Beogradi po vazhdon me avazin e vjetër duke i penguar Kosovës në përpjekjet e saj për të marrë statusin e mysafirit special në Këshillin e Evropës.
Kosova hasi edhe në një pengesë tjetër gjatë javës së kaluar në Këshillin e Evropës (KiE), pasi kërkesa e saj për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, u hoq nga rendi i ditës të mërkurën.
Serbia, përmes delegacionit të vet në këtë Komitet, por edhe përmes kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, u krenua për këtë arritje, duke e quajtur si fitore të madhe të Serbisë në mbrojtjen e interesave kombëtare.
Shkelja e Marrëveshjes së Ohrit nga ana e Serbisë, ka bërë që të reagojë edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është pajtuar me reagimin e Bashkimit Evropian dhe ka theksuar se Gjermania mbështet fuqishëm Kosovën.
Ai ka shprehur se: ‘Bashkimi Evropian ka reaguar me forcë: Veprimet e Serbisë në Këshillin e Evropës që pengojnë përparimin e Kosovës shkelin Marrëveshjen e Ohrit 2023. Gjermania qëndron me Kosovën, duke mbështetur aspiratën e saj për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës dhe duke ndihmuar në sigurimin e votave bazuar në meritat e saj’’.
Mirsad Voca: BE-ja duhet të ndërmarrë masa konkrete ndaj Serbisë për shkeljet e vazhdueshme

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar deklaratën e ambasadorit gjerman, duke thënë se ajo ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën
“Deklaratat e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, konfirmojnë edhe një herë mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe për sovranitetin e saj. Kritikat e tij ndaj Serbisë për mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për moszbatimin e obligimeve që dalin nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dëshmojnë qartë se bashkësia ndërkombëtare po e sheh me shqetësim qasjen destruktive të Beogradit. Ky qëndrim është i rëndësishëm për Kosovën, sepse tregon se aleatët tanë perëndimorë nuk po bien pre e politikave të Serbisë, e cila vazhdon të minojë paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë ai.
Po ashtu, Voca ka folur edhe për çështjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë nga Bashkimi Evropian.
“Në këtë kontekst, shtrohet pyetja e pashmangshme: A duhet që Bashkimi Evropian të ndërmarrë masa konkrete kundër Serbisë? Përderisa Kosova është përballur me masa ndëshkuese të padrejta pas vendimeve sovrane të saj, Serbia nuk ka pasur pasoja reale për shkeljet e saj të vazhdueshme të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Këto masa të padrejta ndaj Kosovës vetëm sa e kanë inkurajuar Serbinë të sillet edhe më agresivisht, ashtu siç ka traditë të veprojë historikisht. Ani pse, unë kam mendimin se Serbia nuk është e interesuar për atë marrëveshje, sepse ajo është e interesuar ta mbajë rajonin në tension të përhershëm. Këtu, Kosova nuk duhet të bie bre dhe vazhdon të mos bie pre e pretendimeve serbe të paqena. Nëse vërtet dëshirohet që dialogu të prodhojë rezultate dhe të ketë një proces serioz, atëherë Serbia duhet të përballet me pasoja konkrete. Nuk mund të ketë stabilitet në Ballkan pa ndëshkim për ata që e pengojnë atë”, ka deklaruar ai.
Më tutje, Voca ka theksuar se është momenti që BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë të dëshmojnë me vepra atë që thonë me fjalë.
“Për më tepër, pranë faktorit ndërkombëtar, Kosova duhet të mbetet gjithnjë e gatshme të zbatojë marrëveshjen, por vetëm si tërësi, kur Serbia pranon atë me të njëjtin seriozitet. Kjo qasje do të nxisë një angazhim të vërtetë dhe do të shmangë zbatimin e një marrëveshjeje të njëanshme, duke nxitur përfundimisht një dialog të balancuar dhe të drejtë.
Ky është momenti që BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë të dëshmojnë me vepra atë që thonë me fjalë. Përndryshe, çdo marrëveshje e arritur me Serbinë do të mbetet vetëm një dokument i pavlerë, i shkelur sa herë që Beogradi ta konsiderojë të përshtatshme për interesat e tij”, ka potencuar Voca.
Halili: Deklarata e Ambasadorit Rohde pasqyron mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë për Kosovën

I të njëjtit mendim si parafolësi është edhe profesori Nijazi Halili, i cili shprehet se deklarata e ambasadorit Rohde është një pasqyrë e qartë e angazhimit të Gjermanisë për Kosovën.
“Deklarata e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është një pasqyrë e qartë e angazhimit të Gjermanisë për Kosovën dhe një reagim ndaj veprimeve të Serbisë në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare. Rohde theksoi se Gjermania është plotësisht në krah të Kosovës, duke e mbështetur atë në rrugën e saj përpara. Po ashtu, ai kritikoi Serbinë për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se BE ka reaguar gjithashtu në mënyrë të qartë ndaj këtyre shkeljeve. Kjo deklaratë ka shumë rëndësi, pasi pasqyron pozicionin e Gjermanisë, një aktori kyç në BE dhe në politikën ndërkombëtare, për zhvillimet në Ballkan.
Gjermania ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Kosovës, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për pavarësinë e saj dhe integrimin në strukturat ndërkombëtare. Përkrahja që Ambasadori Rohde shpreh për Kosovën është një tjetër konfirmim i angazhimit të Gjermanisë për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës, si dhe për t’i dhënë një mbështetje të fortë procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ky pozicion i Gjermanisë është edhe një mesazh për aktorët ndërkombëtarë, përfshirë Serbinë, që Kosova ka mbështetje nga një shtet i fuqishëm dhe i influencuar në proceset evropiane”, ka thënë ai.
Profesori Halili ka shpjeguar se çfarë do të thotë qëndrimi i Gjermanisë dhe ka paralajmëruar se mund të ketë pasoja për Serbinë.
“Në këtë kontekst, përkrahja e Gjermanisë është më shumë se një mbështetje diplomatike; ajo ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e Kosovës. Në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë ende të pranishme dhe marrëdhëniet mes dy vendeve janë të komplikuara, mbështetja e Gjermanisë është një shtysë e fuqishme për Kosovën për të vazhduar rrugën e saj të zhvillimit dhe stabilitetit.
Deklarata e Ambasadorit Rohde që e kritikoi Serbinë për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit është shumë e rëndësishme. Marrëveshja e Ohrit është një dokument kyç për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ka për qëllim të garantojë të drejtat e grupeve pakicë dhe të krijojë një mjedis të qëndrueshëm për paqe dhe siguri në rajon. Shkeljet e këtyre marrëveshjeve dëmtojnë besimin dhe e bëjnë më të vështirë arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë. Kritikimi i Serbisë nga ana e Gjermanisë është një mesazh i qartë që e bën të ditur se çdo akt që minon marrëveshjet ndërkombëtare, veçanërisht ato që janë të rëndësishme për stabilitetin rajonal, nuk do të tolerohet.
Gjithashtu, ky qëndrim është një paralajmërim për Serbinë që veprimet e saj që kundërshtojnë proceset e dialogut dhe marrëveshjeve ndërkombëtare mund të kenë pasoja për integrimin e saj në BE. Në këtë kuadër, kritikimi i Serbisë nuk është vetëm një çështje e respektit të marrëveshjeve të nënshkruara, por edhe një mesazh për të nënvizuar se pa një angazhim të plotë për normalizimin e marrëdhënieve, perspektiva evropiane e Serbisë do të mbetet në dyshim”, ka vlërësuar ai.
Tutje, profesori ka folur edhe për masat ndëshkuese ndaj Serbisë, duke shpjeguar se në çfarë mënyre mund të ndikojnë ato.
“Përsa i përket mundësisë për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë, kjo është një çështje komplekse. Megjithëse shkeljet e përsëritura të marrëveshjeve mund të justifikonin një masë të tillë, duhet marrë parasysh se sanksionet mund të kenë efekte negative dhe mund të përshkallëzojnë tensionet në rajon. Për më tepër, Serbia është ende një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe çdo masë ndëshkimore mund të ndikojë në procesin e saj të integrimit. Në këtë kuadër, BE ka një mundësi të madhe të përdorë mjete të tjera të diplomacisë dhe presionit për të detyruar Serbinë të respektojë marrëveshjet e nënshkruara, përfshirë ndihmën për zhvillim dhe shërbime të tjera që mund të përdoren si stimul për të përmbushur angazhimet e saj.
Megjithatë, është e qartë që duhet të ketë një veprim të koordinuar nga Bashkimi Evropian dhe aktorët ndërkombëtarë në këtë drejtim, dhe sanksionet duhet të jenë një mjet i fundit, pasi ato mund të shkaktojnë efekte të papritura që do të mund të dëmtonin më shumë se të ndihmonin. Megjithatë, një presion i vazhdueshëm dhe një reagim i fortë ndaj shkeljeve të vazhdueshme mund të jetë mënyra më e mirë për të arritur një ndryshim në sjelljen e Serbisë dhe për të siguruar se marrëveshjet e Ohrit dhe të tjera do të respektohen”, ka përfunduar Halili për “Bota sot”.