Nga sot Komuna e Prishtinës do të ofrojë shërbimet e Trafikut Urban falas për të gjithë qytetarët që udhëtojnë në Prishtinë.
Ky vendim është marrë me propozim të grupit të asamblistëve të PDK-së në Prishtinë dhe është votuar nga shumica e asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, përmes një postimi në Facebook është shprehur i kënaqur që propozimi i kësaj partie ka gjetur zbatim dhe do të jetësohet në të mirë të qytetarëve.
“Një ide e mirë e Degës së PDK-së në Prishtinë po jetësohet. Pasi u votua propozimi ynë nga Asambleja Komunale, tash trafiku urban në Prishtinë është pa pagesë. Një hap i rëndësishëm ky që i ndihmon qytetarët, kursen xhepin e tyre, ruan shëndetin dhe inkurajon transportin publik. Me politika të mira, ndreqet Kryeqyteti. Falënderoj të gjitha partitë politike që mbështetën këtë propozim.”, ka shkruar Ismaili.