Pas mbledhjes së LDK-së, hidhen dyshime për një “dakordim” ndërmjet partive opozitare kundër Kurtit

Politika

Pas mbledhjes së LDK-së, hidhen dyshime për një “dakordim” ndërmjet partive opozitare kundër Kurtit

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 13 mars 2025 Në ora: 07:56
Foto nga mbledhja e LDK-së

Të hënën, kryesia e  Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) mbajti mbledhjen e parë pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Pas kësaj mbledhjeje, kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku mbajti një konferencë për media.

Abdixhiku tregoi se çfarë diskutuan në mbledhje.

Ndër të tjera, Ai ka bërë të qartë disa qëndrime të LDK-së, duke përfshirë këtu çështjet si koalicionet, postin e kryeministri, dhe atë të presidentit.

“Nuk kemi pas asnjë takim me asnjë parti në Kosovë, sidomos nuk kemi pas takim me partinë në pushtet. LDK e ka të qartë politikë karshi LVV, nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për një bashkëpunuam me ta, pra ky është pozicion i qartë i LDK-së para elektoral dhe elektoral. LDK nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit, ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë tani dhe po ashtu kemi thënë se LDK nuk synon dhe nuk do të punojnë për një qeveri afatshkurta, pra pa zgjidhjen e çështjes bazike të presidenti që përcakton edhe zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovë, LDK nuk beson që do të ketë stabilitet qeveritar dhe për qeveri afatshkurtra nuk është e interesuar fare, nuk do të përsëritim gabimet paraprake të futje në qeveri në afat shkurtër”, ka deklaruar Abdixhiku.

Deklaratat e Abdixhikut/ Mehmeti hedh dyshime për dakordim të opozitës

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” i ka komentuar deklaratat e kryetarit të LDK-së, duke i cilësuar ato kontradiktore.

“Deklarata diletante të z. Abdixhiku, ku foli shumë, por nuk tha asgjë konkrete. Edhe batutën që i tha janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Në njërën anë tha se nuk shkon me VV, pavarësisht nëse ja jep apo jo postin e kryeministrit. Ndërsa me opozitën e sheh të kundërt nëse ia jep postin e presidentit, por nëse përfshihet në marrëveshje edhe posti i presidentit”, ka thënë ai.

Sipas Mehmetit, Abdixhiku po kërkon vetëm postin e kryeministrit dhe ka dëshmuar se nuk është lider .

“Edhe nëse të gjitha partitë e tjera bëhen bashkë, pa VV nuk mund të zgjidhet presidenti i vendit, çka i bie se Lumiri po kërkon vetëm postin e kryeministrit dhe asgjë tjetër nuk e intereson. Çdo gjë tjetër që tha bie poshtë dhe është kamuflim për t'u bërë bashkë me opozitën dhe me Listën Serbe. Me këtë, Lumiri dëshmoi se nuk është lider dhe është larg të qenurit i tillë”, ka vlerësuar ai.

 Tutje, Mehmeti hedh dyshime se mund të ketë dakordim ndërmjet opozitës.

“Më pak fjalë, opozita duket se është dakordësuar për t'u bërë bashkë, kjo shihet hapur. Lumiri dëshmoi edhe një herë se është i etur për pushtet”, ka theksuar Mehmeti.

Duhanaj: Deklaratat e Abdixhiku janë politike

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti tjetër, Leon Duhanaj është shprehur se deklaratat e Abdixhikut janë politike dhe ka shpjeguar se çfarë nënkupton ai me to.

“Natyrisht që si mandatar i parë i takon me qenë z. Kurti i cili edhe ka dalë i pari në zgjedhje.

Nëse z. Kurti, nuk arrin të gjejë partnerët e nevojshëm për ta bërë qeverinë e re, atëherë pas afateve Kushtetuese, topi do të pasohet tek partia e dytë, e që është PDK.

Nëse z. Abdixhiku, do ta kishte seriozisht një deklaratë të tillë, atëherë do thosha se ai, nuk është fare i interesuar për ndonjë përgjegjësi.

Megjithatë, duke qenë se këto deklarata janë politike, atëherë nënkuptohet se z. Abdixhiku, përmes deklaratave të tilla synon ta rrisë çmimin e ndikimit”, ka shpjeguar ai.

Sipas tij, Kosova i ka dy alternativa.

“Për mendimin tim, Kosova i ka dy alternativa në të cilat duhet të gjejë zgjidhje urgjente.

Alternativa e parë, por jo e dëshirueshme, kishte me qenë Qeveria Kurti, nëse arrin t'i bëj numrat.

Dhe alternativa e dytë, e që për mendimin tim, duhet të jetë zgjidhja, është Qeveria Hamza me partitë opozitare.

Kjo qeveri duhet të jetë në proporcion me rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk guxon të bëhet sferë e interesave partiake”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Duhanaj është shprehur se Abdixhiku mund të ketë synime në kalkulimet në interes të zgjedhjes së postit të Presidentit/es.

“Z. Abdixhiku, nuk është në pozitë për të kërkuar udhëheqjen e qeverisë dhe ketë e di edhe ai mirë.

Nëse synon të kalkulimet në interes të zgjedhjes së postit të Presidentit/es, atëherë është krejtësisht legjitime. Por asnjëherë të mos vendoset plani partiak, para atij shtetërorë e kombëtarë”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat