë mënyrë, këto pesë vende janë bërë vetë shkaktare të mossuksesit të BE-së në Kosovës dhe në këtë mënyrë direkt apo indirekt e kanë ndihmuar pozicionin rus, i cili përfaqëson synimin për të penguar etablimin e suksesit të BE-së në Kosovë dhe në rajon.

Për aq kohë sa BE-ja mban një qëndrim neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, një shteti në Evropë, dhe në anën tjetër angazhohet për fuqizimin e shtetësisë së Palestinës në Lindjen e Mesme, tregon se nuk ka prioritete të duhura në politikën e jashtme. Përveç kësaj, nëse dialogu ka filluar me Rezolutën e Asamblesë të OKB-së, më 9 shtator 2010, atëherë BE-ja është dashur që për çdo marrëveshje të rëndësishme ta informonte AP dhe t’u bënte thirrje vendeve të OKB-së që ta mbështesin një rezultat të tillë dhe në këtë mënyrë të ndikonte në fuqizimin e pozicionit njohës ndërkombëtar të Kosovës në parketin ndërkombëtar”.

Në fund, ai shtoi se dialogu duhet të jetë i afatizuar në kohë dhe i kornizuar mirë në përmbajtje, dhe jo të vazhdohet të amnestohet shteti serbe për të bëmat e tij.

“Dialogu ndihmohet duke e njohur Kosovën nga të gjitha vendet e BE-së, duke e afruar me institucionet ndërkombëtare, dhe jo duke pretenduar se një herë normalizimi, pastaj njohja. Kjo strategji nuk ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë asnjëherë. Derisa e pengon Kosovën të anëtarësohet në KiE dhe i vendos atë në bankën e të akuzuarit në Gjykatën Speciale, nuk bënë gjë tjetër, pos e amneston Serbinë për gjithë atë çfarë ka bërë në Kosovë, krime dhe vuajtje, spastrime etnike të papara që nga Lufta e II Botërore. Natyrisht, kjo i ndihmon Serbisë të përmbysë narrativen e gjithë historisë së Kosovës dhe e lë të padënuar doktrinën e Serbisë së madhe. Edhe një herë po e potencoj, dialogu duhet të jetë i afatizuar në kohë dhe i kornizuar mirë në përmbajtje, ndryshe do të dialogojmë edhe 14 vite të tjera dhe do të mbetemi aty se a duhet hapur apo jo ura mbi lumin Ibër”, përmbylli Sylë Ukshini për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat