Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, ka qëndruar të martën në Prishtinë me që rast është takuar edhe me krerët e shtetit.
Ai ka thënë se aleanca ushtarake perëndimore është e përkushtuar për sigurinë në Kosovë dhe qëndrueshmërisë në rajon, ndërsa theksoi se bisedimet Kosovë - Serbi janë e vetmja mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Rutte është takuar edhe me trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, që janë misioni më i madh dhe më afatgjatë i aleancës. Aktualisht rreth 4 mijë e 600 trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë, ne mesin e tyre rreth 600 trupa janë nga Shtetet e Bashkuara.
Sekretari Rutte ka thënë se një rajon i sigurt i Ballkanit nënkupton më shumë siguri gjithandej zonës euroatlantike.
“Dekadat e paqes së arritur me vështirësi nuk duhet të rrezikohen. KFOR-i është plotësisht i gatshëm për t’u përballur me çfarëdo zhvillimi që ka të bëjë me sigurinë. Në këtë kuadër ne presim të vazhdojmë bashkëpunimin ndërmjet Prishtinës dhe KFOR-it në pajtim me përkushtimin prej dekadash”, tha zoti Rutte duke nënvizuar se qëndrueshmëria e rajonit varet nga të gjitha palët që duhet të zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës.
“Zgjidhja për paqe afatgjatë është politike”, deklaroi Rutte duke theksuar se NATO-ja do të vazhdojë të mbështes normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Kjo tha ai, është rruga e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve.
“Për ta çuar këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjatë”, shtoi ai.
Duke komentuar vizitën e shefit të NATO-s në Kosovë, Mark Rutte, analisti Afrim Kasolli thotë se Kosova ndodhet në një situatë diskuatbile.
Ai ka dhënë dy arsyet kryesore për vizitën e shefit të NATO-s në Kosovë.
“Kosova ndodhet në një situatë diskutabile sa i përket ambientit post-zgjedhor, dhe nëse e përcjellim një deklaratë të mëhershme, dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar se, siç duket, qytetarët e Kosovës votuan për një qeveri të koalicionit dhe jo ashtu siç ka qenë deri më tani. Dhe këto kërcënimet e sigurisë që mund të vijnë nga Serbia, por edhe situata e paqartë në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, mund të jenë dy arsyet kryesore që mund ta kenë motivuar zotin Rutte të vizitojë Kosovën dhe të informohet se si po shkon procesi i konsolidimit të institucioneve të reja të Kosovës. Dhe për ta tërhequr vëmendjen që nuk duhet të tolerohet dhe nuk duhet të nxitet, sepse NATO ka pasur kritika edhe ndaj Prishtinës për shkak të aksioneve në veri. Nuk është se kritika të tilla janë bërë vetëm ndaj Serbisë,” ka thënë Kasolli.

Deklaratat e shefit të NATO-s mund të jenë një mesazh direkt edhe për presidentin e Serbisë, thotë Kasolli, gjersa shton se Vuçiq po bën përpjekje ta paraqes protestën studentore si një lloj instrumenti politik që iu shërben shqiptarëve të Kosovës.
“Shefi i NATO-s iu bëri thirrje edhe partnerëve rajonalë që të angazhohen për të mbajtur paqen dhe stabilitetin në rajon së bashku me SHBA-të, me mesazh direkt ndaj Serbisë për shkak të situatës që ndodh sot në Serbi. Regjimi i Aleksandar Vuçiq po i nënshtrohet një presioni të jashtëzakonshëm nga protestat studentore dhe popullore për shkak të pakënaqësisë që është akumuluar për mënyrën se si është menaxhuar deri tani ajo shoqëri. Nuk mund të përjashtohet mundësia që të tentojë të shpallë ekskluzivist presidentin Vuçiq nëse ai i përcjell edhe fjalimet e tij dhe të kryetares së parlamentit, gjatë gjithë kohës ata po bëjnë përpjekje të definojnë protestën studentore si një lloj instrumenti politik që iu shërben shqiptarëve të Kosovës, duke i akuzuar ata si fajtorë për gjithçka që po ndodh. Shërbimet e huaja janë një lloj marionetë e shqiptarëve të Kosovës dhe Albin Kurtit, gjë që nuk ka sens logjik, sepse e dimë që as Albin Kurti, as Kosova, nuk kanë atë fuqi policore për të ndikuar në destabilizimin e Serbisë nga brenda,” ka shtuar Kasolli.