“Apetitet” e rrezikshme të Vuçiqit ndaj Kosovës dhe BeH/ Eksperti i sigurisë: Kur u rrezikohet pushteti...

Politika

“Apetitet” e rrezikshme të Vuçiqit ndaj Kosovës dhe BeH/ Eksperti i sigurisë: Kur u rrezikohet pushteti...

Nga: A.SH Më: 13 mars 2025 Në ora: 14:44
Kurti dhe Vuçiq

Në muajt e fundit, Serbia është përfshirë nga protesta të gjera kundër qeverisë, të cilat kanë arritur kulmin me bllokimin e ndërtesave të transmetuesve shtetërorë në Beograd dhe Novi Sad. Këto protesta, të udhëhequra kryesisht nga studentët, filluan pas shembjes fatale të një pjese të stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor 2024, ku humbën jetën 15 persona.

Ngjarja nxiti zemërim publik për shkak të perceptimit të korrupsionit qeveritar në projektet infrastrukturore. Më 11 mars 2025, protestuesit bllokuan hyrjet e Radio Televizija Srbije (RTS) në Beograd, duke penguar transmetimet e drejtpërdrejta dhe duke shkaktuar përplasje me policinë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq gjatë një tubimi në Smederevë tha se “revolucioni me ngjyra në Serbi u organizua me miliarda euro që Serbia të mos mund ta mbronte Kosovën dhe që të mos mund të ndihmonte Republikën e saj Sërpska”.

Njohësi i sigurisë, Xhevat Meha, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Ksova përdoret nga krimineli Vuçiqi për të tërhequr masën nacionaliste pas vetes për fuqizim politik ndaj kundërshtarëve politikë.

“Deklaratat e tilla nga Vuçiç janë të njëjta me deklaratat e pothuajse të gjithë kryepolitikanëve të mëparshëm të Serbisë. Kosova përdorej vazhdimisht për të tërhequr masën nacionaliste pas vetes për fuqizim politik ndaj kundërshtarëve politikë. Kur u rrezikohet pushteti, deklaratat e tilla fuqizohen. Nacionalizmi është ndjenja që qytetarëve të zakonshëm ua errëson sytë për të mos parë problemet e përditshmërisë së tyre, të cilat politika do të duhej t’ua zgjidhte. Politika populiste nuk merret me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, por fuqizon këto ndjenja si errësim i syve të qytetarëve, që vetë të vazhdojnë me vjedhjet e pasurimin e vetes së tyre”, shpejgon ai.

Tutje, thotë se edhe paritët si në opozitë si në pushtet janë të njejta dhe garojnë për të përvetësuar sa më shumë qytetarë serbë përmes fuqizimit të ndjenjave nacionaliste.

“Edhe partitë në pushtet në Serbi, edhe partitë opozitare në Serbi, në deklaratat e tyre karshi Kosovës janë përafërsisht të njëjta. Të gjitha këto parti politike garojnë për të përvetësuar sa më shumë qytetarë serbë përmes fuqizimit të ndjenjave nacionaliste. Partitë politike në pushtet dhe ato opozitare i kultivojnë ndjenjat nacionaliste si bereqet, që pastaj të mund t’i përdorin për korrje të bereqetshme politike. Kjo bëhet lirisht nga fakti se Perëndimi i lejon Serbisë që të sillet ndaj të tjerëve siç është duke u sjellë për disa dekada tani. Kurdo që Perëndimi i ngushton Serbisë mundësinë e sjelljeve të tilla, do të ketë alternativa të tjera politike që kultivojnë diçka më të dobishme për qytetarët e vet dhe të tjerët në rajon. Deri në ndryshimin e qëndrimit nga Perëndimi, Serbia do të vazhdojë njëjtë".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat